Ndryshimet në buxhetin 2025: Nga ndihma ekonomike te pushteti vendor, si rialokohen fondet
Rishikimi i fundit i buxhetit 2025 përmes aktit të katërt normativ nuk ndryshon nivelin total të shpenzimeve, por realizon një seri rialokimesh.

Mbrojtja sociale dhe mbështetja për familjet në nevojë
Një nga shtyllat kryesore të ndryshimeve lidhet me mbrojtjen sociale. Shpenzimet korente rriten me rreth 6.9 miliardë lekë, ku një pjesë e konsiderueshme orientohet drejt akordimit të një shpërblimi fundviti prej 15 mijë lekësh për rreth 148,500 përfitues të ndihmës ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre. Efekti financiar i kësaj mase arrin në 2.23 miliardë lekë. Paralelisht, parashikohet që fondet e papërdorura në mbyllje të vitit të transferohen në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve në Bankën e Shqipërisë, për t’u përdorur me vendim të Këshillit të Ministrave.
Shëndetësia dhe bujqësia, përfitues të drejtpërdrejtë
Në sektorin e shëndetësisë, kursimet e brendshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në vlerën 1.76 miliardë lekë, rialokohen për furnizimin me medikamente të QSUT-së dhe spitaleve të tjera publike. Bujqësia përfiton një shtesë prej 2.3 miliardë lekësh, nga të cilat 1.96 miliardë lekë shkojnë për mbulimin e plotë të kërkesave të fermerëve që përmbushin kriteret e skemës mbështetëse për vitin 2025, ndërsa 321 milionë lekë përdoren për dëmshpërblimet e shkaktuara nga gripi i shpendëve.
Infrastruktura, siguria dhe angazhimet ndërkombëtare
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfiton 1.6 miliardë lekë shtesë për kontratat e mirëmbajtjes rrugore dhe për shpronësimet, ndërsa Ministria e Brendshme mbështetet me 1.3 miliardë lekë për shpenzimet e Policisë së Shtetit gjatë sezonit turistik dhe për detyrime nga vendime gjyqësore. Ministria e Mbrojtjes merr 626 milionë lekë për përmbushjen e angazhimeve ndaj NATO-s dhe misioneve jashtë vendit, ndërsa Ministria e Turizmit dhe Kulturës përfiton 847 milionë lekë për aktivitete sportive kombëtare dhe ndërkombëtare.
Rialokime kapitale dhe projekte strategjike
Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm ulen me rreth 3 miliardë lekë për shkak të vonesave në disa projekte, por brenda këtij zëri kryhen rialokime të rëndësishme. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfiton rreth 10 miliardë lekë për avancimin e projekteve strategjike, ku përfshihen investime në transportin rrugor, transportin ajror dhe sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Në këtë kuadër, rreth 4 miliardë lekë alokohen për transportin ajror, përfshirë mbështetjen kapitale për Albcontrol dhe shlyerjen e detyrimeve të saj.
Ambasada në Londër dhe Banka e Zhvillimit
Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme i shtohen rreth 551 milionë lekë, kryesisht për blerjen e godinës së Ambasadës së Shqipërisë në Londër, një investim që synon uljen e kostove afatgjata dhe forcimin e pranisë diplomatike. Ndërkohë, Ministria e Financave përfiton 1 miliardë lekë shtesë për financimin e kapitalit të Bankës Shqiptare të Zhvillimit.
Financimi i huaj dhe mbrojtja
Shpenzimet kapitale me financim të huaj ulen me rreth 1.98 miliardë lekë për shkak të vonesave në disbursime dhe ritmeve më të ulëta të zbatimit. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë përfiton rreth 400 milionë lekë shtesë për infrastrukturën spitalore, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë rreth 430 milionë lekë për projekte ujësjellës-kanalizimesh me financim të huaj. Parashikohen gjithashtu rreth 3.8 miliardë lekë për programin “Forcat e Luftimit”, në funksion të angazhimeve të Shqipërisë ndaj NATO-s.
Pushteti vendor dhe shlyerja e detyrimeve
Në buxhetin e njësive të vetëqeverisjes vendore parashikohet një alokim prej 1.2 miliardë lekësh për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, me synim përmirësimin e stabilitetit financiar dhe disiplinës fiskale. Kjo transfertë shpërndahet sipas peshës së detyrimeve dhe popullsisë, duke përjashtuar Bashkinë e Tiranës, e cila konsiderohet se ka kapacitete më të larta fiskale.
Burimi: ekofin.al
Më të lexuarat






