Kompensimi për arsimin e fëmijëve nis nga marsi, si do funksionojë skema e rillogaritjes së tatimit
Nga marsi 2026 prindërit me fëmijë nën 18 vjeç do të përfitojnë rimbursim përmes rillogaritjes së tatimit mbi të ardhurat e vitit 2025.

Prej muajit mars 2026 nis zbatimi i skemës së re të kompensimit për arsimin dhe përkujdesin e fëmijëve, e cila do të realizohet përmes rillogaritjes së tatimit mbi të ardhurat personale të vitit 2025. Për herë të parë, njëri nga prindërit do të ketë të drejtë të zbresë nga të ardhurat vjetore bruto shpenzime të parashikuara për rritjen dhe arsimimin e fëmijëve në ngarkim.
Sipas ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç do të zbriten 48 mijë lekë në vit nga të ardhurat vjetore bruto, ndërsa për shpenzimet e arsimit do të zbriten edhe 100 mijë lekë të tjera në vit, por vetëm për individët me të ardhura vjetore deri në kufirin 1.2 milionë lekë.
Si funksionon rillogaritja e tatimit
Këto shuma nuk janë përfitim i drejtpërdrejtë në cash, por shërbejnë për të ulur bazën vjetore të tatueshme. Tatimi mbi të ardhurat është paguar çdo muaj gjatë vitit 2025, ndërsa në mars 2026, me plotësimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA), tatimi do të rillogaritet duke zbritur shpenzimet për fëmijët.
Pas rillogaritjes, nëse rezulton se tatimi i paguar gjatë vitit 2025 është më i lartë se tatimi i ri i llogaritur, diferenca do t’i kthehet individit si rimbursim. Kërkesa për kthimin e shumës mund të bëhet brenda tre muajve nga dorëzimi i DIVA-s.
Kush përfiton dhe cilat janë kufijtë
Zbritja prej 48 mijë lekësh në vit aplikohet për çdo fëmijë nën 18 vjeç, pavarësisht nivelit të të ardhurave të prindërve. Ndërsa zbritja shtesë prej 100 mijë lekësh për arsimin përfitohet vetëm nga individët me të ardhura vjetore deri në 1.2 milionë lekë.
Në rastin e çifteve bashkëshortore, e drejta për të përfituar zbritjet u takon vetëm prindit me të ardhura më të larta vjetore. Kjo do të thotë se zbritjet nuk mund të ndahen mes të dy prindërve, përveç rasteve kur të ardhurat janë të barabarta.
Shembull praktik i kompensimit
Sipas shembullit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, një individ me të ardhura mujore 70 mijë lekë, ose 840 mijë lekë në vit, ka paguar gjatë vitit 2025 një tatim vjetor prej 62,400 lekësh. Ky individ ka dy fëmijë nën 18 vjeç dhe përfiton zbritje prej 96 mijë lekësh për fëmijët, si dhe 100 mijë lekë për arsimin.
Pas zbritjes së këtyre shpenzimeve nga të ardhurat vjetore, tatimi i rillogaritur rezulton 29,120 lekë. Diferenca mes tatimit të paguar dhe atij të rillogaritur, rreth 33,280 lekë, është shuma që individi ka të drejtë të kërkojë për rimbursim brenda tre muajve nga dorëzimi i DIVA-s.
Dokumentacioni i nevojshëm
Për të përfituar nga kjo skemë, individët duhet të ruajnë dokumentacionin përkatës, përfshirë certifikatën familjare për fëmijët në ngarkim, kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet që vërtetojnë pagesat për arsimin, përfshirë edhe kurset e gjuhëve të huaja.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






