Secondary Adv

Rrjeti TEN-T 2024, Shqipëria po ecën me rrugët, dobët me hekurudhat

Raporti 2024 i Komunitetit të Transportit vlerëson progres në rrugë, por thekson sfida të mëdha në hekurudha dhe porte.

Shqipëria është pjesë e rrjetit të zgjeruar të TEN-T, që lidh infrastrukturën e transportit të Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Europian, dhe sipas raportit të vitit 2024 të Komunitetit të Transportit ka bërë përparime të dukshme në ndërtimin e segmenteve të rrjetit kryesor, megjithëse sfidat infrastrukturore dhe institucionale mbeten të konsiderueshme.

 

Raporti vlerëson progresin në rrugët TEN-T dhe ecurinë më të ngadaltë në hekurudha e transport detar, ndërsa vendi ka përfituar nga Plani Ekonomik dhe i Investimeve i BE-së, por me vonesa në zbatimin praktik të projekteve. Rrjeti shqiptar konsiderohet në përmirësim të vazhdueshëm, por përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së deri në vitin 2040 kërkon investime më të mëdha në mirëmbajtje, zbatim të direktivave europiane dhe koordinim më të fortë rajonal.

 

Rrjeti rrugor TEN-T në përputhje 54 për qind

Komuniteti i Transportit thekson se përputhshmëria e rrjetit bazë rrugor është rritur nga 45 për qind në vitin 2021 në 54 për qind në vitin 2024, me projekte si Thumanë–Kashar, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, që u hap në vitin 2024, si edhe segmentet e Korridorit VIII në Maqedoninë e Veriut që lidhen me Shqipërinë.

 

Aktualisht, 35 për qind e rrugëve të rrjetit bazë janë në gjendje shumë të mirë, 52 për qind në gjendje të mirë dhe 13 për qind në gjendje mesatare. Përmirësimet shoqërohen me projektet për karburante alternative dhe stacione karikimi për automjete elektrike, ndërsa qeveria ka përfshirë në Planin Kombëtar të Integrimit Europian 2024–2026 transpozimin e direktivave të BE-së dhe parashikon miratimin e legjislacionit për Rregulloren (BE) 2023/1804.

 

Portet dhe aeroportet me përputhje të pjesshme

Porti i Durrësit është përfshirë si nyje bazë e TEN-T, ndërsa portet e Vlorës dhe Shëngjinit si pjesë e rrjetit gjithëpërfshirës, me Durrësin që përmbush pjesërisht kërkesat për terminale intermodale dhe infrastrukturë alternative furnizimi, por që ka ende nevojë për përmirësime në menaxhimin e mbetjeve dhe uljen e ndotjes. Në transportin ajror, Aeroporti i Tiranës përmbush standardet bazë të TEN-T dhe lidhja e ardhshme me linjën hekurudhore Durrës–Tiranë konsiderohet një hap pozitiv drejt përputhjes së plotë me kërkesat e reja.

 

Hekurudhat mbeten sektori më i dobët

Segmenti hekurudhor Durrës–Tiranë–Elbasan–Lin–Kërçovë–Shkup, një nga më të rëndësishmit në rajon, ka kaluar në Rrjetin e Zgjeruar Bazë, duke reflektuar rëndësinë që BE-ja i jep lidhjes ndërmjet porteve të Adriatikut dhe atyre të Detit të Zi.

 

Linjat ekzistuese deri në Lin janë të amortizuara, ndërsa segmenti Lin–Kërçovë mungon dhe kërkon ndërtim të ri për përfundimin e korridorit hekurudhor WBEM, me afat deri në vitin 2040. Projekti për linjën Durrës–Tiranë–Rinas, aktualisht në zbatim, është një hap konkret drejt integrimit multimodal, ndërsa raporti thekson se hekurudhat mbeten sektori më i dobët i transportit në Shqipëri.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat