Rriten çmimet, bie fuqia blerëse: Inflacioni në Kosovë 3.9 për qind në 2025
Gjatë vitit 2025, inflacioni mesatar në Kosovë arriti 3.9 për qind, duke rënduar koston e jetesës.

Inflacioni vjetor dhe ecuria e çmimeve
Gjatë vitit 2025, qytetarët e Kosovës u përballën me një tjetër valë shtrenjtimesh që ndikoi ndjeshëm në fuqinë blerëse. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit u rritën mesatarisht me 3.9 për qind krahasuar me vitin 2024. Indeksi i Çmimeve të Konsumit në dhjetor 2025 ishte 5.3 për qind më i lartë se në dhjetorin e vitit paraprak, ndërsa inflacioni mujor, që mat ndryshimin mes nëntorit dhe dhjetorit, arriti në 0.7 për qind.
Produktet dhe shërbimet që u shtrenjtuan më shumë gjatë vitit
Indeksi i përgjithshëm i çmimeve u ndikua kryesisht nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazë. Krahasuar me vitin 2024, rritja më e lartë u regjistrua te kafeja, çaji dhe kakaoja me 15.2 për qind, shërbimet e lidhura me pajisjet personale të transportit me 11.6 për qind, pemët me 11.5 për qind, energjia elektrike me 11.4 për qind dhe mishi me 11 për qind. Po ashtu, pushimet e organizuara u shtrenjtuan me 10.3 për qind, mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve me 9.2 për qind, vajrat dhe yndyrat me 8.4 për qind, ndërsa qumështi, djathi dhe vezët me 7.2 për qind.
Rritje të ndjeshme shënuan edhe shërbimet hoteliere me 7.0 për qind, shërbimet ambulantore me 6.3 për qind, perimet me 5.9 për qind, pijet alkoolike me 5.3 për qind dhe mallrat për mirëmbajtjen e ekonomive shtëpiake me 5.2 për qind. Sipas ASK-së, ndikim të rëndësishëm patën edhe gazetat, librat dhe materialet për zyra, ujërat dhe pijet joalkoolike, pajisjet terapeutike, kujdesi personal, pajisjet për shtëpi e kopsht, duhani si dhe buka dhe drithërat.
Rritja e çmimeve në dhjetor 2025
Vetëm në dhjetor 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, rritja e çmimeve u dominua nga pemët me 19 për qind, energjia elektrike me 18.3 për qind, shërbimet e transportit personal me 18.1 për qind, mirëmbajtja e automjeteve me 14.7 për qind, mishi me 14.4 për qind dhe pushimet e organizuara me 13.5 për qind. Gjithashtu u shtrenjtuan ndjeshëm lëndët djegëse si druri dhe peletët, kafeja, çaji dhe kakaoja, produktet e qumështit, shërbimet ambulantore, shërbimet hoteliere dhe duhani.
Shërbimet, energjia dhe ndikimi mujor
Krahasuar me muajin nëntor, çmimet e konsumit në dhjetor u rritën me 0.7 për qind. Kjo rritje u ndikua kryesisht nga energjia elektrike, biletat e fluturimeve, lëndët djegëse për ngrohje, perimet, biletat e transportit rrugor, veshjet dhe mishi. Rritje më të vogla u shënuan edhe te qumështi, djathi dhe vezët, mallrat për mirëmbajtjen e ekonomisë shtëpiake, si dhe mobiliet dhe orenditë, të cilat së bashku kontribuan ndjeshëm në indeksin e përgjithshëm.
Rënia e vetme e çmimeve
Në të kundërt, ulje e çmimeve u vërejt vetëm te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet personale të transportit. Në nivel vjetor, kjo kategori shënoi rënie deri në 4.6 për qind, ndërsa në dhjetor, krahasuar me muajin paraprak, rënia ishte 1.3 për qind, duke zbutur lehtë rritjen e përgjithshme të inflacionit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






