Indeksimi i pagave të administratës me 2.5 për qind, për pushtetin vendor rritje deri 10 mijë lekë
Për vitin 2026 parashikohet indeksim i pagave të administratës sipas inflacionit dhe rritje diferencuese për pushtetin vendor.

Qeveria parashikon për vitin 2026 indeksimin e pagave në masën 2.5 për qind, në të njëjtin nivel me inflacionin, për të gjithë punonjësit e administratës publike dhe të pushtetit vendor. Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka konkretizuar këtë politikë përmes një projektvendimi, i cili përcakton rritjen e pagave për pesë kategori punonjësish të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Në relacionin shoqërues theksohet se indeksimi i pagave për vitin 2026 bazohet në indeksin e ndryshimit të çmimeve të konsumit të shpallur nga qeveria shqiptare në masën 2.5 për qind dhe do të zbatohet për të gjithë nëpunësit dhe punonjësit e pushtetit vendor, njësoj si për funksionarët, nëpunësit civilë dhe punonjësit e institucioneve të administratës publike.
Ndryshimet e propozuara në pagat e pushtetit vendor
Projektvendimi parashikon ndryshime në vendimin nr. 328, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, që lidhet me klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore për efekt page dhe caktimin e kufijve të pagave për funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar, nëpunësit civilë dhe punonjësit administrativë. Në vlerë monetare, indeksimi i propozuar i pagave varion nga 1,000 deri në 10,000 lekë në muaj, në varësi të kategorisë dhe pozicionit të punonjësit.
Rritja më e lartë, deri në 10 mijë lekë në muaj, propozohet për punonjësit mbështetës të administratës së pushtetit vendor, duke çuar pagën bazë nga niveli 40 mijë deri në 47 mijë lekë në intervalin 50 mijë deri në 57 mijë lekë në muaj. Për funksionarët e zgjedhur të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive vendore parashikohet rritje e kufijve minimalë dhe maksimalë të pagave, ndërsa për pozicionin “specialist”, klasa IV-4, në të gjitha bashkitë dhe këshillat e qarqeve, indeksimi arrin në 1,000 lekë në muaj. Për pozicionin “Sekretar i Përgjithshëm” në Bashkinë e Tiranës, rritja e propozuar është 2,625 lekë në muaj.
Për nëpunësit e klasave të ndryshme administrative në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore, projektvendimi parashikon rritje mujore që varion nga 4,000 deri në 5,000 lekë, në varësi të klasës, ndërsa për kategorinë “paga për pozicion” për nëpunësit e klasave më të larta, rritja mujore varion nga 3,525 deri në 5,425 lekë.
Efektet financiare dhe hyrja në fuqi
Vendimi parashikohet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe do t’i shtrijë efektet financiare nga data 1 janar 2026. Sipas llogaritjeve të ministrisë përgjegjëse për financat, efektet financiare për paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore arrijnë rreth 60 milion lekë në muaj për punonjësit mbështetës dhe rreth 83 milionë lekë në muaj për punonjësit e tjerë, për shkak të rritjes së kufirit minimal të pagës.
Ky efekt financiar për vitin 2026 do të përballohet nga transfertat e akorduara për njësitë e vetëqeverisjes vendore, të miratuara në ligjin nr. 87/2025 “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të këtyre njësive.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






