Dy impiante të rinj fotovoltaikë, në Gramsh dhe Has, kapaciteti 17.5 MW
Dy aplikime të reja për impiante forovoltaikë njëri në Gramsh dhe tjetri në Has janë paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë këtë javë.
Ky institucion dha detajet mbi këto projekte sipas procedurës standarde të shpalljes duke pritur komentet nga palët e interesit për projektet që kanë një kapacitet total të instaluar prej 17.5 MW.
Sipas njoftimit aplikimi i parë është bërë nga shoqëria “ONE SOLAR” sh.p.k. e cila ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 11.5 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Njësinë Administrative Pishaj, Bashkia Gramsh, Qarku Elbasan.
Aplikimi i dytë është bërë nga “PEROLLAJ ENERGY” sh.p.k. gjithashtu për një projekt që nuk është objekt koncesioni dhe as nuk përfiton nga masat mbështetëse për një impiant me kapacitet instaluar 6 MW me vendndodhje në Bashkinë Has.
Vetëm një javë më parë nga MIE u bënë publike dy aplikime të tjera për dy projekte me kapacitet total 148.5 MW ku më i madhi me kapacitet 128 MW në Sheq Marinas në Fier.
Në MIE janë paraqitur gjatë viteve në fundit me dhjetra aplikime ku projektet gjenden në hallka të ndryshme të zbatimit teksa disa kanë hyrë në prodhim.
Impianti më i madh i vënë në punë është Karavastaja e cila është në një marrëveshje mes Voltalia dhe qeverisë pas ankandit që fitoi kompania në fjalë.
Së fundmi kjo kompani bëri me dije se edhe punimet për Spitallën kanë filluar.
Ndërkohë në operim kanë hyrë edhe një sërë impiantesh të tjerë më të vegjël të cilët kanë rritur peshën e energjisë diellore në totalin e saj edhe pse sërish mbetet në nivele modeste në raport me hidron. Energjia diellore në 2024 ishte mbi 225 mijë MWh apo 2.88 për qind e prodhimit neto vendas./Monitor (https://monitor.al/dy-impiante-te-rinj-fotovoltaike-ne-gramsh-dhe-has-kapaciteti-17-5-mw/)