Gati gjysma e kredive për shtëpi, BSH me plan masash: Mund të kufizojmë huatë
Banka e Shqipërisë ka nisur të hartojë masat që do të ndërmerren për të kufizuar kredidhënien për pasuri të paluajtshme për shkak të ekspozimit të bankave ndaj këtij sektori.
Rritja e shpejtë e çmimit të pasurive të paluajtshme po shqetëson sektorin bankar, i cili këtë treg e konsideron si rrezikun e tretë më të rëndësishëm në aktivitetin e tyre, pas goditjeve nga jashtë dhe rrezikut nga sulmet kibernetike. Një rënie e shpejtë e sektorit e shoqëruar me ulje të fuqisë paguese mund të dëmtojnë sektorin bankar, për shkak të ekspozimit të lartë të tyre.
Ky ekspozim po vlerësohet me kujdes nga Banka e Shqipërisë me synim mbrojtjen e bankave nga rreziku i falimentimit të biznesit apo pamundësisë për të paguar kredinë nga qytetarët.
Report TV mëson se disa nga masat që po studiohen nga Banka e Shqipërisë për të mbrojtur bankat nga një goditje që mund t’ju vijë nga tregu i pronave, kanë të bëjnë me caktimin e tavaneve kufizuese të kredidhënies.
Konkretisht po vlerësohet caktimi i tavanit për vlerën e kredisë që mund të japin bankat në raport me kolateralin. Aktualisht bankat financojë deri në 70% të vlerës së pronës, por sipas informacione në disa banka ky nivel arrin deri në 100%.
Tavan mund të ketë edhe për nivelin e borxhit që mund të ketë një individ ose biznes ndaj totalit të të ardhurave apo kufizim për përqindjen e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave.
Pikë tjetër që po vlerësohet ka të bëjë edhe me kufizimin e maturimit të kredisë, aktualisht kreditë për individë kanë afate kthimi deri 30 vjet, si dhe po shqyrtohet aplikimi i kushteve shtesë për kreditë për blerje të shtëpisë së dytë apo të tretë për qëllim investimi. Këto politika mund të përcaktohen edhe sipas monedhave.
Këto kushtëzime që mund të ndërmarrë banka e Shqipërisë do të caktohen sipas ekspozimit që ka secila bankë ndaj këtij sektori.
Banka e Shqipërisë thotë se 46% e kredisë së dhënë nga bankat është e kolateralizuar në pasuri të patundshme, duke u rritur me 9% në raport me vitin 2023. E përkthyer në vlerë, në prona janë kolateralizuara 390 miliardë lekë, 50% ose 195 miliardë lekë i përket individëve dhe 190 miliardë lekë i takon bizneseve.
MASAT QË MUND TË MARRË BSH
- Tavan për vlerën e kredisë në raport me kolateralin
- Tavan për shërbimin e borxhit në raport me të ardhurat
- Tavan për nivelin e borxhit ndaj totalit të të ardhurave