Ekonomia e Eurozonës u rrit me 0.2 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2025
Të dhënat e Eurostat tregojnë një zgjerim më të fortë të ekonomisë së bllokut, i nxitur nga Spanja dhe Franca, ndërsa Gjermania dhe Italia mbetën pas.
Ekonomia e Eurozonës regjistroi një rritje prej 0.2 për qind në tremujorin e tretë të vitit, duke tejkaluar pritshmëritë e ekonomistëve të anketuar nga Reuters që parashikonin një zgjerim prej vetëm 0.1 për qind për periudhën korrik-shtator, sipas të dhënave paraprake të Eurostat. Pas publikimit të këtyre rezultateve, euro u rrit me 0.16 për qind kundrejt dollarit, duke arritur nivelin 1.1618 dollarë.
Spanja dhe Franca udhëheqin rritjen ekonomike
Performanca pozitive e Eurozonës është mbështetur kryesisht nga Spanja dhe Franca. Ekonomia spanjolle u zgjerua me 0.6 për qind në tremujorin e tretë, ndërsa Franca regjistroi një rritje prej 0.5 për qind, shumë më e lartë se pritshmëritë e analistëve për një rritje 0.2 për qind, pavarësisht pasigurisë politike në vend. Nga ana tjetër, Gjermania dhe Italia shënuan stanjacion, duke penguar ritmin e përgjithshëm të rritjes së bllokut.
Krahasimi me tremujorët e mëparshëm
Ekonomia e Eurozonës kishte regjistruar një rritje prej 0.1 për qind në tremujorin e dytë, pas një zgjerimi më të fortë prej 0.6 për qind në tremujorin e parë të vitit. Rezultatet e fundit tregojnë një qëndrueshmëri të papritur të aktivitetit ekonomik, në kushtet e një ambienti të pasigurt global dhe inflacioni të luhatshëm.
BQE-ja nën vëzhgim: A ka përfunduar cikli i uljes së normave të interesit?
Të dhënat pozitive vijnë pak para vendimit të ardhshëm të Bankës Qendrore Europiane mbi politikën monetare, që pritet të bëhet publik të enjten. Sipas pritshmërive, BQE-ja pritet të mbajë normën bazë të depozitave në 2 për qind, pasi e uli për herë të fundit në qershor, në kohën kur inflacioni i Eurozonës arriti objektivin 2 për qind. Megjithatë, norma e rritjes së çmimeve është rritur sërish në 2.2 për qind në shtator, duke e bërë të pamundur një ulje të re të normave në afat të shkurtër.
Matthew Ryan, kreu i Strategjisë së Tregut në kompaninë financiare Ebury, tha se “cikli i uljes së normave të interesit nga BQE-ja duket se ka mbaruar për momentin, me një aktivitet më të fortë biznesi dhe inflacion në rritje që nuk lënë hapësirë për ndryshime të mëtejshme”.
Rritja pozitive dhe faktorët e ardhshëm ekonomikë
Edhe Natasha May, analiste e tregut global në J.P. Morgan Asset Management, theksoi se “të dhënat e fundit të aktivitetit në zonën euro kanë qenë pozitive, përfshirë PMI-të e tetorit dhe vlerësimin e parë të PBB-së për tremujorin e tretë. Rritja surprizuese ka ardhur pavarësisht vështirësive tregtare, me kërkesën e brendshme që mbetet në trend pozitiv.”
Ajo shtoi se nëse inflacioni do të vijojë të moderohet dhe eksportet, veçanërisht ato kineze drejt Eurozonës që janë rritur me 15 për qind në shtator, do të ndikojnë në uljen e çmimeve të energjisë, atëherë mund të ketë sërish ulje të lehta të normave gjatë vitit të ardhshëm. Megjithatë, një euro e fortë dhe forcat dezinflacioniste mund ta mbajnë inflacionin nën parashikimet e BQE-së për vitin e ardhshëm.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






