Secondary Adv

500 mln euro për e-qeverisjen në 4 vjet, rekord punonjësish në administratë, por sistemi nuk punon

Fondet dhe punonjësit në administratë janë në nivele rekord, por qytetarët dhe bizneset po përballen me dështime të sistemeve.

Numri i punonjësve dhe fondet për administratën publike janë rritur në nivele rekord gjatë vitit 2025, ndërsa paralelisht qeveria ka shtuar me shpejtësi financimet për qeverisjen digjitale. Megjithatë, muajt e fundit qytetarët dhe bizneset po përballen me vështirësi të shtuara në aksesimin e shërbimeve publike, për shkak të problemeve të shpeshta të sistemeve elektronike.

 

Në vitin 2014, fondet për paga dhe kontribute për punonjësit e shtetit ishin rreth 71.4 miliardë lekë, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin publik ishte rreth 163 mijë persona. Njëmbëdhjetë vite më vonë, në vitin 2025, administrata publike numëron rreth 184 mijë punonjës dhe shpenzimet buxhetore për personelin janë rritur në rreth 129 miliardë lekë. Vetëm nga viti 2024 në 2025, numri i punonjësve në sektorin shtetëror është zgjeruar me 12.7 për qind, ndërsa shpenzimet për ta janë rritur me rreth 80 për qind.

 

Investimet në digjitalizim

Rritja nuk ka qenë vetëm në numrin e punonjësve dhe fondet për paga. Paralelisht, investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar ndjeshëm gjatë gjashtë viteve të fundit. Në vitin 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit trefish brenda një viti, duke arritur në 20.1 miliardë lekë, nga rreth 3.3 miliardë lekë në vitin 2019. Në total, për një periudhë katërvjeçare, fondet për e-qeverisjen kapin vlerën 48.4 miliardë lekë, ose gati 500 milionë euro.

 

Qeveria e ka paraqitur digjitalizimin si një nga shtyllat kryesore të modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

 

Problemet e e-Albania dhe ndikimi te bizneset

Pavarësisht këtyre investimeve, shërbimet publike digjitale kanë shfaqur probleme serioze funksionimi gjatë muajve të fundit. Platforma kryesore e shërbimeve elektronike, e-Albania, është përballur me ndërprerje të shpeshta, vonesa dhe pamundësi aksesimi, duke krijuar vështirësi reale në marrjen e dokumenteve, kryerjen e procedurave administrative dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.

 

Bizneset janë ankuar vazhdimisht se shpesh nuk arrijnë të hyjnë në sistemin self care, përmes të cilit mund të verifikojnë faturat e blerjes dhe shitjes, të kryejnë fiskalizimin e importeve apo të lëshojnë fatura pa pasur nevojë për programe shtesë. Ekonomistët theksojnë se, në momente kur sistemi nuk funksionon, aktiviteti i bizneseve paralizohet, mallrat nuk mund të lëvizin dhe punonjësit mbeten në pritje, pa pasur asnjë informacion se ku mund të ankohen apo kur do të zgjidhet problemi.

 

Sipas përfaqësuesve të bizneseve, situata është bërë e përsëritur dhe po kthehet në një pengesë serioze për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik, ndërsa mungon përgjegjësia institucionale për dëmet, orët e humbura të punës dhe të ardhurat e munguara.

 

Hendeku mes investimeve dhe funksionimit real

Ekspertët e teknologjisë vlerësojnë se rritja e shpejtë e investimeve në teknologji nuk është shoqëruar gjithmonë me forcim proporcional të kapaciteteve teknike dhe njerëzore për mirëmbajtjen, sigurinë dhe testimin e sistemeve. Një pjesë e projekteve digjitale janë ndërtuar në mënyrë fragmentare, pa integrim të plotë dhe pa testime të mjaftueshme nën ngarkesë të lartë përdorimi.

 

Problemet e fundit kanë nxjerrë në pah hendekun mes investimeve financiare dhe funksionimit real të administratës publike. Vetëm në vitin 2025, administrata dhe e-qeverisja kanë marrë rreth 149 miliardë lekë, afërsisht 1.5 miliardë euro, ose rreth 18 për qind të shpenzimeve buxhetore totale, një nivel 108 për qind më i lartë krahasuar me vitin 2014.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat