NAREA kërkon dekretimin pa vonesa të ligjit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme
NAREA i është drejtuar zyrtarisht Presidentit të Republikës me një kërkesë për dekretimin sa më të shpejtë të Ligjit për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme.

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) i është drejtuar zyrtarisht Presidentit të Republikës Bajram Begaj, me një kërkesë për dekretimin sa më të shpejtë të Ligjit nr. 85/2025, datë 12.12.2025 “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”.
Në letrën e saj, NAREA thekson se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e vitit 2025, veçanërisht iniciativat që lidhen me rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me një tatim të korrigjuar, të konsideruara si ndërhyrje të rëndësishme për tregun dhe qytetarët.
Sipas NAREA-s, miratimi i këtij ligji është rezultat i një pune 12-mujore në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave, Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ligjvënësit dhe aktorë të tjerë të përfshirë në proces. Shoqata e cilëson Ligjin nr. 85/2025 jo vetëm si një sukses institucional, por edhe si një lajm të shumëpritur prej më shumë se një viti e gjysmë, që prek drejtpërdrejt rreth 500 mijë familje shqiptare të interesuara për të rivlerësuar pasurinë e tyre sipas vlerës së tregut, si edhe dhjetëra mijëra familje të tjera që shpresojnë për alternativa më të përballueshme strehimi, si efekt i zbatimit të ligjit. Gjithashtu, sipas NAREA ka mbi 5300 Kontrata Premtim Shitje aktive që presin për Rivlerësimin.
Në kërkesën drejtuar Kreut të Shtetit, NAREA shpreh shqetësimin për zgjatjen e procesit të dekretimit, duke theksuar se kjo vonesë po sjell pasoja konkrete, si shtyrja e botimit në Fletoren Zyrtare, vonesa e hyrjes në fuqi përtej datës 1 janar 2026 dhe pamundësia për të nisur përgatitjen e akteve nënligjore.
Sipas shoqatës, kjo situatë po krijon pasiguri dhe tension në sektorin e pasurive të paluajtshme, në një periudhë kur tregu është tashmë nën presionin e faktorëve inflacionistë prej rreth 18 muajsh.
NAREA pranon se ka pasur rezerva të shprehura publikisht lidhur me nivelin e tatimit 5% për banesat dhe mbi zbatueshmërinë e amortizimit prej 1% për çdo vit vjetërsie, por vlerëson se një vonesë e mëtejshme në dekretimin e ligjit do të prodhonte efekte edhe më negative për tregun dhe qytetarët. Në këtë kuadër, shoqata i bën thirrje Presidentit të Republikës që të dekretojë sa më parë ligjin, duke hapur rrugën për botimin në Fletoren Zyrtare, hyrjen në fuqi dhe nxjerrjen e akteve nënligjore për zbatimin e tij.
Njëkohësisht, NAREA kërkon angazhimin e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Qendrën e Botimeve Zyrtare, Ministrinë e Financave dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, për të përgatitur në kohë aktet nënligjore dhe udhëzimin e përbashkët që do të mundësojnë zbatimin praktik të ligjit.
Shoqata thekson se, si një organizatë me shtrirje kombëtare dhe ndërkombëtare, anëtare me të drejta të plota e NAR në SHBA dhe CEPI në Bashkimin Evropian, si dhe udhëheqëse e Task Forcës së Përhershme të Komunikimit me institucionet evropiane në Bruksel, e konsideron këtë ligj një hap të rëndësishëm për stabilitetin dhe transparencën e tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
Burimi: ekofin.al
Më të lexuarat






