Secondary Adv

Numri i degëve të bankave iu kthye rritjes në vitin 2024

Numri i degëve të sektorit bankar iu kthye rritjes vitin e kaluar. 

Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2024 bankat raportuan 405 degë, nga 385 që kishte qenë numri i tyre në fund të vitit 2023.

 

Pas një rritjeje të vogël në vitin 2021, viti 2024 shënoi edhe rritjen më e madhe e numrit të degëve të bankave që prej vitit 2008.

 

Në vitet e fundit, disa prej bankave të sektorit kanë nisur një cikël të zgjerimit të degëve, të lidhur me strategjitë e tyre të rritjes, veçanërisht në segmentin retail.

 

Kontributin kryesor në rritje e kanë dhënë Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 16 degë të reja dhe Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) me gjashtë degë.

 

Pas marrjes së kontrollit nga grupi i sigurimeve Eurosig, banka më e vogël e sistemit, UBA, nisi një strategji të zgjerimit të shpejtë të rrjetit, me qëllim për të rritur pjesën e saj në treg.

 

Ndërkohë, ABI Bank, që historikisht ka qenë e orientuar kryesisht në segmentin e biznesit, po tenton të rritet edhe në produktet retail, me interest të veçantë sidomos te depozitat.

 

Në përgjithësi, rritja e numrit të degëve është e lidhur me momentin pozitiv të sektorit bankar në periudhën pas pandemisë.

 

Performanca e mirë financiare e sektorit bankar në vitet e fundit ka nxitur banka të veçanta të investojnë edhe në zgjerimin e rrjetit të degëve, si pjesë e strategjisë së tyre të ekspansionit.

 

Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi i përbashkët i bankave tregtare me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) vitin e kaluar arriti në 36.2 miliardë lekë, më i larti i regjistruar ndonjëherë. Fitimi i sistemit është rritur me 27% krahasuar me vitin 2023.

 

Numri i degëve dhe agjencive bankare në Shqipëri e ka shënuar nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Nga ai moment, numri i njësive bankare të shërbimit nisi të pakësohet, edhe për faktin e thjeshtë se sektori bankar nuk ishte më në fazë ekspansioni.

 

Efektet e krizës dhe nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonin zgjerimin e rrjetit dhe të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese.

 

Procesi u theksua më shumë pas vitit 2015, nga procesi i konsolidimit të sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave tregtare. Numri i bankave tregtare ra nga 16 në 11 dhe si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën.

 

Një faktor tjetër me ndikim të rëndësishëm në lidhje me numrin e degëve të bankave është edhe dixhitalizimi dhe automatizimi i ofrimit të shërbimeve dhe produkteve bankare.

 

Sot pjesa më e madhe e shërbimeve bankare mund të ofrohen nëpërmjet kanaleve dixhitale dhe kjo e ka ulur nevojën për praninë fizike të degëve dhe të stafit. Pavarësisht kësaj, për arsye të lidhura me konkurrencën, disa prej bankave po e zgjerojnë rrjetin e tyre./Monitor(https://monitor.al/numri-i-degeve-te-bankave-iu-kthye-rritjes-ne-vitin-2024/)


Më të lexuarat