Secondary Adv

Turizmi, gati projekti i rijetëzimit të kullave në Dibër, Kukës, Shkodër dhe Lezhë

Kullat-shtëpi në katër rajone të vendit pritet t’i nënshtrohen një projekti rijetëzimi që synon të zgjerojë potencialin e turizmit kulturor dhe të trashëgimisë në vend.

Këtë të premte, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit bëri të ditura detaje mbi këtë projekt të konceptuar së bashku me GIZ, që fokusohet tek plani për rijetëzimin e kullave – shtëpi, i përqendruar në këto elementë kryesorë:

 

-Kullat si ruajtëse të identitetit kulturor kombëtar:

Shtëpitë tradicionale – kullë janë një reflektim unik dhe autentik i historisë shqiptare, mënyrës së jetesës dhe arkitekturës. Rindërtimi i tyre luan një rol thelbësor në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe forcimin e identitetit kombëtar, veçanërisht në zonat malore, ku këto tradita janë ende të gjalla.

 

-Kullat dhe përdorimi i qëndrueshëm i trashëgimisë:

Duke rijetëzuar dhe përshtatur kullat për përdorim bashkëkohor (arsimi, turizmi, aktivitetet kulturore), këto struktura historike mund të transformohen nga objekte muzeale statike në elementë dinamikë dhe funksionalë të jetës së përditshme komunitare.

 

-Kullat si mjet për edukimin dhe ndërgjegjësimin kulturor:

Shtëpitë-kullë ofrojnë një mundësi për mësimin e historisë shqiptare, arkitekturës tradicionale dhe vlerave shoqërore. Ato përbëjnë një platformë unike për edukimin e brezit të ri dhe ngritjen e ndërgjegjësimit publik mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

 

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe GIZ Shqipëri synojnë të bashkëpunojnë për zhvillimin e “Programit të Rijetëzimit të Kullave”, një nismë për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe turistik të Shqipërisë së Veriut, përmes trashëgimisë kulturore.

 

Përmes kësaj marrëveshjeje, partnerët angazhohen zyrtarisht për bashkëpunim dhe kontribut në këto fusha:

 

-Restaurimi i shtëpive-kullë dhe konservimi i tyre, me fokus në ruajtjen e integritetit historik, arkitektonik dhe kulturor.

 

-Rijetëzimi i kullave si shtëpi pritëse tradicionale, muze apo qendra kulturore, duke i transformuar ato në asete të turizmit të qëndrueshëm që kontribuojnë në ekonominë lokale, përmirësojnë përvojën e vizitorëve dhe forcojnë identitetin rajonal.

 

-Integrimi i kullave të rijetëzuara në “turin e kullave”, duke i lidhur me operatorë turistikë dhe përvoja të tjera lokale si ecje malore, çiklizëm, agroturizëm, punime artizanale, eksperienca kulinarie etj.

Inkurajimi i bashkëpunimit me institucione publike, autoritete rajonale e lokale, institucione akademike dhe donatorë të tjerë për t’i shtuar vlerë këtij programi.

 

Faza e parë (2025–2026) do të fokusohet në:

 

-Identifikimin e kullave në katër qarqe: Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës

-Hartimin e projekteve tip për secilin qark

-Zhvillimin e programit të plotë për rijetëzimin e kullave, që synon të përfshijë më shumë aktorë publikë apo donatorë të tjerë

 

Faza e dytë (2026–2028):

 

-Restaurimin e kullave (sipas kritereve që do të detajohen në vijim)

-Rijetëzimin e tyre, lidhjen me operatorë turistikë dhe përfshirjen në itinerare

-Zhvillimin e produkteve të tjera turistike rreth kullave. /Monitor(https://monitor.al/turizmi-gati-projekti-i-rijetezimit-te-kullave-ne-diber-kukes-shkoder-dhe-lezhe/)


Më të lexuarat