Secondary Adv

Mundësi investimi, në 6 janar zhvillohet ankandi i obligacioneve 20-vjeçare

Ministria e Financave do të zhvillojë më datë 6 janar ankandin e parë të obligacioneve 20-vjeçare për vitin 2026. Shuma e obligacioneve që do t’u ofrohen për blerje investitorëve është 1.5 miliardë lekë.

Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit që ofron aktualisht tregu i brendshëm financiar. Rrjedhimisht, ato sigurojnë edhe normat më të larta të kthimit nga investimit mes titujve qeveritarë.

 

Në ankandin e fundit të këtyre instrumenteve, të zhvilluar në muajin shtator 2025, yield-i uniform i pranuar i këtyre instrumenteve u rrit në 6.88%, nga 6.5% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm të këtyre instrumenteve, në muajin qershor.

 

Nga 1 miliard lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand arriti në 1.31 miliardë lekë. Pavarësisht se pro rata (pjesa e pranuar) e kërkesave konkurruese nuk ishte shumë e lartë, në nivelin 49.4%, yield-et u rritën sërish.

 

Këtu ndikoi edhe vendimi i Ministrisë së Financave për ta rritur shumën e emetimit në nivelin maksimal të lejuar, prej 15%. Sipas rregullores së ankandeve, për obligacionet yield-i është uniform me kërkesën më të lartë të pranuar.

 

Deri në mesin e vitit 2025, yield-et e titujve të borxhit të qeverisë shqiptare kishin ndjekur një tendencë rënëse, rënie që ka arritur nivele të paprecedente, e shprehur si marzh në raport me normën bazë të interesit. Në gjysmën e dytë të vitit, siç ishte e pritshme, tregu ndoqi një fazë korrektimi, sidomos në instrumentet me afat më të gjatë maturimi.

 

Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Ato janë një alternativë e mirë sidomos për investitorët institucionalë. Veçanërisht për shoqëritë që administrojnë fonde me horizont afatgjatë, si fondet private të pensionit, obligacionet 20 vjeçare krijojnë mundësi për të pasuruar spektrin e titujve në protofole dhe për të rritur kthimet për anëtarët. Shtimi i instrumenteve të borxhit me maturim afatgjatë krijon më shumë premisa për të zhvilluar tregun dytësor të titujve, për t’i bërë këta tituj më likuidë.

 

Individët apo subjektet e interesuara për të investuar mund të marrin pjesë në ankandet e obligacioneve nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj. Bankat e licencuara për këtë shërbim janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank. Shuma minimale e pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve është 300 mijë lekë.

 

Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand.

 

Obligacionet 20-vjeçare u emetuan për herë të parë në muajin janar të vitit 2025, nëpërmjet një ankandi për testimin e tregut. Kërkesa e kënaqshme nga investitorët bëri që ky instrument të përdorej edhe tre herë të tjera gjatë vitit 2025, ndërkohë që Ministria e Financave do të vazhdojë ta përdorë edhe gjatë vitit 2026.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat