Secondary Adv

Safe Stay in Albania, Policia Kufitare rrit masat në aeroportin e Rinasit për sezonin turistik

Aeroporti Ndërkombëtar "Nënë Tereza", si porta kryesore ajrore e Shqipërisë, po përgatitet për një sezon veror me fluks të lartë udhëtarësh.

Nën moton “Safe Stay in Albania”, strukturat e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë kanë intensifikuar masat për garantimin e sigurisë dhe përmirësimin e përvojës së kalimit kufitar për qytetarët dhe turistët.

 

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, zhvilloi një inspektim në ambientet e aeroportit, ku u njoh me organizimin dhe kapacitetet e vendosura në funksion të sezonit turistik.

 

“Shqipëria po përjeton një bum turistik. Vitin e kaluar u regjistruan mbi 12 milion turistë dhe gjatë gjithë sezonit veror nuk u shënua asnjë incident penal ndaj tyre. Ky është një tregues i standardeve të sigurisë që ne kemi ndërtuar dhe që po i përmirësojmë vazhdimisht. Portat automatike të kontrollit të dokumenteve (E-Gates) janë një element kyç në lehtësimin e lëvizjes dhe ofrimin e një shërbimi më të shpejtë për udhëtarët, ndërsa kontrolli i pasaportave kërkon vëmendje dhe kujdes të veçantë për të ruajtur balancën mes efikasitetit dhe sigurisë,” u shpreh Hoxha.

 

Nga ana e saj, kreu i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, Silvana Sulaj bëri të ditur se janë marrë masa të shtuara për përballimin e fluksit në rritje.

 

“Kemi shtuar me rreth 100 efektivë Policinë Kufitare në Rinas, duke përforcuar praninë në çdo pikë hyrëse dhe dalje. Janë intensifikuar kontrollet kufitare dhe vetëm në tremujorin e parë të këtij viti është shënuar një rritje prej 10% në numrin e pasagjerëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Më shumë se 50% e pasagjerëve të pranuar kanë qenë të huaj, çka tregon qartë rritjen e interesit ndërkombëtar për vendin tonë,” u shpreh Sulaj.

 

“Safe Stay in Albania” synon jo vetëm ruajtjen e rendit dhe sigurisë, por edhe rritjen e cilësisë së shërbimit për të gjithë ata që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë./Scantv


Më të lexuarat