Autoriteti i Konkurrencës në Kosovë thirrje kundër abuzimit me çmimet në prag të festave
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka bërë thirrje për respektim të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës dhe ndalim të çdo rritje të pajustifikuar të çmimeve gjatë festave të fundvitit.

Me afrimin e festave të fundvitit dhe rritjen e kërkesës për produkte dhe shërbime, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës u bën apel të gjitha bizneseve dhe operatorëve ekonomikë që të përmbahen nga çdo rritje e pajustifikuar e çmimeve. Në thirrjen e publikuar në faqen e AKK-së në Facebook thuhet se çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut, kufizimin e konkurrencës apo abuzimin me pozitën e përbashkët dominuese, përbën shkelje të rëndë të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe është subjekt i sanksioneve ligjore.
Monitorim i përditshëm i tregut
Autoriteti ka bërë të ditur se nga fillimi i muajit dhjetor dhe deri në fund të këtij viti, të gjithë inspektorët e Autoritetit të Konkurrencës do të jenë çdo ditë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet dhe rritjet e çmimeve në treg. Në thirrje theksohet se festat e fundvitit nuk duhet dhe nuk do të shfrytëzohen për abuzim me konsumatorët, për rritje të koordinuara të çmimeve apo për praktika që cenojnë konkurrencën e lirë dhe të ndershme.
Thirrje për përgjegjësi dhe respektim të ligjit
AKK-ja u ka bërë thirrje bizneseve që të veprojnë në përputhje të plotë me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve apo sjelljeve të koordinuara dhe të mos abuzojnë me pozitën e përbashkët ose fuqinë e tyre në treg. Sipas Autoritetit, çmimet duhet të reflektojnë kushtet reale të tregut dhe jo marrëveshje të ndaluara, sjellje spekulative apo shfrytëzim të pozitës dominuese.
Të dhënat e ASK-së për rritjen e çmimeve
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës u ka bërë thirrje edhe konsumatorëve që të raportojnë çdo dyshim për rritje të pajustifikuar ose të koordinuar të çmimeve, në mënyrë që të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara në fund të nëntorit, çmimet e produkteve “Made in Kosova” janë rritur për 5.5 për qind gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sektorët me rritjen më të madhe të çmimeve
Sipas ASK-së, rritja më e madhe e çmimeve është shënuar te prodhimi i mjeteve motorike me 23 për qind, energjia elektrike me 20.8 për qind dhe prodhimi i tekstilit me 14.2 për qind. Rritje janë regjistruar edhe në përpunimin e produkteve dhe preparateve farmaceutike me 8.1 për qind, prodhimin e veshjeve me 7.9 për qind, prodhimin e mobilieve me 7.8 për qind, shtypjen dhe riprodhimin e mediave të incizuara me 7.0 për qind, prodhimin e makinerisë dhe pajisjeve p.k.t. me 5.1 për qind, prodhimin e pajisjeve elektrike dhe furnizimin me ujë me nga 5.0 për qind, përpunimin e produkteve ushqimore me 3.1 për qind, prodhimin e letrës me 2.9 për qind, prodhimin e drurit me 0.9 për qind, prodhimin e produkteve minerale jometalike me 0.4 për qind dhe prodhimin e produkteve kimike me 0.1 për qind.
Rënia e fuqisë blerëse në Kosovë
Ish-zëvendësministri në Qeverinë Kurti I dhe doktoranti i ekonomisë, Edison Jakurti, ka publikuar një analizë mbi rënien e fuqisë blerëse në Kosovë, duke shpjeguar dallimin mes vlerës nominale dhe asaj reale të parasë. Sipas tij, ndonëse 100 euro në letër mbeten të njëjta, inflacioni ka bërë që vlera reale e tyre të bjerë ndjeshëm. Jakurti thekson se në vitin 2014, me 100 euro të vitit 2019 mund të bliheshin mallra dhe shërbime në vlerë rreth 105 euro, ndërsa në vitin 2025, 100 eurot e vitit 2019 kanë fuqinë blerëse të vetëm 78 eurove. Ai shton se atë që në vitin 2019 blihej me 100 euro, në vitin 2025 kushton rreth 128 euro, duke nënvizuar se inflacioni e ka gërryer ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve në vitet e fundit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






