AKEP propozon rregullore të re për tregjet që do të analizohen periodikisht
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka përgatitur një projektrregullore të re për analizën e tregjeve.
Projektrregullorja parashikon disa ndryshime në listën e tregjeve që do të analizohen si tregje të mundshme për rregullim parandalues (ex-ante).
Sipas projektrregullores, në këtë listë do të përfshihen tregu me shumicë i aksesit lokal në një vendndodhje fikse; tregu me shumicë i aksesit në kapacitete të dedikuara; tregu me shumicë i terminimit të thirrjeve në rrjetet individuale të telefonisë fikse; tregu me shumicë i terminimit të thirrjeve në rrjetet individuale të telefonisë së lëvizshme.
Krahasuar me rregulloren ekzistuese, të miratuar në vitin 2009, nga lista e tregjeve që do të merren rregullisht në analizë janë hequr tregu me shumicë i origjinimit të thirrjeve në rrjetin telefonik publik të ofruara nga vendodhje fikse; tregu me shumicë i segmenteve terminuese të linjave me qera dhe tregu me shumicë i aksesit broadband.
Ndryshimi i listës së tregjeve të përcaktuar për rregullim ex ante është bërë mbështetur në rekomandimet më të fundit të Komisionit Europian, që i takojnë vitit 2020.
Megjithatë, ashtu si në rregulloren ekzistuese, AKEP rezervon të drejtën të përcaktojë dhe analizojë tregje të tjera, nëse vlerësohet e nevojshme për qëllime rregullimi.
Në vendimin për të marrë në analizë tregjet e tjera, AKEP do të mbështetet te testi i tre kritereve, të përcaktuara nga kuadri rregullator i Bashkimit Europian.
Konkretisht, këto tre kritere janë verifikimi i prezencës së barrierave të larta dhe jokalimtare të hyrjes; verifikimi nëse një strukturë tregu nuk ka tendencë për të shkuar në drejtimin e një konkurrence efektive brenda një afati kohor përkatës dhe vlerësimi nëse aplikimi vetëm i ligjit në fuqi, që rregullon fushën e konkurrencës, është ose jo i mjaftueshëm për të adresuar në mënyrë të përshtatshme dështimin e tregut të marrë në shqyrtim.
Nëse një treg nuk plotëson një nga tre kriteret e mësipërme, AKEP nuk e analizon këtë treg për fuqi të ndjeshme në treg dhe nuk vendos detyrime rregullatore në këtë treg ose anulon detyrimet ekzistuese.
Mbështetur edhe në parashikimet e ligjit të ri “Për komunikimet elektronike”, rregullorja vendos edhe afatet periodike kohore të kryerjes së analizave. AKEP do të kryejë analizën periodike brenda pesë vjetësh nga data e vendimit të mëparshëm për përcaktimin e sipërmarrësve me fuqi të ndjeshme në një treg përkatës; brenda tre vjetësh nga data e ndryshimit të rregullores për përcaktimin e tregjeve përkatëse, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian, për tregjet e pa analizuar më parë; brenda tre vjetësh nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në raste përjashtimore e të justifikuara, afati mund të shtyhet jo më shumë se një vit.
Rregullorja përcakton se gjatë rishikimit të analizës së tregut, AKEP merr parasysh ndryshimet në strukturën e tregut dhe konkurrencën; evolucionin teknologjik dhe zhvillimet e tregut; rekomandimet dhe udhëzimet e Komisionit Europian dhe BEREC (Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike) për analizën e Tregjeve. /Monitor(https://monitor.al/akep-propozon-rregullore-te-re-per-tregjet-qe-do-te-analizohen-periodikisht/)
Më të lexuarat






