Secondary Adv

Drafti, si do të realizohet menaxhimi i mbetjeve spitalore

Qeveria ka hedhur në konsultim publik një projektvendim të ri për menaxhimin e mbetjeve spitalore, i cili pritet të zëvendësojë pas 15 vitesh vendimin aktual.

Nëse miratohet në këtë formë, kuadri i ri ndryshon praktikisht gjithë filozofinë e menaxhimit të mbetjeve spitalore në Shqipëri, duke e lidhur atë me ligjin e ri “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe me katalogun bashkëkohor të klasifikimit të mbetjeve.

 

Nga një rregullore e thjeshtë, te një regjim i plotë standardesh

 

VKM nr. 798/2010 bazohej te ligji për shëndetin publik dhe te ligjet sektoriale për mbetjet e ngurta dhe mbetjet e rrezikshme, duke miratuar një rregullore që përcaktonte procedura bazë për ndarjen, grumbullimin, transportin dhe asgjësimin e mbetjeve spitalore. Objekti ishte relativisht i ngushtë dhe fokusi kryesor ishte “administrimi” i mbetjeve, kryesisht në nivel institucioni shëndetësor.

 

Projektvendimi i ri e zhvendos gjithë sistemin në logjikën e “menaxhimit të integruar të mbetjeve”, në përputhje me ligjin nr. 57/2025, duke e përkufizuar qartë se qëllimi është jo vetëm trajtimi i tyre, por edhe zbatimi i hierarkisë së mbetjeve (parandalim, reduktim, riciklim, trajtim, asgjësim), mbrojtja e mjedisit dhe shëndetit publik.

 

Rikonceptim i termave dhe aktorëve në zinxhir

 

Rregullorja e vitit 2010 jepte një listë përkufizimesh për mbetje infektive, patologjike, farmaceutike, radioaktive, të rrezikshme dhe të parrezikshme, si dhe rolet bazë të “prodhuesit” dhe “zotëruesit” të mbetjeve. Ajo i referohej katalogut të vjetër shqiptar të mbetjeve (VKM nr. 99/2005).

 

Projektvendimi i ri i rifrutëzon të gjithë këta terma, por në një mënyrë shumë më të detajuar dhe të harmonizuar me ligjin 57/2025 dhe me katalogun e mbetjeve sipas VKM nr. 402/2021. Ai sjell edhe kategori të reja si “trajtues i mbetjeve spitalore”, “asgjësues”, “dorëzues” dhe “marrës i mbetjeve”, duke bërë të qartë kush është përgjegjës në çdo hallkë – nga prodhimi te trajtimi final.

 

Po ashtu, hyn një koncept i ri praktik: dallimi mes “prodhuesit të madh” dhe “prodhuesit të vogël” të mbetjeve spitalore, në varësi të sasive që krijojnë (p.sh. spitalet e mëdha, qendrat e hemodializës, etj.). Ky dallim nuk ekzistonte në rregulloren e vitit 2010 dhe i shërben përcaktimit të detyrimeve të ndryshme për plane menaxhimi, raportim dhe kontroll.

 

Ngritja dhe menaxhimi i regjistrit kombëtar

 

VKM 798/2010 i kërkonte çdo prodhuesi të mbetjeve spitalore të regjistrohej në Ministrinë e Mjedisit, të merrte një numër regjistrimi dhe të hartonte një rregullore të brendshme dhe një plan për administrimin e mbetjeve brenda 6 muajsh, të cilat duhej të përditësoheshin çdo tre vjet. Regjistrimet mbaheshin kryesisht në nivel institucioni dhe të impianteve të trajtimit, pa një arkitekturë të qartë kombëtare të të dhënave.

 

Projektvendimi i ri e shndërron këtë në një sistem të plotë planifikimi dhe raportimi: çdo prodhues i madh duhet të përgatisë brenda 3 muajsh një plan të detajuar menaxhimi të mbetjeve, sipas një modeli standard të përcaktuar në shtojcën 9 (pjesa A), ndërsa prodhuesit e vegjël sipas pjesës B të së njëjtës shtojcë. Plani përditësohet të paktën çdo 3 vjet dhe vihet në dispozicion të organeve inspektuese.

 

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ngarkohet të krijojë dhe administrojë një regjistër të veçantë kombëtar për mbetjet spitalore, ku do të mblidhen të dhënat nga prodhuesit, transportuesit, trajtuesit dhe asgjësuesit, me raportim vjetor. Ky mekanizëm mungonte plotësisht në aktin e vitit 2010.

 

Ndarja në burim, ambalazhimi dhe ruajtja

 

Rregullorja e vjetër përcaktonte se prodhuesi duhej të ndante mbetjet e rrezikshme nga ato urbane, t’i ambalazhonte e t’i etiketonte sipas një skeme bazike dhe t’i ruante në kushte të kontrolluara (me disa kërkesa për magazinat, temperaturën, kohëzgjatjen e ruajtjes, etj.), duke vendosur një afat maksimal ruajtjeje 45 ditë për mbetjet infektive përpara trajtimit, si dhe kërkesën për ruajtje në frigorifer për mbetjet organike të ruajtura më shumë se 24–48 orë.

