Secondary Adv

Malaj dhe Binaj: Aksioni në ndërtim mbyllet në maj, rivlerësimi i pronave nis në shkurt

Aksioni kundër informalitetit në ndërtim përfundon më 23 maj 2026, ndërsa rivlerësimi i pronave nis në shkurt me tatim 5%.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, zhvilluan një konferencë për shtyp mbi zbatimin e Planit Sektorial të Ndërtimit dhe masat kundër informalitetit, në kuadër të Strategjisë së Administrimit të të Ardhurave 2024–2027.

 

Ministri Malaj theksoi se Shqipëria ndodhet në vitin e dytë të zbatimit të kësaj strategjie, e cila shtrihet deri në vitin 2027 dhe synon jo vetëm rritjen e të ardhurave, por edhe përmirësimin e administrimit fiskal, me fokus të veçantë formalizimin e sektorëve me risk të lartë, si turizmi dhe ndërtimi.

 

Rezultatet në turizëm dhe ndërtim

Sipas ministrit, në sektorin e turizmit, për periudhën janar–shtator 2025, numri mesatar i punonjësve u rrit me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ndërsa fondi i pagave u rrit me 18%, duke arritur rreth 162 milionë euro.

 

Kontributet shoqërore dhe shëndetësore u rritën gjithashtu me 18%, duke arritur në 46 milionë euro, ndërsa arkëtimet e TVSH-së shënuan rritje me 22%, duke kapur vlerën 40 milionë euro. Në sektorin e ndërtimit, kontrollet në agjencitë imobiliare më të mëdha evidentuan shkelje të rënda, përfshirë mungesë transparence në çmime, mosdeklarim real të pagave dhe shmangie të faturimit.

 

Sipas të dhënave të planit sektorial, në vend janë aktive 8,784 subjekte ndërtimi, kryesisht në Tiranë dhe Durrës, ku rreth 25% deklarojnë paga nga 400 deri në 500 euro, nivel që nuk pasqyron realitetin e tregut. Në nëntor 2025, administrata tatimore nisi një fushatë ndërgjegjësuese me 13,418 mesazhe të personalizuara për bizneset e ndërtimit dhe zinxhirin furnizues.

 

Për rreth 118 mijë të punësuar në sektor, fondi i pagave u rrit me 9% në dhjetor krahasuar me shtatorin, duke arritur në 78 milionë euro, ndërsa të ardhurat nga kontributet u rritën me 4%. Numri i punonjësve me paga 400–500 euro u ul me 7%, ndërsa u rrit numri i punonjësve me paga nga 700 deri në 1,000 euro me 18% dhe mbi 1,200 euro me mbi 10%.

 

Aksioni tatimor dhe afatet

Ministri Malaj paralajmëroi se subjektet që nuk kanë reflektuar pas paralajmërimeve do të jenë objekt i kontrolleve të thelluara. Ndërkohë, drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj, theksoi se lufta kundër informalitetit mbetet prioritet për vitin 2026, së bashku me paqen fiskale dhe fshirjen e detyrimeve. Sipas tij, rreth 120 mijë punonjës janë përfshirë në procesin e vetëdeklarimit të pagave, duke sjellë një rritje prej 7%. Aktualisht ka nisur faza e parë e planit, që lidhet me mbledhjen e të dhënave mbi çmimet nga agjencitë imobiliare, ndërsa fazat pasuese do të fokusohen te ndërtuesit. Në mungesë reflektimi, aksioni do të përfundojë më 23 maj 2026.

 

Binaj shtoi se kontrollet në turizëm dhe sigurinë ushqimore do të vijojnë, ndërsa po përgatiten plane të posaçme për tregtinë online, shitjen e automjeteve dhe shitjen e aksioneve, të identifikuara si sektorë me risk të lartë fiskal.

 

Rivlerësimi i pronave dhe sigurimi i detyrueshëm

Ministri Malaj bëri të ditur se procesi i rivlerësimit të pronave do të nisë në muajin shkurt, pasi ligji ka hyrë në fuqi më 22 janar dhe udhëzimet përkatëse pritet të miratohen brenda gjysmës së parë të shkurtit. Tatimi për rivlerësimin do të jetë 5%, nga 15% që paguhet aktualisht në rast shitjeje, dhe do të aplikohet mbi diferencën mes vlerës së regjistruar në kadastër dhe çmimit të shitjes.

 

Ai njoftoi gjithashtu se projektligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave ndaj tërmeteve pritet të miratohet së shpejti në Këshillin e Ministrave. Sipas tij, primi do të jetë i përballueshëm për qytetarët dhe për familjet në ndihmë ekonomike do të subvencionohet nga shteti, ndërsa sistemi i sigurimit do të menaxhohet nga një shoqëri shtetërore.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat