Nga falja e mbi 1 mld euro detyrime tek tatimi mbi fitimin, si do të funksionojë Paqja Fiskale
Dy projektligje synojnë fshirjen e detyrimeve të vjetra, lehtësimin e borxheve të reja dhe negocimin paraprak të tatimit mbi fitimin për bizneset e mëdha.

Paketat e “paqes fiskale”, të cilat po debatohen gjerësisht në Kuvend, përfshijnë dy nisma kryesore: amnistinë e detyrimeve tatimore dhe doganore mbi 10 vjet dhe krijimin e një marrëveshjeje të re fiskale, që i lejon bizneset e mëdha të dakordësojnë paraprakisht fitimin e tatueshëm me administratën tatimore. Sipas Ministrisë së Financave, qëllimi është rritja e deklarimit real të fitimeve, shmangia e konflikteve me tatimet dhe ulja e borxheve të pambledhshme.
Si funksionon tatimi i dakordësuar?
Marrëveshja e paqes fiskale synon t’u japë bizneseve me fitim mbi 14 milionë lekë mundësinë të përcaktojnë paraprakisht fitimin e tatueshëm për një vit, me mundësi rinovimi deri në dy vite të tjera. Për t’u përfshirë, bizneset nuk duhet të kenë detyrime të papaguara, të jenë të padënuara me vendim të formës së prerë dhe të mos jenë në hetim për shkelje fiskale.
Formula parashikon që fitimi i vitit të ardhshëm të jetë ai i vitit paraardhës, i rritur me një marzh 18%. Çdo fitim që tejkalon këtë nivel tatohet me normën e reduktuar prej 5%, ndërsa fitimi brenda kufirit tatohet si zakonisht me 15%. Tatimet llogarisin paraprakisht detyrimin dhe e dërgojnë te biznesi për miratim.
Kur ndërpritet marrëveshja?
Marrëveshja mund të anulohet nëse subjekti nuk realizon rritjen prej 18%, nëse pezullon aktivitetin, ka shkelje të përsëritura tatimore ose është në proces riorganizimi. Gjatë vitit të marrëveshjes, administrata nuk ushtron kontroll për tatimin mbi fitimin, duke synuar nxitjen e përmbushjes vullnetare.
Si do të funksionojë fshirja e borxheve?
Projektligji i dytë parashikon fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore bazuar në vjetërsinë e tyre. Borxhet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014 fshihen automatikisht, me përjashtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Vlera e këtyre detyrimeve të falura llogaritet në rreth 1 miliard euro.
Borxhet nga viti 2015 deri në 2024, që arrijnë rreth 844 milionë euro pa përfshirë sigurimet, falen pjesërisht vetëm nëse biznesi paguan një pjesë të detyrimit brenda vitit 2026. Nëse pagesa bëhet menjëherë brenda qershorit të 2026-ës, falen 50%. Në rast të pagesave me këste deri në fund të vitit 2026, falen 25%. Në të dyja rastet, gjobat dhe kamatëvonesat hiqen.
Lehtësitë për borxhet 2020–2024
Detyrimet e krijuara nga janari 2020 deri në dhjetor 2024 përfitojnë fshirje të plotë të gjobave dhe kamatëvonesave, por vetëm nëse detyrimi kryesor paguhet brenda vitit 2026. Këto borxhe, të përfshira me sigurimet shoqërore, arrijnë në 515 milionë euro.
Kush përfiton nga amnistia dhe kush jo?
Rreth 207 mijë biznese parashikohet të përfitojnë nga skema e lehtësimit dhe fshirjes së detyrimeve. Megjithatë, përjashtohen subjektet me vendime gjyqësore të formës së prerë, si edhe ato në hetim për vepra penale fiskale ose doganore.
Burimi: Shqiptarja
Më të lexuarat






