Secondary Adv

Fatura e dëmeve të përmbytjeve mund të arrijë deri në 300 milionë euro

Përmbytjet e janarit kanë shkaktuar dëme të rënda në bujqësi, banesa dhe infrastrukturë në gjithë vendin.

Me rreth 12 mijë hektarë tokë bujqësore të përmbytur, vlera e dëmit në bujqësi, e përllogaritur nga prodhimi me shumicë deri te çmimet e tregut, varion nga 14 deri në 30 miliardë lekë, ose deri në 300 milionë euro, sipas vlerësimeve paraprake të ekspertëve.

 

Të dhënat e posaçme nga burime brenda Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se përmbytjet e fundit në nivel kombëtar kanë dëmtuar rreth 3,598 hektarë drithëra, rreth 3,148 hektarë foragjere, rreth 4,151 hektarë kultura të tjera bujqësore, 480 hektarë perime dhe luleshtrydhe kryesisht në serra, si dhe rreth 790 hektarë pemë frutore, vreshta dhe ullinj. Mbi 1,570 banesa janë dëmtuar, ndërsa infrastruktura e transportit ka pësuar gjithashtu dëme të konsiderueshme.

 

Dëmet në ferma dhe zhgënjimi i fermerëve

Dy hektarë serra të shkatërruara, rreth 40 mijë euro investime të humbura dhe mbi 100 mijë euro prodhim që nuk do të dalë kurrë në treg përbëjnë faturën e fermës së Mirlind Saraçit në Kosovë të Vogël të Lushnjës. Përmbytjet i kanë shkaktuar dëme rreth 150 mijë euro, ndërsa rikuperimi kërkon vite, pasi uji dhe llumi kanë dëmtuar edhe cilësinë e tokës, duke ndikuar negativisht në mbjelljet e ardhshme. Pas 15 vitesh emigracion në Itali dhe 12 vitesh investim në Shqipëri, ai e cilëson kthimin si “gabimin e jetës”, jo për mungesë vullneti apo pune, por për shkak të rrezikut të pambuluar dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.

 

Sipas tij, mungoi çdo paralajmërim për reshjet intensive dhe për hapjen e portave të digave të HEC-eve, duke e bërë mungesën e koordinimit po aq shkatërruese sa vetë përmbytjen. Historia e Mirlindit përsëritet te qindra fermerë të tjerë në zonë.

 

Situata në Berat dhe zonat e prekura

Gentian Ziu, fermer nga Samatica e Beratit, shprehet se dëmet janë përhapur në disa fshatra dhe përfshijnë serra, kultura në fushë dhe pemëtore, ndërsa një bilanc i saktë financiar mbetet ende i pamundur. Në Samaticë janë dëmtuar rreth 8 hektarë serra të sapombjella dhe 3.5 hektarë lakër gati për treg janë shkatërruar plotësisht. Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në pemëtore, ku pjeshka, ulliri, mandarinat dhe portokajtë janë prekur në shkallë të ndryshme. Në të gjithë qarkun e Beratit, sipas tij, dëmet në serra janë të pallogaritshme, ndërsa fermerët janë përballur njëkohësisht edhe me ngrica, me temperatura deri në minus 5 gradë.

 

Efekti ekonomik dhe zinxhiri i humbjeve

Ilir Pilku, analist i të dhënave mbi bujqësinë, vlerëson se dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit arrijnë rreth 150 milionë euro vetëm për prodhuesit. Duke përllogaritur humbjet në tregun me pakicë dhe eksport, dëmet dyfishohen në rreth 30 miliardë lekë dhe shpërndahen në të gjithë zinxhirin bujqësor, nga fermerët te qendrat e grumbullimit, eksportuesit dhe konsumatorët, të cilët do të përballen me çmime më të larta.

 

Ruzhdi Koni, eksportues frutash dhe perimesh me kompaninë “Agrokoni”, tha se përmbytjet kanë dëmtuar rëndë fermat e specializuara për eksport në zonat e Beratit, Lushnjës dhe Fierit, duke paralajmëruar se këto dëme mund të ndikojnë në uljen e eksporteve deri në 30%.

 

Mbështetja shtetërore dhe sfidat strukturore

Përveç bujqësisë, dëme janë regjistruar edhe në blegtori, ushqimin e kafshëve, banesa, rrugë dhe infrastrukturë tjetër. Fondet që qeveria ka në dispozicion përmes emergjencave civile nuk mbulojnë as 5% të dëmeve të deklaruara deri më tani. Kryeministri Rama deklaroi se fermerët do të dëmshpërblehen, por Ministria e Bujqësisë ende nuk ka një faturë finale, pasi të dhënat janë në përditësim. Në Shqipëri, humbjet nga ndryshimet klimatike përballohen pothuajse tërësisht nga fermerët, pasi skemat e sigurimeve nuk funksionojnë dhe mbështetja shtetërore mbetet e pamjaftueshme.

 

Të dhënat paraprake kombëtare

Sipas të dhënave provizore nga Ministria e Bujqësisë, deri më 16 janar, reshjet, përmbytjet dhe ngricat kanë prekur rreth 5,791 fermerë, rreth 12,172 hektarë sipërfaqe bujqësore, si dhe 5,551 krerë bagëti dhe 147 koshere bletësh. Në nivel kombëtar, dëmet përfshijnë 3,598 hektarë drithëra, 3,148 hektarë foragjere, 4,151 hektarë kultura të tjera bujqësore, 480 hektarë perime dhe luleshtrydhe kryesisht në serra, si dhe rreth 790 hektarë pemë frutore, vreshta dhe ullinj. Të dhënat mbeten paraprake dhe pritet të përditësohen.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat