Bizneset marrin mbrapsht 220 mln euro TVSH, Tatimet: Ulet koha mesatare e rimbursimit në 31 ditë
Rimbursimi i TVSH-s për bizneset përgjatë vitit 2024, përmes platformës dixhitale është bërë brenda mesatarisht 31 ditëve duke reduktuar kohën e pritjes dhe lehtësuar tatimpaguesit.
Ndërsa deri në 2027 planifikohet që afati mesatar i rimbursimit të arrijë në 25 ditë.
Referuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, përgjatë vitit që lamë pas, numërohen 1,601 subjekte të rimbursuara në total.
75% e kërkesave nga ana e subjekteve janë miratuara pa kontroll, pra në mënyrë automatike.
Vlera totale që i është kthyer bizneseve gjatë 2024-ës arrin në 22 miliardë lekë apo afro 220 milionë euro.
Personat e tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, që rezultojnë me tepricë kreditore mbi 400.000 mijë lekë, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Kjo kërkesë paraqitet sipas formularit të miratuar “Kërkesë për rimbursimin e TVSH-së” (online si dhe zyrtarisht pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve).
Rimbursimi i TVSH-së kryhet brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nëpërmjet sistemit të Thesarit. Kërkesa për rimbursim i nënshtrohet procedurës normale të rimbursimit duke iu nënshtruar analizës se riskut për rimbursim.
Rimbursohen automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, si persona me risk zero. Në rast të mosrimbursimit të shumës së miratuar për rimbursim, personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore në masën e TVSH-së së pretenduar për rimbursim.
Nëse një rimbursim, i cili duhej kryer nga administrata tatimore, nuk kryhet brenda afateve ligjore, administrata tatimore paguan kamatëvonesë për shumën e paguar më tepër./Scantv