Fotovoltaikët, ERE nis procedurat për licencimin në prodhim të një tjetër impianti 35.6 MW
Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për licencimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet 35.6 MW.
Enti Rregullator i Energjisë nisi procedurat për licencimin në prodhim të energjisë së një tjetër impianti fotovoltaik me kapacitet 35.6 MW. Në mbledhjen e fundit të Bordit, të mbajtur këtë javë, u njoftua edhe kjo procedurë.
“Në mbledhjen e tij të datës 12.08.2025, Bordi i ERE-s vendosi të fillojë procedurën për licencimin e shoqërisë “Infotelecom-Albsolar 4” shpk në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik, me kapacitet të instaluar 35.6 MWac, me vendndodhje në rrugën “Gjorica e Poshtme”, Njësia Administrative Gjoricë, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër” – nënvizoi ERE.
Enti Rregullator i Energjisë licencoi deri në fund të korrikut të paktën 13 subjekte, ku një prej tyre me kusht. Në total, kapaciteti i instaluar i projekteve që kanë marrë një licencë prodhimi si fotovoltaikë është 125 MW, nga ku 11 prej tyre i takojnë kategorisë së impianteve me fuqi të instaluar deri në 2 MW.
Impianti kryesor që duket se ka marrë licencën në prodhim është ai që parashikohet me një fuqi 100 MW nga “Sunny Side Energy”, i parashikuar për ndërtim në zonën e Darzezës në Fier.
Në total, deri më tani janë dhënë 65 licenca në prodhimin e energjisë fotovoltaike nga ERE, duke nisur që nga projekti i parë i zbatuar disa vite më herët nga Ujësjellësi i Korçës. Interesi për fotovoltaikët nisi në vitin 2017, kur u miratua edhe kuadri i parë ligjor për burimet e rinovueshme të energjisë, por mori nxitjen reale në vitet 2021 dhe 2022 me nisjen e krizës së energjisë.
Deri më tani në vend janë zbatuar disa projekte, por ato që dominojnë janë impiantet e vogla deri në 2 MW, teksa më i madhi është Karavastaja, i fituar përmes ankandit të qeverisë nga Voltalia, që ka nisur prodhimin prej vitit 2024.
Projekte të tjera private, të orientuara drejt shitjes në treg të lirë, po zbatohen në disa rajone, teksa shumica e projekteve të propozuara mbeten në hallka të ndryshme institucionale pa filluar ende punimet në terren.
Shqipëria synon të diversifikojë prodhimin e energjisë duke rritur peshën e energjisë diellore dhe asaj nga era, për të shmangur varësinë e madhe që ka aktualisht nga hidro, e cila e ekspozon vendin ndaj importeve në vite hidrike jo të favorshëm.
Rritja e kapacitetit të instaluar është lakuar njëkohësisht si një mënyrë për ta kthyer vendin në eksportues neto të energjisë deri në vitin 2030, sikurse është theksuar nga përfaqësues të qeverisë herë pas here. /Monitor(https://monitor.al/fotovoltaiket-ere-nis-procedurat-per-licencimin-ne-prodhim-te-nje-tjeter-impianti-35-6-mw/)