Secondary Adv

NATO rrit praninë ushtarake në Groenlandë, Trump këmbëngul: Duhet të jetë e jona

Gjermania, Franca, Suedia dhe Norvegjia rrisin praninë ushtarake në Groenlandë, ndërsa SHBA-ja shton presionin.

Trump: Groenlanda është jetike për sigurinë e SHBA-së

“Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare. NATO bëhet shumë më e fortë dhe më efektive me Groenlandën në duart e Shteteve të Bashkuara. Çdo alternativë tjetër është e papranueshme.” Me këto fjalë të publikuara në rrjetin e tij Truth Social, Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur më tej presionin mbi Danimarkën dhe Groenlandën, pak orë përpara samitit të zhvilluar në Uashington mes zëvendëspresidentit JD Vance, sekretarit të Shtetit Marco Rubio, ministrit të Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen dhe homologes groenlandeze Vivian Motzfeldt. Takimi zgjati rreth 50 minuta, më shumë nga sa ishte planifikuar, ndërsa ende nuk është bërë e ditur nëse u arrit ndonjë marrëveshje konkrete për të ardhmen e ishullit arktik.

 

Trump e ka quajtur Groenlandën “jetike për Golden Dome që po ndërtojmë”, duke paralajmëruar se nëse SHBA-ja nuk vepron, atëherë Rusia ose Kina mund të përpiqen të marrin kontrollin. “NATO duhet të na hapë rrugën për ta marrë. Nëse nuk e bëjmë ne, do ta bëjnë Rusia ose Kina”, ka deklaruar ai, duke i lidhur pretendimet e tij me argumente të sigurisë kombëtare.

 

Mesazhe provokuese dhe paralajmërime për veprime konkrete

Pas përfundimit të takimit, në profilet zyrtare të Shtëpisë së Bardhë u publikua një post provokues me mesazhin “Në cilën anë je, njeri i Groenlandës?”, i shoqëruar me një imazh simbolik që paraqiste dy slita tërhequr nga qen. Trump e kishte rritur më herët tonin edhe më tej duke shkruar se “dy slita me qen nuk mjaftojnë” dhe se vetëm SHBA-ja mund të garantojë sigurinë e Groenlandës.

 

Komisioneri për Arktikun i administratës amerikane, Thomas Dans, ka deklaruar se pritet një “nismë konkrete” nga SHBA-ja brenda javësh ose muajsh, duke theksuar se do të ketë një proces për të fituar besimin dhe mbështetjen e popullit të Groenlandës, edhe pse kjo kërkon kohë dhe angazhim.

 

Danimarka dhe Groenlanda rrisin praninë ushtarake me aleatët

Në të njëjtën kohë, Danimarka dhe Groenlanda kanë njoftuar se do të rrisin praninë e tyre ushtarake në ishull në bashkëpunim me aleatët e NATO-s, si pjesë e angazhimit për forcimin e sigurisë në Arktik. Ministria daneze e Mbrojtjes ka bërë të ditur se prania do të përfshijë avionë, anije dhe trupa tokësore, përfshirë personel nga vende aleate.

 

Në deklaratë përmenden konkretisht Gjermania, Franca dhe Norvegjia si vende që do të dërgojnë trupa, ndërsa Suedia ka konfirmuar tashmë dërgimin e personelit ushtarak në Groenlandë me kërkesë të Danimarkës. Ky zhvillim e përshkallëzon më tej përplasjen mes SHBA-së, Danimarkës dhe autoriteteve lokale të Groenlandës.

 

Kundërshtimi i fortë i Danimarkës dhe Groenlandës

Qëndrimi i Kopenhagës dhe Nuuk-ut mbetet i pandryshuar. Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, ka deklaruar se vendi i tij “nuk dëshiron të jetë as i zotëruar dhe as i qeverisur nga Shtetet e Bashkuara”, duke shtuar se Groenlanda zgjedh Danimarkën përpara SHBA-së. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka pranuar se situata është jashtëzakonisht e vështirë dhe se presioni amerikan është i papranueshëm për një vend aleat.

 

Sipas autoriteteve daneze, një zgjidhje e mundshme për të shmangur përshkallëzimin do të ishte zgjerimi i Marrëveshjes së Mbrojtjes së vitit 1951 mes SHBA-së dhe Danimarkës, duke rritur ndjeshëm praninë ushtarake amerikane pa cenuar sovranitetin danez. Megjithatë, një imponim i sovranitetit amerikan me forcë do të përbënte, sipas Frederiksen, “fundin e gjithçkaje”.

 

Reagime nga Evropa dhe NATO

Reagime të forta kanë ardhur edhe nga liderët evropianë. Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se një shkelje e sovranitetit të Groenlandës do të sillte “pasoja zinxhir të paprecedenta”, ndërsa Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë theksuar se çdo përpjekje për të minuar integritetin territorial të Danimarkës dhe Groenlandës përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

 

Autoritetet ushtarake daneze kanë konfirmuar se nga sot do të ketë prani të shtuar të forcave ushtarake brenda dhe rreth Groenlandës, me rritje të pajisjeve ajrore, detare dhe të trupave tokësore, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e NATO-s.

 

Burimi: Corriere della Sera


Më të lexuarat