Nga 1 janari paralajmërohet shtrenjtim i energjisë elektrike në Kosovë
Taksa e re e karbonit që hyn në fuqi në 1 janar pritet të rrisë çmimin e energjisë në Kosovë, ndërsa debatet politike për sektorin energjetik po thellohen dhe importet vijojnë të jenë të larta.

Tatimi i BE-së ndaj produkteve me ndotje të lartë pritet të shtrenjtojë energjinë
Qytetarët e Kosovës mund të përballen me një rritje të re të çmimit të energjisë elektrike që nga 1 janari, si pasojë e taksës së dioksidit të karbonit që zbaton Bashkimi Evropian për produktet me emetime të larta. Meqë rreth 80% e energjisë në vend prodhohet nga termocentralet me qymyr, efekti i taksës pritet të reflektohet drejtpërdrejt në faturat e konsumatorëve dhe në kostot e bizneseve.
Ekspertët paralajmërojnë se ky është vetëm fillimi i ciklit të shtrenjtimit, me mundësi që çmimet të rriten sërish në vitin 2026, pasi tregu energjetik i Kosovës mbetet i varur nga importet dhe nga luhatjet e çmimeve në bursat ndërkombëtare.
Akuzat politike për keqpërdorime dhe mungesë transparence
Rritja e çmimeve ka ndezur përplasjet politike. Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur “hajni” faturimin e energjisë ndaj qytetarëve dhe ka akuzuar ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për mungesë transparence në proceset e importit të energjisë.
Bajrami pretendon se kompania EFT e biznesmenit Vuk Hamoviq ka monopolizuar kapacitetet transmetuese, duke rritur koston që përballojnë konsumatorët. Ministrja Rizvanolli i ka kundërshtuar akuzat, duke theksuar se qeveria nuk licencon kompani energjetike dhe as nuk ndërhyn në tregtimin e energjisë, proces që menaxhohet nga operatorët privatë dhe nga ZRRE.
Ajo shtoi se asnjë nga ndërmarrjet publike apo private nuk ka pasur kontrata me EFT-në gjatë qeverisjes aktuale, ndërsa disa dokumente të publikuara në opinon sipas saj janë interpretuar gabimisht.
Ekonomistët: Shtrenjtimi është i pashmangshëm
Sipas ekspertit Safet Gërxhaliu, rritja e tarifave është e paevitueshme, pasi taksa e karbonit do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin final të energjisë. Ai paralajmëron se efekti zinxhir mund të prekë edhe çmimet e produkteve të tjera bazë.
Edhe drejtues të bizneseve të mëdha paralajmërojnë vështirësi, pasi mbi 1300 ndërmarrje tashmë detyrohen të blejnë energjinë në tregun e hapur, ku çmimet janë shumë më të larta se tarifat rregulluara për amvisëritë.Drejtori i Dhomës së Tregtisë, Kushtrim Ahmeti, tha se shumë kompani prodhuese po humbin konkurrueshmërinë për shkak të kostove të energjisë, situatë që po shoqërohet edhe me humbje të vendeve të punës.
Importet po rriten ndërsa prodhimi vendor bie
Të dhënat e fundit tregojnë se Kosova ka importuar energji me vlerë mbi 114 milionë euro vetëm nga janari deri në nëntor 2024. Prodhimi vendor për periudhën janar–shtator 2025 ishte rreth 972 mijë MWh më i ulët se një vit më parë, ndërsa importet janë rritur me 48%.
Në këtë situatë, ekspertët theksojnë se thelbi i problemit nuk lidhet me vendin e origjinës së energjisë së importuar, por me mungesën e investimeve të reja në kapacitete prodhuese. Luan Shllaku nënvizon se, ndonëse energjia blihet në tregun më të lirë, varësia nga kompanitë tregtare si EFT, GEN-I apo NOA ka ardhur si pasojë e boshllëqeve në prodhim.
Zvarritje në publikimin e planit energjetik
Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka publikuar ende planin vjetor të energjisë për vitin 2025, i miratuar në 7 nëntor. Sipas draftit fillestar, parashikohej prodhim vendor prej 5.58 milionë MWh dhe import prej 1.76 milionë MWh, por rezultatet aktuale tregojnë devijime të mëdha nga këto parashikime.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






