
Punedhenesit me te medhenj; Ekonomia primitive e lojerave te fatit
Nga 16 ndërmarrje në vend, private dhe publike, që kanë më shumë se 1,000 punonjës, tre janë lojëra fati, tre janë call center, katër janë shtetërore, dy janë prodhim këpucësh.
Kjo është pasqyra më e mirë e ekonomisë sonë primitive, që si avantazh kryesor vijon të ketë krahun e lirë të fuqisë punëtore, që nuk investon në teknologji, nuk arrin të tërheqë investime të huaja me vlerë të shtuar të lartë dhe që pret që fati t’i vijë nga qielli.
Bankat dhe telekomunikacionet kanë qenë historikisht vende pune të lakmuara për këdo. Të mirëpaguara, të sigurta, përgjithësisht korrekte me zbatimin e Kodit të Punës dhe me mundësi për të përparuar në karrierë. Por, vitin e fundit ato janë thuajse të paarritshme. Plus Communication, që kishte 320 të punësuar doli nga tregu vitin e kaluar.
Tre operatorët e tjerë të mbetur në treg, nuk kanë oreks për zgjerim, teksa normat e fitimit janë ngushtuar dhe investimet janë tkurrur. Në vitin 2016, Albtelecom dhe Telecom Albania e reduktuan stafin me përkatësisht 97 dhe 20 persona, ndërsa Vodafone e shtoi vetëm me 9, sipas të dhënave nga Tatimet.
Sistemi bankar prej disa vitesh nuk po e shton numrin e punonjësve. Deri në fund të tremujorit të tretë 2017, në banka kishte gjithsej 6909 të punësuar, duke u ulur me 41 persona në raport me fundin e 2016-s, i treti vit radhazi me tkurrje të lehtë, sipas Shoqatës së Bankave. Tendenca rënëse pritet të përforcohet. Pas përthithjes së Bankës Veneto nga Intesa Sanpaolo dhe shitjes së NBG te Banka Amerikane e Investimeve, sistemi bankar do të reduktohet nga 16 në 14 banka. Deri në shtator 2017, sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, NBG dhe Veneto kishin përkatësisht 304 dhe 130 punonjës.
NBG kishte 26 degë dhe Veneto 15. Ekspertët e tregut bankar pohojnë se procesi i përthithjes së bankave zgjat midis 6 dhe 12 muaj. Banka blerëse do të tentojë të mbajë degët që janë më eficiente dhe do të mbyllë ato që dublojnë njëra-tjetrën, ndërsa dhe administrata qendrore do të shkrihet në një. Në këtë linjë dhe një pjesë e punonjësve të bankave që përthithen do të shkurtohen. Të tjera banka janë në shitje. Si pjesë e strategjisë për ristrukturimin e sistemit bankar grek, edhe Banka e Pireut do të shesë degët e saj në Ballkan, përfshirë Tirana Bank.
Call center, një tjetër sektor që ishte një zgjidhje alternative për të rinjtë, me paga të kënaqshme dhe orare fleksibël, është drejt tkurrjes, që pas sulmit të qeverisë italiane gati një vit më parë, që forcoi rregullat e delokalizimit, si një përpjekje për të ndalur ikjen e vendeve të punës nga Italia. Në vitin 2016, tre operatorët kryesorë në këtë segment, IDS, Albania Marketing Service dhe Albacall raportuan rënie të numrit të punonjësve me 8%, ose 482 persona më pak.
Dhe me çfarë po zëvendësohen këto vende pune të humbura në kompanitë e mëdha. Ironikisht, ashtu si në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha, sipas fitimeve dhe normave të fitimit, edhe këtu dalin në skenë kompanitë e lojërave të fatit. Punëdhënësi më i madh privat, për herë të parë në histori, vjen nga sektori i lojërave të fatit, i ndjekur nga call center dhe fasoni. Nga 16 ndërmarrje në vend private dhe publike, që kanë më shumë se 1,000 punonjës, tre janë lojëra fati, tre janë call center, katër janë shtetërore, dy janë prodhim këpucësh (shiko tabelën Renditja e 100 punëdhënësve më të mëdhenj).
Të dhënat e fundit të INSTAT treguan se bizneset po investojnë më shumë në toka e ndërtesa dhe më pak në teknologji dhe kjo po pasqyrohet në rënien e produktivitetit të ekonomisë, duke e bërë atë më pak konkurruese, kur me hapjen e tregjeve, Shqipëria duhet të ishte përgatitur për të kundërtën./Monitor
Më të lexuarat








