Secondary Adv

FMN: Kujdes me Paqen Fiskale, mund të minojë drejtësinë për taksapaguesit

Shefja e misionit të FMN-së, tha se “Paqja Fiskale” mund të minojë progresin e bërë deri më tani me administrimin tatimor dhe me drejtësinë.

Me paketën e re fiskale parashikohen dy nisma ligjore për fshirjen e borxheve të vjetra të mbi 10 vite të papaguara nga bizneset në tatime dhe dogana, si dhe marrëveshja e Paqes Fiskale mes tatimpaguesve të mëdhenj dhe administratës tatimore për parapagim të tatimit (i llogaritur me fitimin e vitit të mëparshëm + 18%), kundrejt mosushtrimit të kontrollit ndaj tyre për 1 vit, si dhe rivlerësim të deklaratave kundrejt tatimit 5%.

 

Shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Anke Weber gjatë konferencës për shtyp e pyetur nga gazetarët për nismën e Paqes Fiskale dhe fshirjen e borxheve rekomandoi të bëhet kujdes me zbatimin, pasi disa prej elementëve të tyre mund të minojnë drejtësinë fiskale mes tatimpaguesve.

 

“Kemi parë draftin e fundit të paketës dhe vërejmë se qeveria ka bërë përparim të konsiderueshëm gjatë vitit të fundit në forcimin e administrimit të të ardhurave, në përputhje me këshillat tona. Megjithatë, kemi shqetësimin se disa prej elementeve të propozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale”, nënvizoi ndër të tjera znj. Weber gjatë konferencës për shtyp.

 

Çfarë parashikon Paqja Fiskale

 

Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”.

 

Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë” përcakton fshirjen e plotë të detyrimeve të papaguara në Tatime dhe Dogana deri më 31 dhjetor 2014. Për detyrimet e papaguara të bizneseve në Tatime dhe Dogana deri më 31 dhjetor 2014, llogaritet se do të fshihen borxhe të papaguara mbi 10 vite, në shumën rreth 525 mln euro.

 

Në falje nuk do të përfshihen detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për kontributet drafti përcakton vetëm fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave të krijuara deri më 31 dhjetor 2014. Kategori përfituese do të jenë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi. Në Dogana për borxhin që kërkohet të fshihet peshën më të madhe e zënë gjobat dhe interesat me vlerë 200 mln euro.

 

Përveç fshirjes së plotë të detyrimeve mbi 10 vite të papaguara, drafti parashikon edhe falje të detyrimeve më të reja, por me kushtin të paguhet një pjesë e detyrimit.

 

Për detyrimet që i përkasin periudhës 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjesshme me kushtin nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, pjesa tjetër fshihet. Nëse paguajnë do të paguajnë 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026 me këste mujore, 25% e mbetur fshihet automatikisht. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.

 

Për detyrimet e krijuara nga 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave është e mundur vetëm nëse paguhet plotësisht principali deri më 31 dhjetor 2026. E njëjta skemë zbatohet edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, përfshirë vetëpunësuarit në bujqësi, me kusht që të paguhet 100% e kontributit brenda afatit të përcaktuar.

 

Projektligji përcakton se shuhen dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) për sigurimet shoqërore e shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2024, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi me kushtin që të paguhet 100% kontributi, brenda datës 31.12.2026.

 

Projektligji “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”

 

Projektligji përcakton se bizneset me të ardhura bruto mbi 14 mln lekë që do të hyjnë vullnetarisht në marrëveshje me administratën tatimore për të parapaguar tatim fitimin për 1 vit me të drejtë rinovimi edhe 2 herë do t’u llogaritet mbi një bazë të tatueshme të rritur e përbërë nga fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm plus 18% rritje. Nëse fitimi i vërtetë në fund të vitit tejkalon kufirin (duke llogaritur fitimin e vitit të mëparshëm plus një marzh shtesë prej 18%), mbi këtë shtesë do të paguhet 5%.

 

Përveç parapagimit të tatimit kundrejt mos kontrollit tatimor për 1 vit, bizneset e mëdha që do të lidhin marrëveshjen e Paqes Fiskale me administratën tatimore, gjithashtu do të mundësinë të rideklarojnë pasqyrat financiare të 5 viteve të fundit, kundrejt tatimit 5%.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat