Secondary Adv

Dhoma Amerikane, promovim Shqiperise te investitoret e huaj

 

Bizneset e huaja dhe ato vendase,  përveç luftës për mbijetesë në kushtet kur informaliteti mbetet ende i lartë, duhet të përballen edhe me gjoba arbitrare dhe taksa jofavorizuese. Ndërkohë që Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford dhe Drejtorja Ekzekutive, Floreta Luli-Faber angazhohen për të promovuar Shqipërinë, si një destinacion atraktiv për investitorët dhe koorporatat e huaja.

 

Informaliteti i ekonomisë

 

Crowford shprehet se aktualisht barrën e taksave e mban biznesi i ndershëm, i cili është i regjistruar. Anëtarët e Dhomës Amerikane, sipas tij, ankohen se rritja në tatime është si efekt i taksave që paguajnë bizneset e rregullta, ndërkohë që një pjesë e mirë e ekonomisë mbetet informale. Ai thekson se është e rëndësishme që të shihet që rritja e të ardhurave nuk vjen vetëm vertikalisht, pra duke vjelë më shumë nga bizneset e rregullta, por duke zgjeruar bazën me tatimpagues të rinj.

“Ne kemi parë që tregu formal mban gjithë peshën e tatimeve, ndërsa tregu joformal është i madh për Shqipërinë.  Ne duam të shikojmë që rritja e të ardhurave të Ministrisë së Financës nuk vjen vetëm vertikale, domethënë nga ato subjekte që janë tani, por të kapin dhe bizneset që kanë qenë joformale. Të lehtësohen rregullat ose ligji për t’i përfshirë ata”, shprehet Crowford. Faktin që një pjesë e mirë e ekonomisë mbetet jashtë formalizimit, e mbështet edhe Banka Botërore, e cila në një raport më të hershëm të saj në muajin prill vlerësonte se ekonomia gri është 35 për qind. Kjo pjesë është më shumë se një e treta e ekonomisë, çka shkakton humbje apo mungesë të theksuar të të ardhurave në buxhet.

 

 

Kërkesat

 

1. Marrja e masave nga qeveria dhe administrata tatimore për uljen e evazionit fiskal dhe formalizimin e ekonomisë, jo vetëm nëpërmjet fushatave informuese, por edhe nxjerrjen dhe zbatimin e masave shtrënguese në përputhje me legjislacionin fiskal në fuqi.

2. Pagesa e detyrimit dhe e interesave të vendosur nga organet tatimore të kryhet vetëm pas dhënies së një vendimi të formës së prerë (nga drejtoria e apelimit apo gjykata), pasi në mjaft raste edhe vendosja e një garancie për ndjekjen e procedurës së apelimit rezulton e pamundur nga bizneset dhe nga ana tjetër mund të nxisë abuzimin e administratës tatimore për arkëtime detyrimesh tatimore në një afat të shkurtër. Në kushtet e funksionimit të rregullt të gjykatës administrative (me shkurtimin e kohës së nevojshme për çështjet gjyqësore administrative), është shumë më e lehtë marrja në konsideratë e kësaj kërkese.

3. Rishikimi i normës së tatimit mbi të ardhurat personale nga paga në mënyrë që të kemi një trajtim të barabartë të të ardhurave personale, pavarësisht nëse ato janë të krijuara nga puna, aktiviteti i biznesit apo kapitali. Sugjerohet një zbutje e dallimeve mes këtyre llojeve të të ardhurave, në mënyrë që të ardhurat personale të tatohen në të njëjtat nivele, pavarësisht nga natyra e tyre. Për këtë qëllim, të ardhurave personale nga paga mund t’u njihen disa incentiva si shpenzime të zbritshme.

4. Rishikim dhe ulje e normës së tatimit mbi fitimin.

5. Mosaplikimi i tatimit mbi fitimin i kompanive (rimbursimi i tatimit mbi fitimin) në rastin kur fitimet vjetore të tyre nuk shpërndahen në formë dividenti, por riinvestohen nga kompania.

6. Rritja e periudhës kohore për mbartjen fiskale të humbjeve nga 3 vjet që është aktualisht në 5 ose 7 vjet. Kjo gjë do të përmirësonte situatën, sidomos të atyre tatimpaguesve që kryejnë investime të konsiderueshme dhe është praktikë e njohur në botë dhe aplikuar me sukses edhe në vendet e rajonit.

7. Nëse kërkesa e propozuar në pikën 2 nuk merret në konsideratë, sugjerohet që:

a. të miratohet një Udhëzim, i cili do të përfshijë dhe detajojë elementet e garancisë.

b. dhe garancia e vendosur nga ana e subjekteve të mos jetë vetëm bankare, por të njihet edhe garancia e lëshuar nga shoqëritë e sigurimit të licensuara në vend. Kjo do t’i lejonte biznesit përdorimin e likuiditeteve të nevojshme pa qenë nevoja e bllokimit në bankë.

8. Sugjerojmë që Drejtoria e Apelimit Tatimor të bëhet një drejtori e veçantë brenda Ministrisë së Financave, me qëllim rritjen e pavarësisë së kësaj Drejtorie. Aktualisht, vetëm Drejtori i Drejtorisë është i varur nga Ministria e Financave, ndërkohë që inspektorët emërohen dhe largohen nga detyra me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.