 

Projektvendimi i ri e rrit ndjeshëm granularitetin e kërkesave teknike. Në dokument përcaktohen qartë standardet për qeset, kontejnerët dhe kutitë për instrumente të mprehta, përfshirë kërkesat për rezistencë ndaj shpimit, papërshkueshmëri nga lëngjet, mënyrën e mbylljes, etiketime të detyrueshme në dy gjuhë (“Mbetje spitalore / Clinical waste”) dhe përdorimin e simboleve ndërkombëtare të bio-rrezikshmërisë.

 

Po kështu, standardizohen formularët shoqërues për çdo ngarkesë mbetjesh (me kodin e rrymës sipas seksionit 18 të katalogut të mbetjeve, të dhënat e prodhuesit, sasinë, gjendjen fizike, datat e grumbullimit, emrin e dorëzuesit dhe marrësit, etj.), çka e bën zinxhirin shumë më të gjurmueshëm.

 

Për ruajtjen e përkohshme përcaktohen kërkesa të detajuara për infrastrukturën (materialet e dyshemesë dhe mureve, sistemet e kullimit, mbrojtja nga ujërat, rreziqet biologjike, brejtësit dhe insektet, sinjalistika “biohazard”, rrethimi dhe kufizimi i hyrjes, etj.), të grupuara në një shtojcë të veçantë për ruajtjen e përkohshme.

 

Pra nga një rregjim “orientues” tipik për vitet 2010, kalohet te standarde teknike të modeluara më shumë sipas praktikave evropiane.

 

Transporti, trajtimi dhe asgjësimi: afate më të shtrënguara dhe teknologji të certifikuara

 

Aktualisht, VKM 798/2010 parashikon që mbetjet e rrezikshme të transportohen brenda 45 ditëve nga grumbullimi, që mjetet e transportit të jenë të përshtatshme dhe të mos përdoren për qëllime të tjera, si dhe se impiantet e trajtimit/asgjësimit duhet të respektojnë normat e emetimeve në ajër të përcaktuara në VKM nr. 435/2002 për djegien e mbetjeve të rrezikshme.

 

Projektvendimi i ri e rrit dukshëm nivelin e detajimit dhe të kontrollit: transportuesi është i detyruar t’i dorëzojë mbetjet për trajtim brenda një afati dukshëm më të shtrënguar (brenda 24 orëve nga marrja në dorëzim), duke reduktuar riskun higjieno–sanitar dhe mjedisor nga ruajtja e zgjatur në terren.

 

Ndalohet shprehimisht përzierja e mbetjeve spitalore të rrezikshme me mbetje urbane gjatë grumbullimit, transportit dhe trajtimit, si dhe depozitimi, djegia apo hedhja e tyre në vende të paautorizuara.

 

Proceset e trajtimit dhe asgjësimit duhet të bazohen në teknologji të sigurta për mjedisin dhe “të certifikuara”, duke e lidhur drejtpërdrejt trajtimin me kërkesat më të fundit të legjislacionit mjedisor.

 

Në këtë mënyrë, VKM-ja e re e forcon lidhjen midis sektorit shëndetësor dhe atij të mbrojtjes së mjedisit, duke e bërë trajtimin e mbetjeve spitalore pjesë të pandashme të politikave kombëtare për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme.

 

Kontrolli dhe sanksionet: më shumë transparencë dhe përgjegjësi

 

Rregullorja e vjetër i orientonte inspektimet te Inspektorati i Mjedisit, Inspektorati Sanitar dhe pushteti vendor, duke u referuar për sanksionet te ligjet ekzistuese për inspektoratin sanitar, mbetjet e ngurta dhe mbetjet e rrezikshme, pa ndërtuar një sistem të veçantë raportimi dhe monitorimi për mbetjet spitalore.

 

Projektvendimi i ri e lidh monitorimin e mbetjeve spitalore me programin kombëtar të monitorimit të mjedisit; vendos detyrime të qarta për raportim periodik të prodhuesve, transportuesve dhe trajtuesve te AKM dhe te Ministria e Shëndetësisë; parashikon masa të gradueshme administrative (gjobë, pezullim i veprimtarisë, revokim licencash) për shkeljet e detyrimeve të vendimit, duke specifikuar përgjegjësitë për secilin aktor të zinxhirit.

 

Çfarë pritet për sektorin

 

Neni final i projektvendimit parashikon shprehimisht se, me hyrjen në fuqi të këtij akti të ri, VKM nr. 798, datë 29.9.2010, shfuqizohet. Praktikisht, të gjitha institucionet shëndetësore – publike dhe private – laboratorët, farmacitë, klinikat dentare, qendrat kozmetike, shërbimet funerale, klinikat veterinare, etj., do të duhet të rifreskojnë planet e tyre të menaxhimit të mbetjeve sipas formatit të ri; investojnë në pajisje dhe infrastrukturë që përmbush standardet e reja të ambalazhimit, ruajtjes dhe trajtimit; vendosin sisteme të plota dokumentimi dhe raportimi për çdo kilogram mbetje të rrezikshme që prodhojnë, dorëzojnë dhe trajtojnë.

 

Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat