Secondary Adv

Weber e FMN: Paqja Fiskale ngre shqetësime për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit

FMN paralajmëron se emigrimi, kreditimi i shpejtë në pasuri të paluajtshme dhe skemat fiskale lehtësuese mund të rrezikojnë rritjen afatgjatë dhe stabilitetin financiar.

Ekonomia shqiptare po rritet me ritme më të shpejta se shumica e vendeve europiane, por përballë këtij zhvillimi pozitiv po shfaqen rreziqe strukturore që mund të frenojnë perspektivën afatgjatë. Në një intervistë për “Monitor”, Anke Weber, shefe e misionit të për Shqipërinë, thekson se tkurrja e popullsisë në moshë pune dhe emigrimi i lartë po kthehen në një nga sfidat më serioze për rritjen dhe produktivitetin.

 

Rritja ekonomike dhe rreziqet strukturore

Sipas Weber, Prodhimi i Brendshëm Bruto real pritet të rritet me 3.5% në vitin 2025 dhe rreth 3.6% në vitin 2026, i mbështetur nga konsumi privat, rritja e pagave dhe turizmi. Inflacioni mbetet nën objektivin 3%, kryesisht si pasojë e forcimit të kursit të këmbimit dhe rënies së çmimeve globale. Megjithatë, presionet demografike po thellohen, pasi popullsia në moshë pune është tkurrur ndjeshëm dhe emigrimi rrezikon të përshpejtohet me afrimin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

 

Kreditimi dhe stabiliteti financiar

FMN vlerëson se sistemi bankar shqiptar është i mirëkapitalizuar dhe likuid, por paralajmëron për rreziqe në rritje nga zgjerimi i shpejtë i kreditimit, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme. Një pjesë e konsiderueshme e kredive të reja karakterizohen nga raporte të larta kredi–vlerë dhe shërbim kredie ndaj të ardhurave, çka mund të krijojë cenueshmëri në rast goditjesh ekonomike. Weber vlerëson masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë si të nevojshme dhe në kohë, duke rekomanduar që ato të bëhen pjesë e përhershme e kuadrit makroprudencial.

 

Paqja Fiskale dhe rreziqet për pajtueshmërinë tatimore

Një shqetësim i veçantë i FMN-së lidhet me paketën fiskale të vitit 2026 dhe skemën e ashtuquajtur “Paqja Fiskale”. Sipas institucionit, falja dhe rivlerësimi preferencial i detyrimeve tatimore rrezikon të dëmtojë kulturën e pajtueshmërisë, të minojë përpjekjet për ndërtimin e një sistemi fiskal modern dhe të drejtë, si dhe të ngrejë shqetësime serioze për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. FMN rekomandon që lehtësimet e borxheve të bazohen në rregulla të përhershme, transparente dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

 

Qëndrueshmëria fiskale dhe reformat e nevojshme

FMN vlerëson se pozicioni fiskal i Shqipërisë është aktualisht i qëndrueshëm, me borxhin publik që pritet të bjerë nën 50% të PBB-së deri në vitin 2030. Megjithatë, rritja e shpenzimeve sociale, plakja e popullsisë dhe angazhimet afatmesme kërkojnë përshpejtim të reformave tatimore, zgjerim të bazës së taksave dhe modernizim të tatimit mbi pronën. Digjitalizimi i administratës tatimore dhe kontrollet e bazuara në risk konsiderohen kyçe për rritjen e të ardhurave.

 

Anëtarësimi në BE, një mundësi transformuese

Sipas Weber, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian ofron një mundësi historike për Shqipërinë, duke shërbyer si një spirancë e fortë për reforma në qeverisje, sundimin e ligjit, arsimin dhe klimën e biznesit. Përfitimet potenciale janë të mëdha, por nuk janë të garantuara pa zbatim të vendosur të reformave që rrisin produktivitetin dhe ulin shtysat për emigrim.

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat