Secondary Adv

Paketa fiskale, Malaj: Nuk është amnisti fiskale, fshihet plotësisht 20 për qind e borxhit tatimor

Ministri i Financave Petrit Malaj prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektligjet e paketës fiskale.

Ministri Malaj deklaroi se paketa e re fiskale, nuk rrit taksat, por përmirëson marrëdhëniet mes tatimpaguesve dhe administratës tatimore.

 

Në lidhje me projektligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë” ministri deklaroi se do të përfitojnë të gjithë tatimpaguesit, përveç rasteve që janë në proces hetimor apo në procese gjyqësore.

 

“Nuk jemi në kushtet e një amnistie fiskale që kërkon 3/5 e votave. Marrëveshja e Paqes nuk ofron siguri juridike nëse të ardhurat vijnë nga burime të dyshimta apo kriminale. Asnjë element i paketës nuk ofron mbrojtje të tillë, por ofron lehtësira dhe na mundëson ne të bëjmë një pastrim të borxheve tatimore dhe doganore, pra borxhe që nuk arrijnë të mblidhen, që janë parashtruar”.

 

Ministri Malaj tha se janë në total 202 mijë tatimpagues që nuk kanë shlyer detyrimet tatimore dhe mbi 60% e tyre janë pasivë, i kanë mbyllur bizneset apo janë çregjistruar.

 

Deri në dhjetor 2024 sipas ministrit Malaj janë 160 mld lekë detyrimi të papaguara në tatime, ku 60% e borxhit përbëhet nga principali dhe 40% përbëhet nga gjoba dhe kamatëvonesa.

 

Detyrimet e papaguara mbi 10 vite, që fshihen totalisht përbën 20% të borxhit.

 

Detyrimi i papaguar nga 5 deri 10 vite përbën gati gjysmën e borxhit rreth 45% të totalit”, nënvizoi Malaj.

 

Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë” përcakton fshirjen e plotë të detyrimeve e papaguara në Tatime dhe Dogana deri më 31 dhjetor 2024.

 

Sipas relacionit, në falje nuk do të përfshihen detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për kontributet drafti përcakton vetëm fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave të krijuara deri më 31 dhjetor 2014. Kategori përfituese do të jenë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi.

 

Përveç fshirjes së plotë të detyrimeve mbi 10 vite të papaguara, projektligji  parashikon  edhe falje të detyrimeve më të reja, por me kushtin të paguhet një pjesë e detyrimit.

 

Për detyrimet që i përkasin periudhës 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjesshme me kushtin nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, pjesa tjetër fshihet. Nëse paguajnë do të paguajnë 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026 me këste mujore, 25% e mbetur fshihet automatikisht. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.

 

Ministri Malaj njoftoi se nga 1 janari 2026 do të hyjnë në fuqi vendimet për ndryshimin e çmimeve të referencës në rrethe si dhe projektligji për rivlerësimin e pronave me tatim të reduktuar.

 

Ai tha se rivlerësimi i ri propozohet për shkak të dinamikës së tregut të pasurive të paluajtshme.

 

“Rivlerësimi i fundit u krye në vitin 2020. Tani po u japim mundësinë qytetarëve të bëjnë rivlerësimin me një normë të reduktuar, sepse kostoja do të ishte shumë më e lartë nëse do të aplikohej tatimi aktual prej 15%”, tha ministri.

 

Projektligjet e paketës të miratuara në parim dhe terësi në Komisionin e Ligjeve 

Paketa fiskale përfshin projektligjet “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”

 

“Për marrëveshjen e paqes fiskale”

 

“Për disa ndryshime në ligjin nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar”

 

Për disa ndryshime në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”

 

“Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.29, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”

 

“Për disa shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”

 

“Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”

 

“Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.

