Emigracioni neto në Britani bie në 204 mijë, rënia më e fortë që nga pandemia
Emigracioni neto në Mbretërinë e Bashkuar ra ndjeshëm në 204,000 persona në vitin deri në qershor 2025, sipas shifrave të publikuara nga Zyra e Statistikave Kombëtare (ONS).

Ky është një ulje e thellë nga 649,000 një vit më parë dhe një rënie pothuajse 80% nga rekordi i vitit 2023, kur emigracioni arriti 944,000. Sipas ONS, niveli aktual është më i ulëti që nga periudha e pandemisë.
Rënia e madhe shpjegohet kryesisht nga më pak shtetas jashtë BE-së që hyjnë për punë dhe studime, si dhe nga një rritje graduale e emigrimit. Gjatë periudhës, 898,000 persona emigruan në Britani, mbi 400,000 më pak se një vit më parë, ndërsa 693,000 u larguan. Të dhënat tregojnë se 70,000 më shumë shtetas të BE-së dhe 109,000 më shumë britanikë u larguan sesa erdhën, ndërsa shtetasit jashtë BE-së mbeten grupi i vetëm me emigracion neto pozitiv, me 383,000 persona.
Ekspertët paralajmërojnë se rënia mund të mos zgjasë. Drejtoresha e Migration Observatory, Madeleine Sumption, tha se një pjesë e madhe e largimeve vjen nga shtetas të BE-së që erdhën para Brexit dhe “kjo nuk do të vazhdojë pafundësisht”. Sipas saj, emigracioni neto i vendeve jashtë BE-së mbetet shumë më i lartë se nivelet para Brexit.
Ndërkohë, të dhënat e Ministrisë së Brendshme japin një panoramë më sfiduese për qeverinë. Rreth 110,051 persona kërkuan azil në vitin deri në shtator 2025, niveli më i lartë i regjistruar, ndërsa 51,000 persona hynë përmes rrugëve të paligjshme, 46,000 prej të cilëve me gomone. Sipas shifrave zyrtare, 36,273 azilkërkues po strehohen në hotele, një numër më i lartë se një vit më parë, pavarësisht premtimeve për t’i eliminuar këto akomodime.
Kjo situatë vë në pikëpyetje efektivitetin e masave kundër trafikantëve të Kanalit La Manche. Sipas korrespondentëve britanikë, pavarësisht politikave të reja, shumica dërrmuese e mbërritjeve të paligjshme vazhdojnë të jenë me gomone, me numra ende në dhjetëra mijëra.
Home Office raportoi gjithashtu se 153 emigrantë janë deportuar në Francë në kuadër të marrëveshjes “një brenda, një jashtë”, ndërsa 134 persona të tjerë janë lejuar të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes rrugëve të rregullta të kësaj skeme.
Sekretarja e Brendshme Shabana Mahmood e përshëndeti rënien e emigracionit neto, duke thënë se është “në nivelin më të ulët në pesë vjet” dhe se qeveria po ecën “më tej” me reforma që kërkojnë që emigrantët të “kontribuojnë më shumë nga sa marrin”. Por analistët vërejnë se pjesa më e madhe e rënies vjen nga masat e miratuara nga qeveria konservatore në vitin 2024, çka pritet të ndezë përplasje politike.
Sipas të dhënave më të fundit, emigrimi i shtetasve nga vendet jashtë BE-së është rritur në 286,000 persona, shumica e tyre studentë që po largohen pas përfundimit të studimeve, ndërsa emigrimi për studime ka rënë me 25% dhe hyrjet për punë me 61% krahasuar me një vit më parë.
Në sfond mbeten tensionet rreth sistemit të azilit. Protestat kundër hoteleve të azilkërkuesve janë shtuar, ndërsa një 29-vjeçar nga Eritrea, i strehuar në Leeds, tha për BBC se “e kupton pse njerëzit janë të zemëruar”, por theksoi se Britania ishte “i vetmi vend që e trajtoi si njeri”.
Shifrat e reja i japin qeverisë një moment pozitiv politik, por përbëjnë gjithashtu një test: ulja e emigracionit neto duhet të ruhet, ndërsa sistemi i azilit mbetet nën presion të madh dhe mbërritjet me gomone nuk po tregojnë rënie domethënëse. /Monitor(https://monitor.al/emigracioni-neto-ne-britani-bie-ne-204-mije-renia-me-e-forte-qe-nga-pandemia/)
Më të lexuarat






