Revolta në Iran, 538 të vrarë dhe 11 mijë të arrestuar, Trump: Gati të ndërhyjmë
Shtypja e protestave në Iran ka marrë përmasa masakre, me qindra viktima, mijëra të arrestuar dhe paralajmërime për përshkallëzim ndërkombëtar.

Protestat masive kundër regjimit iranian kanë hyrë në ditën e pesëmbëdhjetë, ndërsa dhuna e forcave të sigurisë po përshkruhet nga dëshmitarë dhe organizata ndërkombëtare si një masakër ndaj popullsisë civile. Pavarësisht shtypjes së ashpër, rrugët e qyteteve kryesore po mbushen sërish me protestues, në një situatë që gjithnjë e më shumë i ngjan një lufte të hapur mes regjimit dhe qytetarëve.
Sipas organizatave joqeveritare për të drejtat e njeriut, numri i të vrarëve ka arritur në të paktën 538 persona, ndërsa rreth 11 mijë protestues janë arrestuar. Brenda Iranit, burime jozyrtare flasin për shifra edhe më të larta, duke përmendur mijëra viktima. Fondacioni i fitueses së Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, e cila ndodhet ende në burg, raporton për mbi 2 mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur.
Morgjet dhe spitalet në kolaps
Dëshmitë që vijnë nga Teherani dhe qytete të tjera janë tronditëse. Trupat e pajetë transportohen me kamionë drejt morgjeve të mbingarkuara, ku mungon hapësira dhe familjarët kërkojnë mes qeseve të zeza trupat e të afërmve. Spitalet raportojnë mungesë mjekësh, infermierësh dhe pajisjesh, ndërsa mjekët bëjnë thirrje të dëshpëruara për ndihmë.
Interneti dhe komunikimet telefonike vijojnë të jenë të ndërprera në pjesën më të madhe të vendit, por protestuesit po përpiqen të anashkalojnë bllokadën përmes lidhjeve satelitore, për të dërguar pamje dhe dëshmi jashtë Iranit.
Qytete në zi dhe frikë e përgjithshme
Protestat janë përhapur në mbi 100 qytete dhe rajone në të gjithë Iranin. Në shumë zona më të vogla raportohet për dhunë ekstreme, me qytete të tëra në zi. Familjet e viktimave, sipas dëshmive, shpesh detyrohen të heshtin për të marrë trupat e të afërmve, ndërsa në disa raste kërkohen pagesa të mëdha për kthimin e tyre.
Dëshmitarët flasin për të shtëna direkte në kokë nga Garda Revolucionare dhe për infiltrimin e agjentëve mes turmave për të futur protestuesit në kurthe. Frika dhe pasiguria mbizotërojnë, por thirrjet për liri vijojnë të dëgjohen.
Reagime ndërkombëtare dhe paralajmërime
Situata në Iran ka tërhequr vëmendjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara. Presidenti i SHBA-së, deklaroi se vendi i tij është “gati të ndihmojë” protestuesit, duke lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjes. Sipas raportimeve mediatike, në Uashington po shqyrtohen disa opsione, përfshirë sanksione të reja, sulme kibernetike dhe skenarë ushtarakë.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se çdo ndërhyrje amerikane do të pasohet nga sulme ndaj Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane në rajon. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, deklaroi se çdo sulm do të ketë “përgjigje të drejtpërdrejtë dhe të ashpër”.
Protesta më e madhe ndër vite
Protestat nisën si reagim ndaj krizës ekonomike dhe zhvlerësimit të monedhës kombëtare, por janë shndërruar në kundërshtimin më të madh ndër vite ndaj regjimit të Ajatollah Ali Khameneit. Pavarësisht dhunës, qytetarët vijojnë të dalin në rrugë, duke e kthyer Iranin në qendër të vëmendjes globale.
Burimi: Shqiptarja.com
Më të lexuarat






