Fund kontrolleve të befasishme në biznese, Rama paralajmëron ndryshime: Sistemi i ri në 2027
Qeveria synon reformimin e inspektimeve në 2027, me më pak kontrolle të mbivendosura dhe fokus te parandalimi.

Qeveria synon të ndryshojë mënyrën e kryerjes së kontrolleve nga inspektoratet në biznese, duke i dhënë fund praktikës së kontrolleve të befasishme dhe duke e zhvendosur fokusin nga vendosja e gjobave te parandalimi i shkeljeve, paralajmërimi dhe këshillimi i sipërmarrjeve.
Nisma u prezantua gjatë Konferencës mbi Investimet dhe Përmbushjen e Kërkesave Ligjore, të organizuar nga Inspektorati i Përgjithshëm, ku kryeministri Edi Rama kërkoi ndryshimin e qasjes së inspektorëve ndaj bizneseve.
“Duhet të marrin fund kontrollet e befasishme sikur po shkohet në një shpellë për të kapur një grup kriminal”, deklaroi Rama, duke theksuar se qëllimi i inspektimeve duhet të jetë përmirësimi i standardeve dhe jo kapja e bizneseve në shkelje për t'i gjobitur.
Inspektorët do të pajisen me kamera inteligjente
Kryeministri njoftoi se inspektorët do të pajisen me kamera inteligjente të vendosura në trup, të cilat do të regjistrojnë në kohë reale veprimet e tyre gjatë ushtrimit të detyrës.
“Të gjithë inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm së shpejti do të vishen me uniformë civile, me kostum, kravatë. Të gjithë do të kenë kamerën inteligjente të vendosur si stemë në trup, që do të jetë e lidhur me qendrën, dhe të gjitha veprimet do të jenë të regjistruara në kohë reale. Kështu do të mund të inspektohet nga zyra e etikës e kryeinspektorit edhe edukata. Kamerat do të jenë bashkë me inspektorin gjatë gjithë orarit të punës”, shpjegoi Rama.
Sipas kryeministrit, përdorimi i kamerave do të mundësojë monitorimin e veprimeve dhe sjelljes së inspektorëve, duke synuar rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë gjatë kontrolleve.
Fokusi te parandalimi i shkeljeve dhe paralajmërimi i bizneseve
Rama theksoi se inspektoratet duhet të ndihmojnë bizneset të përmbushin standardet ligjore, veçanërisht në kuadër të përgatitjes së tyre për konkurrencën në tregun e Bashkimit Europian.
“Qëllimi kryesor i Inspektoratit të Përgjithshëm dhe trupave inspektuese duhet të jetë parandalimi. Nuk është qëllimi ynë të kapim në gabim biznesin, të ngremë kurthe që biznesi të kapet i papërgatitur dhe t’i vëmë gjobë, por të përmirësojë në vijimësi pozicionin e vet në raport me ato standarde që duhet të përmbushë dhe parandalimi duhet të jetë i shoqëruar si qasje me paralajmërimin”, u shpreh kryeministri.
Kontrollet e inspektorateve përfshijnë një sërë fushash që lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin e bizneseve, si siguria dhe kushtet në vendin e punës, deklarimi i punonjësve dhe pagave, kontratat e punës dhe pagesa e detyrimeve tatimore.
Qasja e paralajmërimit, sipas deklarimeve të prezantuara, synohet të zbatohet edhe në kontrollet e inspektoratit të ndërtimit. Ndërkohë, inspektorët e veterinarisë dhe sigurisë ushqimore vijojnë të kenë përgjegjësi për verifikimin e respektimit të standardeve të produkteve ushqimore.
Ibrahimaj: Sistemi i ri i inspektimeve synohet të ngrihet gjatë vitit 2027
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Denila Ibrahimaj, bëri të ditur se qeveria synon të ngrejë gjatë vitit 2027 një sistem të ri inspektimesh, i cili do të shmangë mbivendosjen e kontrolleve dhe do të reduktojë barrën administrative për bizneset.
“Duam të arrijmë standardet e kërkuara nga BE, por pa i dhënë biznesit një barrë ekstra. Ndaj sistemi i inspektimeve është menduar i tillë që të eliminohen mbivendosjet. Gjatë 2027 synojmë të ngremë sistemin e ri të inspektimeve, i cili do të garantojë akoma më shumë dhe më mirë zbatimin e ligjit. Do të garantojmë të mos kemi mbivendosje apo kontrolle të zgjatura”, deklaroi Ibrahimaj.
Sipas ministres, reforma synon të krijojë një sistem më të koordinuar ndërmjet institucioneve inspektuese, duke shmangur kontrollet e përsëritura dhe procedurat e zgjatura që rëndojnë aktivitetin e sipërmarrjeve.
Dash Sula: Inspektoratet nuk duhet të vlerësohen nga numri i gjobave
Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dash Sula, theksoi se reforma do të ndryshojë edhe mënyrën e vlerësimit të punës së inspektorateve, duke vendosur në qendër parandalimin e shkeljeve dhe reduktimin e rreziqeve.
“Një sistem modern inspektimi nuk mund të vlerësohet vetëm nga numri i kontrolleve apo masave administrative, por mbi të gjitha nga aftësia për të parandaluar shkeljet, për të reduktuar risqet dhe për të nxitur respektimin e ligjit”, deklaroi Sula.
Ai bëri të ditur se reforma përfshin digjitalizimin e proceseve, unifikimin e metodologjisë së inspektimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu përmirësimin e mekanizmave për trajtimin e ankesave, përfshirë përdorimin e platformës “e-Albania”, si dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të inspektorëve.
Sipas Sulës, përgatitja profesionale dhe trajnimi i vazhdueshëm i personelit do të mbeten përparësi të reformës, me synimin për të përmirësuar cilësinë e kontrolleve dhe zbatimin e legjislacionit.
Sistemi i ri i inspektimeve synohet të ngrihet gjatë vitit 2027, ndërsa ndryshimet e prezantuara përfaqësojnë objektivat e qeverisë për reformimin e kontrolleve dhe nuk nënkuptojnë se praktikat aktuale janë shfuqizuar tashmë.
Burimi: Ekofin
Më të lexuarat






k.jpg)