Secondary Adv

Buxheti 2015, ja ndarja e parave per cdo bashki

Formula e re e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar të qeverisë për pushtetin vendor dhe reforma administrative sjellin disa surpriza në Buxhetin 2015.


Krahas bashkive të mëdha është renditur Kamza, e cila do të marrë 211.1 milionë lekë, baras me Korçën (211.9 milionë lekë), ose gati dyfishin e shumës së caktuar për Sarandën (101 milionë lekë), Gjirokastrën (97.9 milionë lekë), Lushnjën (124 milionë lekë), Kukësin (111 milionë lekë). Ndërsa, pas Bashkisë së Tiranës (që drejtohet aktualisht nga PD), që do të marrë nga qeveria 1.135 miliardë lekë, vjen Durrësi me transfertën e planifikuar 428.8 milionë lekë.


Më tej renditet Shkodra me 388.9 milionë lekë dhe Bashkia e Elbasanit me 341 milionë lekë, Bashkia e Vlorës me 322.4 milionë lekë, Korça me 212 milionë lekë. Me siguri të pakënaqur do të mbeten bashkiakët e Beratit, të cilëve u janë caktuar 185 milionë lekë dhe Fierit, që do të marrin 190.5 milionë lekë. Më pak transferta janë llogaritur për Komunën Ngraçan, e cila merr 2.7 milionë lekë.  Nga qarqet, më tepër fonde merr Elbasani me 135 milionë lekë dhe Dibra 114 milionë lekë, më pak para jepen për qarqet e Durrësit dhe Tiranës, përkatësisht 63 dhe 67 milionë lekë.


Fondet dhe taksat
Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore parashikohet të jenë rreth 18.5 për qind më të larta se ato të vitit 2014 ose 2.6 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Fondi i Zhvillimit të Rajoneve merr rëndësi edhe më të madhe në buxhetin e vitit 2015. Ky është një instrument që do të ndihmojë qeverinë për zbatimin e ndarjes administrative-territoriale dhe për të, në fjalorin e mazhorancës, quhet “rilindje e qyteteve”. Buxheti vendor i vitit 2015, me tërë komponentët e tij (transfertë e pakushtëzuar, Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, renta minerare dhe të ardhurat e veta) është 24.4 për qind më i lartë se ai i vitit 2014, ndërkohë që shpenzimet e buxhetit të shtetit janë rritur vetëm 4%.
Për vitin 2015, në total, parashikohet që të ardhurat e pushtetit vendor të jenë 41.2 miliardë lekë. Këtu është shtuar edhe transferta me burim të huaj (FSHZH) që investohet tërësisht për infrastrukturë vendore, si dhe fondet për zhvillimin e rajoneve të ministrive të linjës. Vitin e ardhshëm, me ndryshimin e ligjit për taksat kombëtare, të ardhurat nga renta minerare do t’i akordohen në mënyrë të drejtpërdrejt njësive të qeverisjes vendore. Reforma e decentralizimit fiskal do të përqendrohet në saktësimin e marrëdhënieve fiskale midis pushtetit qendror dhe atij vendor. Kjo do të realizohet nëpërmjet hartimit dhe miratimit të projektligjit për financat vendore. Ky buxhet ka si qëllim të motivojë zyrtarët vendorë që të përmirësojnë mbledhjen e taksave.


Prefekti verifikon çdo qindarkë, disbursimet e fondit do të bëhen mujore
Periudhë tranzitore quhet periudha nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2015. Kjo periudhë përkon me mbylljen e mandatit të të zgjedhurve të vitit 2011 dhe fillimin e punës të të zgjedhurve të vitit 2015, sipas ndarjes së re administrative-territoriale. Transferta e pakushtëzuar për bashkitë dhe komunat do të ndahet në muaj dhe tremujor. Për çdo avancim fondi nga transferta e pakushtëzuar, njësitë e qeverisjes vendore duhet t’i drejtohen ministrit të Financave, dhe pas miratimit të këtij të fundit mund të bëhet avancimi i transfertës për raste të veçanta të mirargumentuara. Buxheti i njësive të qeverisjes vendore, pasi miratohet nga Këshilli, dërgohet te prefekti i qarkut për konfirmim. Në mënyrë të veçantë, prefekti duhet të verifikojë dhe të konfirmojë parashikimin e buxhetit për investime dhe shërbime publike për vitin buxhetor korent apo për vitet e ardhshme, për rastet kur investimi apo shërbimi shtrihet në më shumë se një vit buxhetor. Gjithashtu, investimet në vazhdim do të verifikohen nga Prefekti i Qarkut dhe Dega e Thesarit për ligjshmërinë e tyre, duke synuar shmangien e krijimit të detyrimeve të prapambetura.


Drejtuesit e komunave që shkrihen, një muaj në dispozicion për dorëzimet
Në dorëzimin e detyrave, drejtuesit e ish-bashkive dhe ish-komunave të suprimuara, janë të detyruar të asistojnë për një periudhë njëmujore strukturat e njësive të reja të qeverisjes vendore në lidhje me informacionet e nevojshme për të lehtësuar procesin e tranzicionit, për të mos krijuar vonesa në lëvrimin e shërbimeve për qytetarët që mund të shoqërohen edhe me dëme financiare për njësitë e reja. Drejtuesit e njësive vendore që suprimohen me ndarjen e re territoriale, duhet të përgatisin inventarin e aseteve, bilancet kontabël, arkivën dhe dokumentacionin.


Pasi organet e qeverisjes vendore të dala nga zgjedhjet e vitit 2015 të jenë konstituar, në mbledhjen e parë duhet të diskutohet për buxhetin dhe problemet financiare. Bashkitë duhet të marrin në dorëzim nga ish-njësitë e QV të suprimuara inventarin e aseteve, bilancet kontabël dhe detyrat e tjera. Me ndarjen e re territoriale, njësive të reja të qeverisjes vendore, të zgjedhura në vitin 2015, u transferohen të gjitha të drejtat dhe detyrimet, huat, kreditë e ish-njësive të suprimuara./Gazeta Shqip


Më të lexuarat