
Bizneset: Taksat te jene te krahasueshme me rajonin; Ja si Shqiperia i ka sot me te lartat
Cilat janë pritshmëritë e bizneseve nga programet e partive politike. “Monitor” ka nisur një rubrikë të veçantë, ku çdo numër, deri në zhvillimin e zgjedhjeve, do të sjellë propozimet e shoqatave të ndryshme të biznesit.
Kur vetëm pak javë na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, si asnjëherë tjetër, biznesi nuk është njohur me programet ekonomike të partive që po konkurrojnë për të drejtuar vendin në katër vitet e ardhshme. Por ai vetë i ka të qarta së çfarë kërkon. Bizneset do të lobojnë të tentojnë për taksa të ulëta, në nivele të krahasueshme me rajonin, kërkojnë që të bëhen palë në hartimin e politikave kryesore dhe idetë e tyre të merren parasysh.
Bizneset thonë se partitë politike duhet sa më shpejt të fillojnë menjëherë takimet për të dëgjuar zërin e sipërmarrjes. Ata bien dakord që rritja e taksave në mandatin e kaluar ka ndikuar negativisht në ekonomi dhe perfomancën e sipërmarrjeve dhe e ka bërë më të vështirë daljen nga kriza. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë pohon se sistemi fiskal duhet të ndryshojë rrënjësisht dhe të garantojë uljen e evazionit. Ai shton se niveli aktual i taksave nuk solli asnjë risi në përmirësimin e performancës së sistemit fiskal, nuk e uli evazionin dhe nuk ishte ndihmues për sipërmarrjen. Ulje-ngritjet e paketave fiskale në vite pa pasur një qëndrueshmëri për disa vite me radhë kanë sjelle një çoroditje të planeve të investimeve. Ai thotë se parimisht biznesi është për taksimin e sheshtë, përshkallëzimin e nivelit të TVSH dhe rishikimin e tarifave mbi procedurat e ndryshme. Por një gjë shumë e rëndësishme është edhe ndryshimi rrënjësor i sistemit fiskal, i cili duhet të garantojë edhe uljen e evazionit fiskal.
Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria thotë se politikat fiskale në fuqi përbëjnë një nga shkaqet kryesore subjektive të dështimeve të qarta në ekonomi. Rritja e barrës fiskale për bizneset dhe qytetarët në kushtet e krizës globale, konkurrencës së vendeve fqinjë në garën për tërheqjen e investimeve të huaja, rënies së investimeve buxhetore, tregjeve të mbyllura me sisteme monopolesh dhe kartelesh, etj., kanë qenë tërësisht të gabuara.
Ai propozon nivelin prej jo më shumë se 10% të taksimit të sheshtë për bizneset, që punojnë në kushtet e tregjeve të hapura. Për kategoritë e bizneseve të tregjeve të mbyllura, politikat e taksimit duhet të jenë më të larta, por gjithmonë të sheshta për të siguruar njëkohësisht moralitetin, të ardhurat buxhetore dhe lehtësimin e punës së administratës fiskale.
Andrea Xhavara, kryetar Dhomës së Tregtisë Durrës, thotë se taksat duhet të jenë të paktën të krahasueshme me rajonin. Ai pohon se rritja e taksave ka zvogëluar marzhin e fitimit, rrjedhimisht ka ulur investimet, ka rritur shpenzimet dhe ka ulur punësimin. Edhe rritja e tatimit mbi të ardhurat personale ka prekur shtresën e mesme, që rrjedhimisht ka konsumuar më pak. Tabela e taksave krahasuese në rajon. Shqipëria kryeson në TVSH, tatimfitim, kontribute Shqipëria, së bashku me Serbinë, kanë nivelin më të lartë të taksave në rajon, në TVSH, kontributet e sigurimeve, që paguhen nga punëdhënësi dhe tatimin mbi korporatat. Jo më kot, të dy këto shtete kanë nivelin më të lartë të taksave në përqindje ndaj fitimit, përkatësisht 36.5% Shqipëria dhe 39.7% Serbia.
TVSH
Sipas një tabele të nxjerrë nga të dhënat e Bankës Botërore, Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin më të lartë të TVSH-së, në 20%. Në Maqedoni, niveli më i lartë i TVSH-së është 18%, ndërkohë që vendi ka dhe një TVSH të reduktuar prej 5% për produkte ushqimore, produkte mjekësore, makineri bujqësore, publikime, shitja e parë e ndërtesave dhe apartamenteve, si dhe transporti dhe akomodimi. Mali i Zi e ka TVSH-në 19%, Bosnja 17% dhe Kosova në nivelin më të ulët prej 16%. Vetëm së fundmi, Shqipëria përshkallëzoi TVSH-në për turizmin, duke e zbritur atë në 6%.