 

Ministri i Financave Malaj prezanton 8 projektligjet e Paketës Fiskale 

Në nisje të prezantimit të 8 projektligjeve të paketës fiskale, ministri i Financave Petrit Malaj duke u ndalur te dy projektligjet më të rëndësishme dhe më të diskutuara, atë për “Marrëveshjen e Paqes Fiskale’’ dhe për “Faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore” tha se me këto nisma nuk po ndërmerret amnisti fiskale.

 

“Këto iniciativa, në jo pak raste  janë bërë shkas edhe për keqinterpretime. Por, e vërteta është shumë e thjeshtë: Ne nuk po ndërmarrim një Amnisti.

 

Nëpërmjet “Paqes Fiskale’’, nuk falim përgjegjësi penale. Nuk garantojmë imunitet për askënd dhe mbi të gjitha nuk i shërbejmë askujt që është nën hetim apo në procese gjyqësore.

 

Ne synojmë të zbatojmë disa masa të domosdoshme, të ngjashme me praktikat e mëparshme dhe që përputhen me standardet për një menaxhim më të mirë tatimor.

 

Gjithashtu me projektligjin e faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore mbyllim kapitullin e borxheve të vjetra të parashkruara. Administrata Tatimore, nga ana tjetër, po vijon punën për të forcuar masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, duke zbatuar masa që shkojnë deri në bllokime të llogarive bankare, konfiskime dhe shitje të aseteve, për të mbuluar detyrimet tatimore”, tha Malaj.

 

Sipas tij Marrëveshja e Paqes Fiskale, e cila do të zbatohet për periudhën 2026-2028, synon korrigjimin dhe rritjen e deklarimeve të rregullta për bizneset që duan të përfshihen në këtë marrëveshje vullnetare.

 

“Marrëveshja parashikon përshkallëzim në ulje të normave tatimore. Përtej një rritje prej 18% të fitimit të tatueshëm, do të aplikohet normë e reduktuar tatimi prej 5%;

 

Subjektet që do të futen në marrëveshje, do të kenë të drejtë të kërkojnë vetkorrigjim për të shkuarën e tyre, nëpërmjet rishikimit të pasqyrave financiare të 3 viteve të fundit, kundrejt pagesës së tatimit të fitimit prej 5%. Ky model është bazuar në disa elementë e parime të Paqes Fiskale, që Italia ka aplikuar në vitin 2018”.

 

Projektligji i faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore, sipas ministrit të Financave Malaj, parashikon fshirjen plotësisht të çdo borxhi që është më i vjetër se 10 vjet.

 

Malaj shpjegoi edhe cila kategori borxhesh do të fshihet me kushte nëse do të paguhet deri 75% e principalit.

 

“Për borxhet me vjetërsi 5 – 10 vjet ofrohet mundësia që, duke marrë në konsideratë edhe gjendjen financiare, kundrejt një pagese të detyrimit tatimor në masën 50% ose në masën 75%, biznesit, t’i falet pjesa tjetër e borxhit, si dhe gjobat e kamatvonesat;

 

Ndërsa për borxhet me vjetërsi nga 0 deri në 5 vjet, do të fshihen gjobat e kamatvonesat, kundrejt pagimit 100% të detyrimit tatimor. (pagesa brenda 31/12/2026)

 

Sikurse e kemi premtuar, ky projektligj iu ofron mundësi bizneseve dhe individëve që të çlirohen nga këto borxhe.

 

“Ritheksoj edhe një herë se me këtë projektligj, ne nuk parashikojmë të falim detyrimet e papaguara të evazorëve që janë në ndjekje penale, ndaj atyre të cilëve ka nisur një hetim tatimor, apo për bizneset që ka një vendim të formës së prerë nga gjykatat.

 

Ndaj ky është shansi i fundit që ne ju japim debitorëve, përpara se sa të hyjnë në fuqi masat shtrënguese për vjeljen e detyrimeve tatimore”.

 

Projektligji për kompensimin 10% të TVSH te fermeri 

Malaj u ndaj edhe projektligji për kompensimin 10% të TVSH te fermeri, duke theksuar se kusht për përfitim është shitja e mallrave me faturë te grumbulluesit dhe përpunuesit.

