Pa masa, ndryshimet e klimës do të krijojnë 17 mld USD humbje në bujqësi
PNUD paralajmëron pasoja të rënda për bujqësinë dhe pyjet nëse nuk zbatohen masa urgjente përshtatjeje.

Projeksionet klimatike për Shqipërinë
Sektori i bujqësisë dhe ekonomia e vendit pritet të përballen me humbje që mund të arrijnë deri në 17 miliardë dollarë deri në vitin 2050, si pasojë e ndryshimeve klimatike, sipas skenarëve të zhvilluar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në kuadër të Planit Kombëtar të Përshtatjes ndaj Klimës. Projeksionet kombëtare tregojnë se klima në Shqipëri do të ndryshojë ndjeshëm, me rritje të temperaturave, ulje të reshjeve dhe shtim të ngjarjeve ekstreme.
Sipas dokumentit, temperaturat mesatare vjetore pritet të rriten me rreth 2 gradë, ndërsa temperaturat maksimale deri në 2.8 gradë. Reshjet vjetore parashikohet të bien me 5.8%, niveli i detit të rritet me rreth 28 centimetra dhe numri i ditëve me reshje ekstreme të arrijë në 16 në vit. Po ashtu, vendi mund të përballet me katër valë të forta të nxehtësisë dhe rreth 16 ditë shumë të ftohta çdo vit.
Ndikimi në bujqësi dhe pyje
Këto ndryshime pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të rëndë mbi sektorin e bujqësisë dhe pyjeve, të cilët përbëjnë shtylla kryesore të ekonomisë shqiptare. Bujqësia, përfshirë blegtorinë, punëson rreth një të tretën e fuqisë punëtore dhe kontribuon me rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pyjet mbulojnë rreth 39% të territorit të vendit, por kanë humbur rreth 334 mijë hektarë që nga viti 1938 për shkak të prerjeve të paligjshme, zjarreve dhe menaxhimit të dobët.
Sektori bujqësor është kryesisht familjar, me rreth 85% të fermave që kanë mesatarisht vetëm 1.2 hektarë sipërfaqe, çka kufizon ndjeshëm produktivitetin dhe aftësinë për t’u përshtatur ndaj goditjeve klimatike. Bimët, veçanërisht drithërat dhe perimet, konsiderohen më të rrezikuara sesa blegtoria, ndërsa te kjo e fundit gjedhi dhe kuajt janë më të ndjeshëm ndaj temperaturave ekstreme dhe mungesës së ujit.
Kostoja e masave të përshtatjes
Për të përballuar këto sfida, vetëm për sektorin e bujqësisë parashikohet zbatimi i 66 masave konkrete, me një kosto totale prej rreth 9.8 miliardë dollarësh. Këto masa synojnë kryesisht përmirësimin e sistemeve të ujitjes, menaxhimin më efikas të burimeve ujore, restaurimin e tokave dhe ekosistemeve për të parandaluar përmbytjet dhe erozionin, si dhe mbrojtjen e fermerëve përmes sigurimeve dhe fondeve të kompensimit.
Gjithashtu, ndërhyrjet përfshijnë programe të pyllëzimit dhe agropylltarisë, forcimin e sistemeve kundër zjarreve, menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe promovimin e financimit të qëndrueshëm për këtë sektor, në mënyrë që të reduktohet vulnerabiliteti i ekosistemeve.
Rreziku i humbjeve pa ndërhyrje
Ekspertët e PNUD paralajmërojnë se nëse këto masa nuk zbatohen, humbjet ekonomike nga ndryshimet klimatike mund të tejkalojnë 17 miliardë dollarë deri në vitin 2050. Ndërhyrjet e propozuara synojnë të rrisin qëndrueshmërinë e ekosistemeve, të mbështesin rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe të jenë në përputhje me objektivat globale për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