9. Struktura aktuale e Drejtorisë së Avokatit të Tatimpaguesve, siguron pjesërisht pavarësinë e autoritetit të këtij funksioni. Autoriteti i Avokatit të Tatimpaguesve është i varur organikisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (pjesë e organigramës së DPT-së). Një drejtori e Avokatit të Tatimpaguesve, e pavarur, vetëm nën varësinë e Ministrisë së Financave, do t’i japë autoritet më të plotë funksional, për mbajtjen e qëndrueshme të një pozicioni të paanshëm, gjatë punës së saj.

Së dyti, procedurat e rikontrollit të autorizohen me pëlqimin e Avokatit të Tatimpaguesve. Aktualisht, këto procedura vendosen vetëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila nuk njofton tatimpaguesin dhe arsyeton në lidhje me urdhërin për rikontroll dhe arsyet e rikontrollit. Metoda aktuale (mbi vlerën e mbetur) nuk reflekton me realitetin ekonomik, duke sjellë një shtrembërim edhe në aspektin e raportimit financiar. Sugjerimi ynë do të ishte aplikimi i metodës lineare në bazë të vlerës historike (pa marrë parasysh amortizimin kontabël) në normat e mëposhtme:

Për ndërtesat 5%

Për linjat teknologjike dhe makineritë 10%

Për pajisje informatike 33.3%

Për të tjerat 20%

10. Sugjerohet që në Ligjin nr. 9975, datë 28/07/2008 “Për Taksat Kombëtare”, taksa për ambalazhet njëpërdorimshe të prodhuara me material të ricikluar nga mbetjet plastike të gjeneruara në vend, të jetë 1 (një) lekë/kg, një vlerë kjo simbolike dhe që mund të përdoret për efekt statistikor.

11. Akciza [pulla fiskale pije dhe duhan të grirë (jo cigare)]. Do të sugjerohej që pulla fiskale të vendosej në magazinën doganore në Shqipëri, për arsyet e mëposhtme:

a. Kosto e punës për vendosjen e pullave fiskale tek ne është më e ulët.

b. Hapja e vendeve të reja të punës.

c. Vendosja e pullës fiskale tek furnitori pengon eksportin, pasi pulla jonë fiskale nuk njihet jashtë vendit dhe produkti duhet zhveshur prej saj. Kjo na çon në humbjen e ekskluziviteteve për Ballkanin.

12. Mendojmë se data 5 e deklarimit të librave të Blerjeve dhe të Shitjeve është shumë e shkurtër dhe krijon vështirësi për shoqëritë. Kjo datë kaq e afërt nuk ka pasur ndonjë efekt në uljen e evazionit në lidhje me lëshimin e faturave fiktive të shitjes. Si rrjedhim, sugjerojmë që kjo datë të njehsohet me deklarimin e TVSH-së, pra edhe deklarimi i librave të Blerjeve dhe të Shitjeve të bëhet në të njëjtën datë me deklarimin e TVSH-së ose të bëhet pas 5 ditësh pune (jo në datën 5 të muajit), ose brenda datës 10, sepse është një kohë e pamjaftueshme në rastet kur fillimi i muajit koinçidon me fundjavën ose me festa zyrtare.

13. Me qëllim përmirësimin e konkurueshmërisë së industrisë vendase si dhe rritjen e atraktivitetit të vendit për investimet e huaja direkte, sugjerohet anullimi i akcizës dhe taksës së karbonit mbi lëndët djegëse, e cila ristrukturon kuadrin ligjor të Komunitetit për taksimin e produkteve të energjisë dhe energjinë elektrike), në rastin kur ato nuk përdoren si lëndë djegëse për mjete motorike apo për ngrohje. Rritja e TVSH-së së aplikueshme për produktet e çimentos dhe/ose aplikimi i një takse tjetër ekuivalente në shitjen e produktit final (çimento), ose anullimi i akcizës ekuivalente dhe taksës së karbonit për sasitë e eksportuara nga prodhuesit vendas dhe aplikimi në import i një detyrimi doganor prej 2.5 – 3 euro/ton.

14. Në fund të nenit 59, të projektligjit për Procedurën Tatimore, të shtohet paragrafi: “Ministria e Financave përcakton me udhëzim se cilat aktivitete do të përjashtohen nga detyrimi për të ndarë në vende të veçanta, të ndarë nga njeri – tjetri, shitjen me shumicë nga ajo me pakicë”.

a. Arsyetimi i disa prej këtyre përjashtimeve qëndron në faktin se numri i artikujve që tregtojnë është me mijëra artikuj. Xhiroja që bën një pikë shitjeje është në bazë të gjithë kësaj shumëllojshmërie, por xhiroja për artikull është shumë e vogël.

b. Një tregues tjetër për ne është mungesa e prodhimit në vend të këtyre mallrave. Kërkesa e kufizuar e tregut për artikull nuk justifikon ngritjen e industrisë prodhuese.

c. Në këto biznese trajtohen edhe disa artikuj të veçantë, në sasira shumë të vogla, që nuk mund të tregtohen nga një pikë pakice, prandaj edhe një konsumator final është i detyruar t’i drejtohet atyre pak pikave shumice që e disponojnë.


Më të lexuarat