Fondet IPARD mbeten të ngrira edhe këtë vit, 5.2 mld lekë për fermerët nga buxheti i shtetit
Buxheti i bujqësisë për 2026 rritet lehtë, ndërsa mungesa e fondeve IPARD vijon të kufizojë mbështetjen për fermerët.
Bujqësia e nis vitin 2026 nën presionin e kushteve të vështira atmosferike, që po dëmtojnë tokat dhe prodhimet bujqësore, ndërkohë që mbështetja buxhetore shënon vetëm një rritje modeste krahasuar me një vit më parë.
Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë për 2026
Shpenzimet e planifikuara për Ministrinë e Bujqësisë për vitin 2026 janë në vlerën e 16.2 miliardë lekëve, nga 15.9 miliardë lekë që ishte buxheti i vitit 2025 pas ndryshimeve me akte normative. Rritja vjetore e buxhetit është rreth 259 milionë lekë, një shtesë e kufizuar për një sektor që vijon të përballet me sfida strukturore.
Skema Kombëtare, 5.2 miliardë lekë për fermerët
Për mbështetjen direkte të fermerëve në prodhimin bujqësor dhe blegtoral, buxheti i vitit 2026 parashikon 5.2 miliardë lekë për Skemën Kombëtare të Mbështetjes. Kjo shumë është më e ulët se mbështetja faktike e vitit 2025, e cila pas ndryshimeve me akte normative arriti në 6.4 miliardë lekë, nga 4.4 miliardë lekë që ishte parashikimi fillestar.
Autoritetet kanë paralajmëruar se edhe këtë vit buxheti mund të rritet gjatë vitit përmes akteve normative, ndërsa po punohet për rishikimin e Skemës Kombëtare, për ta përshtatur më mirë me nevojat reale të fermerëve. Në fokus pritet të jetë edhe skema e naftës bujqësore.
Kompensimi 10% për faturat e fermerëve
Gjatë vitit 2026 do të zbatohet për herë të parë kompensimi prej 10% për faturat që fermerët marrin nga grumbulluesit, agroturizmat apo bizneset e tjera ku shesin produktet e tyre. Ky përfitim do të aplikohet vetëm për fermerët që janë të regjistruar me NIPT në administratën tatimore, ndërsa ata me NIPT në QKB do të trajtohen si tregtarë dhe nuk do të përfitojnë nga kjo skemë.
Fondet IPARD vijojnë të jenë të pezulluara
Bujqësia e nis vitin e ri pa mbështetjen e fondeve IPARD, të cilat vijojnë të jenë të pezulluara që prej vitit 2023. Gjatë diskutimeve për buxhetin 2026, autoritetet shqiptare kanë deklaruar se fondet IPARD pritet të zhbllokohen gjatë këtij viti, por deri tani nuk ka një vendim zyrtar nga Komisioni Evropian.
Në një përgjigje zyrtare, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se procedura dypalëshe me autoritetet shqiptare është ende në vazhdim, me qëllim garantimin e mbrojtjes së fondeve të Bashkimit Evropian. Çdo shumë e konstatuar si e shpenzuar padrejtësisht në kuadër të IPARD II do të duhet të kthehet në buxhetin e BE-së.
Auditimi dhe kushtet për zhbllokimin e fondeve
Sipas Komisionit Evropian, qeveria shqiptare ka kontraktuar një auditim të jashtëm për të shqyrtuar përdorimin e fondeve IPARD II dhe funksionimin e sistemit të menaxhimit dhe kontrollit. Autoritetet shqiptare janë duke analizuar rekomandimet e auditimit dhe masat korrigjuese që duhen marrë, ndërsa nuk ka ende afate konkrete për zhbllokimin e fondeve prej 112 milionë eurosh.
BE thekson se mbështetja për bujqësinë shqiptare do të vijojë vetëm nëse garantohen standarde strikte të menaxhimit dhe mbrojtjes së interesave financiare të taksapaguesve europianë.
Bujqësia, sektor me peshë në rënie në ekonomi
Të dhënat tregojnë se në dekadën e fundit pesha e bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto është tkurrur me rreth 4 pikë përqindje, ndërsa edhe gjatë vitit 2025 sektori ka dhënë kontribut negativ në rritjen ekonomike. Pavarësisht kësaj, bujqësia mbetet sektori me numrin më të madh të të punësuarve në vend, me rreth 432 mijë persona.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






