
Hapet tenderi 20 mln euro për By-pass-in e Sarandës, gjurma ku kalon segmenti 3.8 km
Autoriteti Rrugor Shqiptar çeli këtë të mërkurë tenderin me objekt “Ndërtim By-pass Sarandë, Faza I”, me një fond limit prej 1.99 miliardë lekësh, apo rreth 20 milionë euro.
Rruga e re parashikohet të ketë një gjurmë kryesisht të re dhe synon të devijojë trafikun bregdetar në perëndim të qytetit. Ky projekt, sipas dokumenteve, vjen në kushtet kur trafiku është kthyer në një problem të vazhdueshëm, sidomos në pikun e sezonit turistik për qytetin bregdetar.
“Nisur nga nevoja e përmirësimit sa më të shpejtë dhe efikas të infrastrukturës rrugore, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur procedurën për By-pass-in e Sarandës”, thuhet në njoftim, me qëllim lehtësimin e trafikut të rënduar përmes devijimit të tij në bypass-in e qytetit, duke mundësuar kështu lëvizjen e automjeteve larg zonës së qendrës ku aktualisht kalon trafiku.
Qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe asaj urbane në qytetin e Sarandës, si dhe devijimi i trafikut tranzit larg qendrës së qytetit. Rruga “By-pass Sarandë” do të jetë një rrugë përgjithësisht në gjurmë të re, herë pas here në gjurmë ekzistuese aksesesh, të cilat janë rrugë dheu dhe shumë të ngushta përgjithësisht në 500 metrët e parë. Pas kësaj, rruga do të shtrihet përgjithësisht në zonë të pabanuar, edhe pse sipas planeve urbanistike të Bashkisë Sarandë, zona ka perspektivë për zhvillim.
Terreni i vështirë në të cilin do të shtrihet rruga përbën një sfidë për projektuesin, pasi kushtet e përgjithshme kufizojnë shumë zgjidhjet dhe gjithashtu vështirësojnë mundësinë e respektimit të parametrave projektues për llojin e rrugës që do të ndërtohet, thuhet në raportin teknik të projekt-zbatimit.
Sipas të njëjtit dokument, aksi rrugor në studim është By-pass-i i Sarandës, i cili fillon në kryqëzim me rrugën Skënderbeu, në hyrje të Sarandës, dhe përfundon në anën tjetër të kodrës, ku lidhet me rrugën nacionale SH8 Sarandë–Himarë. Për zgjidhjen e kësaj rruge, konsulenti ka propozuar 2 variante, si në foton më poshtë.
“Pas vendimit të Këshillit Teknik pranë autoritetit kontraktor (Vendim nr. 3, datë 03.03.2025, prot. nr. 1274/1), u miratua si variant final aksi si më poshtë, duke përfshirë dhe aksin që lidh bypass-in me rrugën Kardhiq–Delvinë, i cili do të trajtohet si mundësi lidhjeje me këtë rrugë dhe do të zhvillohet më vete në fazën Projekt Ideje nga Konsulenti. Ky aks rrugor është i gjatë rreth 3.08 km. Projekti përfshin një tunel me gjatësi 760 m. Dalja nga tuneli është zgjidhur duke zbritur nëpër serpentinë derisa arrin në një nyje me rrethrrotullim që do të lidhë rrugët në fjalë.
Rruga do të kalojë përgjithësisht në terren të pjerrët, me seksion gjysmë mbushje – gjysmë gërmim. Pothuajse në të gjithë gjatësinë e saj do të ketë mure mbajtëse në anën e mbushjes, kryesisht mure me dhe të armuar. Për shkak se deri në km 1+700 zona është e pabanuar, por ka perspektivë zhvillimi sipas planeve urbanistike të Bashkisë Sarandë, në anën e majtë të rrugës do të montohet barrierë metalike H2W4 për arsye sigurie në bankinë”, thuhet në dokument. /Monitor(https://monitor.al/hapet-tenderi-20-milione-euro-per-by-pass-in-e-sarandes-gjurma-ku-kalon-segmenti-3-8-km/)
Më të lexuarat








