Energjia diellore, tre aplikime të reja në MIE për një kapacitet të instaluar prej 105.6 MW
Tre kompani kanë dorëzuar kërkesa pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ndërtimin e impianteve fotovoltaikë me kapacitet total 105.6 MW.
Rritet interesi për energjinë diellore
Aplikimet për ndërtimin e impianteve fotovoltaikë në Shqipëri po shtohen me ritme të shpejta. Këtë herë, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) janë paraqitur tre kërkesa të reja nga kompani të interesuara për të ngritur centrale diellore me një kapacitet të instaluar prej 105.6 MW.
Projektet e reja të prezantuara
Shoqëria “GREEN VOLT” sh.p.k. ka aplikuar për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet 70 MW në Bashkinë Memaliaj. Projekti synon prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, pa qenë objekt koncesioni dhe pa përfituar masa mbështetëse.
Shoqëria “ARMEN SOLAR” sh.p.k. ka dorëzuar një kërkesë për një impiant fotovoltaik me kapacitet të instaluar 30 MW, i cili do të ndërtohet në Njësinë Administrative Armen, Bashkia Selenicë, Qarku Vlorë.
Ndërkohë, “GREEN ENERGY GROUP” sh.p.k. ka aplikuar për ndërtimin e një impianti me kapacitet 5.6 MW në Fshatin Pjetroshan, Bashkia Malësi e Madhe, Qarku Shkodër.
Investime strategjike në rritje
Vetëm pak ditë më parë, pranë MIE u paraqit një tjetër kërkesë për ndërtimin e një parku fotovoltaik në Tropojë me kapacitet 603 MW, një nga projektet më të mëdha të planifikuara deri tani, i cili tashmë ka marrë edhe statusin e investitorit strategjik.
Kërkesat e shumta për të investuar në energjinë diellore janë nxitur nga politikat e diversifikimit të qeverisë, kriza energjetike dhe ndryshimet ligjore në sektor. Megjithëse numri i impianteve që kanë hyrë në prodhim është ende i kufizuar, prodhimi nga burimet e tjera përveç hidrocentraleve po rritet ndjeshëm vit pas viti.
Rritja e prodhimit nga fotovoltaikët
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në tremujorin e dytë të këtij viti, grupi “të tjerë prodhues”, ku përfshihen edhe fotovoltaikët, prodhoi 288 GWh energji elektrike, krahasuar me 125 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përfaqëson një rritje mbi 2.3 herë të prodhimit, duke konfirmuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të energjisë diellore në tregun energjetik shqiptar. /Monitor(https://monitor.al/energjia-diellore-tre-aplikime-te-reja-ne-mie-per-nje-kapacitet-te-instaluar-prej-105-6mw/)