Administrata e prokurimet, OECD: Shqipëria lidere në rajon, pika më e fortë dixhitalizimi
U prezantuan sot gjetjet e raportit të monitorimit OECD/SIGMA.
Raporti jep një pasqyrë të progresit të deritanishëm të administratës publike shqiptare, por edhe një hartë të qartë me rekomandime për hapat e ardhshëm.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, në bashkëpunim me OECD/SIGMA, organizoi eventin “Transformimi i Sektorit Publik: Themeloret e Reformës së Administratës Publike në Shqipëri".
Gjatë eventit, u prezantuan gjetjet e raportit të monitorimit OECD/SIGMA, ku Shqipëria shquhet si lider rajonal në shumicën e indikatorëve të matur, duke konfirmuar progresin e saj në administratën publike.
Në event morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, Drejtuesi i Programit SIGMA të OECD-së, Z. Gregor Virant, si dhe përfaqësues të lartë të qeverisë dhe partnerë ndërkombëtarë.
Lidershipi rajonal i Shqipërisë sipas SIGMA
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Adea Pirdeni, theksoi se të dhënat e SIGMA-s në shtyllat e vlerësimit konfirmojnë qartë progresin e prekshëm të Shqipërisë në reformën e administratës publike.
"Më shumë sesa një analizë teknike, ky raport ngre një pasqyrë të pagënjeshtërt të progresit, por edhe sfidave të Shqipërisë dhe është një dëshmi konkrete e pjekurisë së administratës sonë ndaj standardeve evropiane. Sot, kemi një administratë që jo vetëm matet, por performon ndjeshëm ku sikurse do të shpjegohet më në detaje nga kolegët e SIGMA, Shqipëria në shumë indikator ruan në mënyrë solide lidershipin në rajon," tha ministrja Pirdeni.
Analiza e raportit monitorues të SIGMA-s është një dëshmi e rrugëtimit progresiv të Shqipërisë në reformën e administratës publike duke e pozicionuar lider rajonal në disa sektorë dhe fusha kyçe, përfshirë këtu, manaxhimin e financave publike, qeverisjen digjitale, menaxhimi i burimeve njerëzore dhe zhvillimin e politikave.
"SIGMA vlerëson gjithashtu se rekrutimi në administratën publike shqiptare kryhet i bazuar në meritë dhe transparencë, dhe se rritja e pagave e ka bërë shërbimin civil më tërheqës. Manaxhimi i shërbimit civil si dhe për atraktiviteti i punësimit në administratën publike vlerësohet gjithashtu pozitivisht, edhe në saj të zbatimi të reformës së pagave duke çuar pagën mesatare në administratë në 968 euro tashmë, pothuajse dyfishin e nivelit të vitit 2013, si dhe zbatimin e një pakete të targetuar fleksibiliteti në punë. Së fundi këtyre përpjekjeve u është shtuar dhe garantimi i mjediseve dinjitoze të punës, përmes riorientimit tërësor të shfrytëzimit të shtetërore në funksion të ndërtimit të komplekseve të godinave të reja për adminsitratën publike," tha ministrja Pirdeni.
Strategjia e re 2024-2030 dhe ndryshimet ligjore
Ministrja Pirdeni bëri me dije se Strategjia Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike 2024-2030, është në fazën e konsultimit publik.
"Në fillim të kësaj jave kemi publikuar për konsultim publik Strategjinë e Reformës në Adminsitratën Publike, produkt i një pune më shumë se një vjeçare e gjysëm me kolegë e partnerë për të konkretizuar me hapa e veprime zbatimin e standardeve evropiane në Shqipëri, sipas zotimeve që kemi marrë në kuadër të procesit të negociatave përmes Udhërrëfyesit për Reformën në Administratën Publike," u shpreh ministrja Pirdeni.
Raporti i SIGMA-s jep një pasqyrë të progresit të deritanishëm të administratës publike shqiptare, por edhe një hartë të qartë me rekomandime për hapat e ardhshëm. Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Pirdeni, njoftoi ndryshime të rëndësishme në ligjin për nëpunësin civilë dhe administratën publike.
"Do të paraqesim brenda muajit mars për konsultim publik ndryshime në dy projektligje hartuar me asistencën e projektit EU4GG, përkatësisht: Ligjin nr. 152/2013 "Për Nëpunësin Civil" dhe Ligjin nr. 90/2012 "Për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore. Ku është rikonceptuar jo vetëm funksionimi i aparatit adminsitrativ, optimizimi i proceseve të punës në administrate, si dhe kontroll dhe monitorim më i strukturar i mënyrës se si perfomon një institucion, jo vetëm një zyrtar publik," tha Pirdeni.
Përparime në transparencë dhe digjitalizim
Sa i takon fushës së vlerësimit për digjitalizimin dhe ofrimin e shërbimeve publike, administrata publike ka avancuar ndjeshëm në këtë drejtim. Sipas SIGMA-s, integrimi i regjistrave dhe ndërveprimi i sistemeve përfaqësojnë një arritje të madhe, duke thjeshtuar procedurat dhe reduktuar barrën administrative.
"Transformimi i shërbimeve publike është më shumë se thjesht një reformë - është një realitet i prekshëm i bazuar për së pari në standarde, standarde këto që do të ngrihen në një tjetër nivel po brenda këtij viti përmes asistentit virtual të e-Albania dhe e-Albania 2.0," tha ministrja Pirdeni.
SIGMA dhe vlerësimi i Komisionit Evropian
Gjetjet e raportit të SIGMA-s, janë burimi kryesor i vlerësimit të Komisionit Evropian në fushën e Administratës Publike në Raportet vjetore të Progresit. Vlerësimi i parafundit për Shqipërinë është kryer në 2021. SIGMA është një nismë e përbashkët e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe BE-së. /Scan