Taksa mbi korporatat
Ndërsa përpara vitit 2008, i gjithë rajoni u fut në një garë të ethshme se cili i ulte sa më shumë taksat dhe zbatonte taksë të sheshtë në nivelin e afër 10%, me përshkallëzimin e krizës ekonomike, rezulton se vetëm Serbia dhe Shqipëria e rritën taksën mbi korporatat në 15%. Shtetet e tjera vazhduan të ruajnë norma të ulëta të tatimit që paguajnë sipërmarrjet. Mali i Zi ka aktualisht nivelin më të ulët të kësaj takse në rajon, në 9%, ndërsa Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e kanë atë në 10%.
Kontributet e paguara nga punëdhënësi
Shqipëria, së bashku me Serbinë renditen ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht. Megjithatë, Serbia po tregohet më agresive se Shqipëria në tërheqjen e investimeve të huaja, duke i “joshur” të huajt me subvencione direkte për punonjësit.
Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Kjo është një nga arsyet kryesore që Maqedonia rezulton me normën më të ulët të taksës ndaj përqindjes së fitimit të bizneseve (12.9%). Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%. Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi.
Megjithëse Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të kontributeve të sigurimeve shoqërore në rajon, ajo ka dhe të ardhurat më të ulëta në buxhet, çka nënkupton që te kjo taksë kryhet dhe evazioni më i lartë. Taksa e punës sjell sot në buxhetin shqiptar të ardhura në nivelin e rreth 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërkohë që mesatarja rajonale është 8-10% e PBB-së më e lartë.
Rekord rajonal dhe në tatimin e individëve me të ardhura të larta
Shqipëria mban rekord dhe për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.
Edhe Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me ne, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Serbia taton të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15% duke përjashtuar nga taksimi shitjen e aseteve që ishin në pronësi të shitësit për më shumë se 10 vjet.
Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%.
Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 euro neto/muaj nga punësimi. Në këtë shtet, pagat për punonjësit Start up (përveç për sektorët e bujqësisë, peshkimit, transportit, ndërtimit të anijeve) janë subjekt i përjashtimit nga taksimi për 8 vjet, deri në një shumë totale prej 200,000 euro.
Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%).
Në Bosnjë-Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.
Hapësirat ligjore që nxitën shmangien
Një skemë relativisht e re e shmangies ndaj taksave është përhapur gjerësisht vitin e fundit, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore. Kontabilistët pohojnë se individë me paga të larta po regjistrohen si persona fizikë, (biznes i vogël) dhe faturojnë kompanitë që ata punojnë, në mënyrë që të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale, që për pagat e larta arrin deri në 23%. Mësohet se dhe tatimet janë në dijeni të një skeme të tillë dhe po ndjekin disa raste të tilla. Janë kryesisht doktorë në spitale private, konsulentë, apo individë të tjerë me të ardhura të larta, përfshirë edhe të huaj, që duke shfrytëzuar ndryshimet ligjore të viteve të fundit po bëhen subjekt i shmangieve fiskale.
Kontabilistët shpjegojnë se aktualisht ka një diferencë të madhe mes taksimit të individëve me paga të larta dhe bizneseve të vogla. Për pagat, që prej vitit 2014, taksimi (tatimi mbi të ardhurat personale-TAP) është progresiv. Nga zero deri në 30 mijë lekë, TAP është zero, nga 30,001 deri në 130 mijë lekë është 13% e shumës mbi 30 mijë lekë dhe nga 130 001 lekë e më lart është 23% e shumës mbi 130 mijë lekë. Në të kundërt, bizneset e vogla janë pothuajse të përjashtuara nga taksat. Që nga fundi i vitit 2015, për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë, tatimi është zero, ndërsa bizneset me xhiro nga 5-8 milionë lekë, tatimi i thjeshtuar është 5%. Mbi 8 milionë lekë bizneset kategorizohet si i madh dhe paguajnë 15% tatimfitimi.
Pikërisht këto shtigje ligjore po i nxisin individët me paga të larta të gjejnë strehim si biznes i vogël.
P.sh., një individ me një pagë 300 mijë lekë në muaj (3.6 milionë lekë në vit) do të paguajë vetëm si tatim mbi të ardhurat nga paga (pa përfshirë sigurimet) rreth 52 mijë lekë në muaj (625 mijë lekë në vit). Nëse ai faturon si biznes i vogël, e vetmja gjë që paguan janë sigurimet si i vetëpunësuar, rreth 6500 lekë në muaj. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se për 4-mujorin e parë 2017, të ardhurat e mbledhura nga TAP ishin 1.7% më të ulëta në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, i vetmi zë në buxhet me rënie në vlerë nominale.
Më të lexuarat









