Trump: Bordi i Paqes mund të zëvendësojë OKB, do Të gjej zgjidhje për Groenlandën
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se do të gjendet një zgjidhje për Groenlandën dhe hodhi idenë se Bordi i Paqes mund të zëvendësojë Kombet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, teksa u shënua një vit nga rikthimi i tij në postin e presidentit. Konferenca u mbajt në një moment kur Trump përballet me kritika nga udhëheqësit evropianë për ambiciet e tij ndaj Groenlandës dhe përpara udhëtimit të tij drejt Davosit, ku pritet të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.
Fjalimin e tij, Trump e nisi me politikat e emigracionit, duke theksuar se në shtetin e Minesotës janë ndaluar rreth 10 mijë persona pa dokumente, të cilët ai i përshkroi si “kriminelë dhe emigrantë ilegalë”. Sipas tij, administrata që ai drejton ka bërë më shumë se çdo administratë tjetër deri më tani.
“Ne kemi bërë më shumë se çdo administratë tjetër deri më tani në aspektin ushtarak, në aspektin e përfundimit të luftërave. Askush nuk ka parë diçka të tillë”, u shpreh Trump.
Venezuela dhe kritikat ndaj OKB-së
Trump përmendi shkurtimisht edhe çështjen e Venezuelës, duke lavdëruar udhëheqësen e opozitës Maria Corina Machado. Ai deklaroi se do të donte ta përfshinte atë në udhëheqjen e vendit, pas largimit nga pushteti të presidentit Nicolas Maduro.
“Tani po e dua Venezuelën. Ata kanë punuar shumë mirë me ne. Një grua jashtëzakonisht e sjellshme bëri diçka të pabesueshme dhe ndoshta mund ta përfshijmë në ndonjë mënyrë”, tha Trump.
Gjatë konferencës, presidenti amerikan hodhi idenë se Bordi i Paqes, i formuar për administrimin e Gazës, mund të zëvendësojë Kombet e Bashkuara, duke e cilësuar OKB-në si joefektive.
“OKB-ja thjesht nuk ka qenë shumë e dobishme. Unë jam një adhurues i madh i potencialit të saj, por ajo kurrë nuk e ka përmbushur potencialin. Duhej të kishte zgjidhur të gjitha luftërat që unë zgjidha”, u shpreh Trump.
NATO dhe Groenlanda
Trump foli gjithashtu për NATO-n, duke deklaruar se Aleanca Veri-Atlantike nuk do të ishte asgjë pa Shtetet e Bashkuara. Ai theksoi se SHBA shpenzon shuma të mëdha për NATO-n dhe kërkoi trajtim të drejtë nga aleatët.
“Bëra më shumë për NATO-n sesa çdo person tjetër, i gjallë a i vdekur. Por frika ime e madhe është nëse ata do të vinin apo jo për të na ndihmuar në rast nevoje”, tha Trump.
Sa i përket Groenlandës, presidenti amerikan deklaroi se do të gjendet një zgjidhje që do të pranohet nga SHBA dhe NATO, pavarësisht kundërshtimeve të deritanishme nga populli groenlandez.
“Nuk kam folur ende me ta, por kur të flas, jam i sigurt se do të jenë të emocionuar. Mendoj se do të gjejmë një zgjidhje ku NATO dhe SHBA do të jenë shumë të lumtura”, theksoi Trump.
Ai shtoi se ka planifikuar disa takime në ditët në vijim për të diskutuar çështjen e Groenlandës, ndërsa bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në samitin e G7, të thirrur nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Burimi: Shqiptarja
Më të lexuarat






