Salla: 150 mijë fermerë përfitojnë nga fondet e BE, do përditësojmë regjistrin e fermave
Ministria e Bujqësisë synon përafrimin gradual me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të BE-së, me fokus fermerin, standardet dhe përthithjen e fondeve europiane.

Çelja e Kapitullit 5 dhe reformat në bujqësi
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural gjatë aktivitetit “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, u ndal te çelja zyrtare e Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare të mbajtur më 17 nëntor. Ky grup përfshin Kapitujt 11, 12 dhe 13, të cilët mbulohen nga Ministria e Bujqësisë dhe lidhen drejtpërdrejt me bujqësinë, sigurinë ushqimore dhe peshkimin.
Salla theksoi se këta kapituj janë ndër më dinamikët në procesin e integrimit, pasi kërkojnë jo vetëm përafrim të legjislacionit me Bashkimin Europian, por edhe transformim të thellë dhe modernizim të sektorit bujqësor.
150 mijë fermerë përfitues nga fondet europiane
Në lidhje me Kapitullin 11 dhe Politikën e Përbashkët Bujqësore, ministri deklaroi se fermeri vendoset në qendër të politikave mbështetëse, me synimin për një bujqësi më konkurruese, më të qëndrueshme dhe me më shumë siguri ushqimore. Objektivi, sipas tij, është që rreth 150 mijë fermerë shqiptarë të përfitojnë nga fondet e Bashkimit Europian, përmes pagesave direkte, granteve për investime dhe masave për forcimin e tregut.
Salla sqaroi se kjo mbështetje shoqërohet me kushte të qarta, pasi fermerët duhet të zbatojnë praktikat e mira bujqësore dhe mjedisore, si dhe të respektojnë kërkesat për menaxhimin e fermës dhe aktivitetit të saj.
Përditësimi i regjistrave dhe identifikimi i parcelave
Për të garantuar akses real në fondet europiane, ministri bëri të ditur se në dy vitet e ardhshme do të përditësohet regjistri i fermave dhe regjistri i blegtorisë. Paralelisht, do të ngrihet sistemi i identifikimit të parcelave të tokës, pilotimi i të cilit ka nisur, si një element kyç për transparencën dhe kontrollin e skemave të mbështetjes.
Gjithashtu, duke nisur nga viti i ardhshëm, skema kombëtare e mbështetjes do të përshtatet gradualisht me skemat që aplikohen në vendet e Bashkimit Europian.
Standardet, organizimi dhe platforma EuroAgro Albania
Një tjetër sfidë e rëndësishme, sipas Sallës, është përmbushja e standardeve të cilësisë dhe tregtimit të produkteve bujqësore. Për këtë qëllim, Ministria e Bujqësisë po përgatit një paketë ligjore dhe do të nisë një proces të gjerë komunikimi dhe trajnimi me prodhuesit dhe operatorët e tregut.Ministri theksoi se organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish është elementi që bën diferencën, pasi ndihmon në kapërcimin e problemit të ekonomisë së shkallës dhe rrit ndjeshëm mundësinë për përthithjen efektive të fondeve europiane.
Në këtë kuadër, u prezantua platforma EuroAgro Albania 2025–2030, e cila parashikon një linjë asistence “Numri Blu”, një platformë digjitale informative me asistent virtual në Portalin e Fermerit, si dhe pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime në terren, në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat e ekstensionit.“Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, ‘Bujqësia 2030’ do të kthehet në një standard pune dhe në një treg të ri mundësish për bujqësinë shqiptare,” përfundoi ministri.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