 

“Përmes këtij projektligj synojmë të mbështesim dhe të lehtësojmë prodhuesin bujqësor dhe blegtoral, nëpërmjet rishikimit të skemës së kompensimit, duke prezantuar një normë dhe procedurë të re, bazuar në praktikat më të mira europiane, të cilat ne i kemi analizuar për një kohë të gjatë.

 

Pra, fermeri do të të kompensohet drejtëperdrejt me një normë prej 10% të vlerës së faturave të shitjes së mallit të tij te grumbullluesi, përpunuesi dhe/apo te agrobiznesi.

 

Kompensimi i shumave do të bëhet nga Administrata Tatimore mbi bazë 6-mujore.

 

Kërkesat do të mund të paraqiten:

 

-brenda datës 31 Dhjetor, për furnizimet e kryera gjatë periudhës Janar-Qershor të vitit përkatës.

-brenda datës 30 Qershor të vitit pasardhës, për furnizimet e kryera gjatë periudhës Korrik-Dhjetor të vitit paraardhës.

 

Ndaj fermerët do të duhet të jenë të kujdesshëm, pasi në mënyrë që të përfitojnë nga kjo nismë, duhet që për çdo produkt, që do të shesin te grumbulluesit, përpunuesit apo edhe te agrobiznesi duhet të marrin fatura të mallrave që kanë shitur.

 

Për vitin 2026 parashikojmë që minimalisht 1.5 miliardë lekë do t’ju mbeten në duar fermerëve. Ndërsa deri në vitin 2027 ky fond i mbështetjes pritet të arrijë në mbi 3 miliardë lekë në vit apo 30 milionë euro në vit”.

 

Rivlersimi i pasurive të paluajtshme me tatim 5% 

Ministri Malaj gjithashtu prezantoi edhe projektligjin “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, që pritet të zbatohet nga viti i ardhshëm së bashku me VKM për çmimet e ndryshuara të referencës në rrethe.

 

“Një tjetër reformë, ajo e Rivlerësimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të përcaktimit të metodologjisë për çmimeve të reja të referencës për të gjithë territorin e vendit

( përjashtuar këtu Tiranën).

 

Jo pa qëllim, Ministria e Financave gjykoi që këto dy nisma të prezantoheshin paralelisht, në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të kishin mundësi të përfitonin nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, duke i përafruar ato me vlerat e tregut, por nga ana tjetër do të kenë mundësinë ta kryejnë këtë rivlerësim me një normë më të reduktuar tatimore në masën 5% nga 15% që është aktualisht”.

 

Nismat për uljen e informalitetit 

Paketa fiskale sipas ministrit Malaj përfshin edhe sisa masa për luftën ndaj informalitetit.

 

“Vendosim për herë të parë detyrimin që bizneset online të publikojnë të dhënat identifikuese (Emri tregtar, NIPT, adresa, etj). Kjo është një masë që ne e konsiderojmë të drejtë dhe të domosdoshme që i shërben mbrojtjes së konsumatorëve.

 

AKEP-i, në rast shkeljesh do të ketë të drejtën për të pezulluar aktivitetin e subjektit që operon online. Pra, japim një mesazh të qartë: Tregu digjital nuk mund dhe nuk duhet të funksionojë më jashtë rregullave të lojës.

 

Paketa gjithashtu adreson fort edhe luftën kundër informalitetit. Kemi ashpërsim të masave për aktivitetet tregtare pa regjistrim gjithashtu është një garanci më shumë në mbrojtje të konkurrencës së ndershme. Nga ana tjetër, kjo ndërhyrje synon të rrisë edhe efektivitetin e Administratës Tatimore në luftën kundër informalitetit, të garantojë një trajtim të barabartë, si dhe të kufizojë hapësirat për abuzim apo shmangie nga përgjegjësia tatimore.

