Secondary Adv

Mundësi investimi, javën e ardhshme zhvillohet ankandi i obligacioneve 15-vjeçare

Ministria e Financave do të zhvillojë javën e ardhshme rihapjen e ankandit të obligacioneve 15 vjeçare.

Shuma e planifikuar e emetimit të obligacioneve për ankandin e datës 18 gusht është 2 miliardë lekë.

 

Yield-i i këtyre instrumenteve ka ardhur në rënie gjatë vitit në vazhdim, ashtu siç ka ndodhur në përgjithësi me të gjitha instrumentet e borxhit të qeverisë. Në ankandin e fundit, të muajit maj, yield-i uniform i pranuar zbriti në 5.57%, nga 5.59% në ankandin e mëparshëm të muajit shkurt dhe nga 6.41% që kishte qenë në ankandin e muajit nëntor 2024.

 

Megjithatë, duke filluar nga muaji qershor, yield-et e instrumenteve afatgjata të qeverisë shqiptare kanë shfaqur një tendencë në rritje. Është e pritshme që edhe yield-i i obligacioneve 15 vjeçare të regjistrojë rritje, duke ndjekur tendencën e obligacioneve 10-vjeçare dhe 20-vjeçare.

 

Obligacionet 15 vjeçare janë titujt e dytë më afatgjatë të emetuara nga qeveria shqiptare (pas atyre 20-vjeçare, që u emetuan për herë të parë këtë vit) dhe zakonisht synohen sidomos nga investitorët që duan kthime të larta kundrejt investimeve financiare afatgjata ose që në përgjithësi duan të rrisin kthimet mesatare të portofolit të tyre të investimit, duke e diversifikuar atë në afate më të gjata maturimi.

 

Kjo vlen veçanërisht për investitorë të veçantë institucionalë, si fondet private të pensioneve. Megjithatë, obligacionet 15-vjeçare mund të jenë një alternativë e mirë për kthime të larta nga kursimet të investitorëve të vegjël.

 

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 6-mujorin 2025, individët investuan 14.6 miliardë lekë në tregun primar të bonove dhe obligacioneve, me një rënie prej 20.3% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

 

Rënie u shënua edhe në numrin e transaksioneve, që zbriti në 4224, me një rënie vjetore prej 30.3%. Sipas llojit të instrumenteve financiare, rënia është shtrirë njëkohësisht si në bono, ashtu edhe në obligacione.

 

Investimi në obligacione arriti në 3.34 miliardë lekë, 7.7% më pak krahasuar me 6-mujorin I 2024.

 

Ndërsa vlera e blerjeve të bonove në tregun primar zbriti në 11.24 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 23.4%.

 

Prej tetorit të vitit 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur të ulë shumën minimale të pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve në 300 mijë lekë, nga 500 mijë lekë që ishte më parë.

 

Pjesëmarrja në ankandet e obligacioneve mund të bëhet nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj. Bankat e licencuara për këtë shërbim aktualisht janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank.

 

Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand. Kërkesat jokonkurruese pranohen me yield-in mesatar të kërkesave të pranuara konkurruese.

 

Sipas udhëzimit, shuma e ofruar e obligacioneve ndahet me 20% për kërkesat jokonkurruese dhe 80% për kërkesat konkurruese. Në rast se shuma totale e kërkesave jokonkurruese nuk e plotëson masën 20%, atëherë diferenca e paplotësuar ofrohet për kërkesat konkurruese.

 

Në rastin kur shuma totale e kërkesave jokonkurruese e kalon kufirin e përcaktuar të 20%, atëherë mbi këtë shumë zbatohet pro rata (përpjestimi). Në rast se shuma e kërkesave konkurruese të kërkuara nuk e plotëson masën 80%, atëherë diferenca e paplotësuar u ofrohet kërkesave jokonkurruese. 

 

/Monitor (https://monitor.al/mundesi-investimi-javen-e-ardhshme-zhvillohet-ankandi-i-obligacioneve-15-vjecare-4/)


Më të lexuarat