Prodhimi i energjisë nga era, miratohen dy centrale me fuqi 148.5 MW
Energjia e erës mbetet e pashfrytëzuar, por në 2024 dy projekte me 148.5 MW morën miratimin paraprak për lidhje me rrjetin elektrik.
Energjia e erës mbetet ende e pashfrytëzuar në vendin tonë, teksa të dhënat për vitin 2024 tregojnë se 2 projekte me fuqi totale 148.5 MW kanë marrë opinion paraprak për t’u lidhur në sistemin e transmetimit.
Projekti i parë është Park Eolik Pogradec, me një fuqi të instaluar prej 120 MW. Ndërkohë që, centrali tjetër është Park Eolik Drin-2 dhe ka një kapacitet të parashikuar prej 28.5 MW. Edhe vitet e kaluar ka patur një sërë projektesh, që kanë marrë miratime të ngjashme, por deri më tani asnjë prej tyre nuk ka hyrë në prodhim.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, aktualisht janë vetëm 2 kompani të licencuara në prodhimin e energjisë elektrike nga era.
Era është konsideruar nga ekspertët si një burim i rëndësishëm i energjisë së rinovueshme dhe një alternativë për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë. Kjo pasi aktualisht mbi 90% e energjisë në vend gjenerohet nga burimet ujore, duke patur varësi të lartë ndaj kushteve atmosferike.
Ndërkaq, nisur nga fakti se një numër i konsiderueshëm i burimeve të energjisë elektrike, jo vetëm eolike, por edhe fotovolatike dhe hidrike, parashikohen që të ndërtohen dhe të lidhen në sistemin e transmetimit, Enti Rregullator i Energjisë thekson nevojën për një zhvillim më dinamik dhe investime për të integruar këto burime në sistemin elektroenergjitik shqiptar në vitet në vijim./Scantv