 

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e kësaj pakete është edhe ulja e përdorimit të parasë cash, një synim që qeveria e ka shpallur si prioritet të saj. Ndaj me propozimet që do t’i rendis më poshtë, hedhim hapa konkretë, për ta çuar Shqipërinë në standardet e ekonomive, ku transaksionet janë të gjurmueshme, të sigurta dhe të formalizuara.

 

Në këtë Paketë janë parashikuar 4 masa: 

Bizneset do të lejohen të kryejnë me njëri- tjetrin pagesa cash deri në shumën 100,000 lekë. Mbi këtë shumë, çdo pagesë do të duhet të bëhet përmes bankës.

 

Bizneset do të lejohen të shesin për konsumatorët, mallra dhe shërbime me para në dorë, deri në shumën e 500,000 lekëve. Mbi këtë shumë, çdo shitje do të duhet të realizohet sërish nëpërmjet transaksioneve bankare apo në formë elektronike.

 

Vitin e ardhshëm, brenda datës 30 Maj 2026, çdo biznes që operon në sektorin e turizmit edhe në atë të transportit, përveç pagesave cash, do të duhet të garantojë forma alternative të pagesave elektronike, ku përfshihen pajisjet POS, apo forma të tjera elektronike.

Ndërkohë ky detyrin duhet të përmbushet nga të gjithë bizneset e tjera, brenda datës 31/12/2026.

 

Këto masa do të na shërbejnë, jo vetëm për të reduktuar përdorimin e parasë cash në ekonomi, por edhe për të reduktuar informalitetin.

 

Në të njëjtën kohë, zhvillimi nuk mund të ndodh pa teknologji, pa inovacion dhe pa kulturë. Prandaj paketa sjell lehtësi edhe për kërkimin shkencor, për sportin dhe për kulturën, përfshirë mbështetjen për artistët e huaj që operojnë në vendin tonë. Shqipëria duhet të jetë konkurruese jo vetëm me ekonominë, por edhe në fushën e kërkimit, shkencës dhe sportit”.

 

Ndryshimet e propozuara në projektligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, përfshijnë një sërë masash, lidhur me:

 

Zgjerimin e kategorisë së subjekteve të cilat përfitojnë nga njohja si shpenzim i zbritshëm, sa trefishi i shumës së sponsorizuar, ku shuma e sponsorizuar njihet deri në nivelin 5% të fitimit para tatimit.

 

Përveç ekipeve sportive, propozohet përfshirja edhe e sponsorizimeve për veprimtarinë e federatave sportive, si dhe sportistëve, të cilët kanë fituar tituj për meritë në sport;

 

Njohjen e të ardhurave nga sponsorizimet, si të ardhura të përjashtuara nga tatimi;

 

Rritjen në masën 5% nga 3% që është sot, të shumës së fitimit para tatimit, të njohur për sponsorizime për kërkimin dhe zhvillim.

 

Gjithashtu, në Paketën Fiskale propozohet edhe përjashtimi nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë e investimeve të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtes sociale.

 

Kompensimi për arsimin e fëmijëve nëpërmjet DIVA 

Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se vitin e ardhshëm nga zbatimi i kompensimit për shpenzimet e fëmijëve deri nën 18 vjeç, nëpërmjet deklaratës DIVA efekti financiar llogaritet 15 mln euro.

 

“Duke filluar nga viti i ardhshëm do të fillojë zbatimi i lehtësive të parashikuar në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, që nëpërmjet Deklaratës Individuale të të Ardhurave/DIVA, t’ju vijmë në ndihmë edhe familjeve me fëmijë nën 18 vjeç.

 

Çdo familje që ka në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç, do të ketë të drejtën që të zbresë nga Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave 48.000 lekë për çdo fëmijë.

 

Kjo do të thotë se norma efektive e tatimit që paguhet (raporti i tatimit të paguar mbi të ardhurat bruto)  ulet ndjeshëm.

 

Sipas llogaritjeve paraprake, efekti financiar i kësaj nisme do të jetë 1.5 mld lekë ose 15 milionë euro më shumë në buxhetin e familjeve shqiptare”.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat