Secondary Adv

Qeveria do te nxjerre ne ankand disa blloqe per kerkimin e naftes ne det


Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të nxjerrë në ankand disa blloqe për kërkimin e naftës në det. Këtyre u shtohet numri prej 13 blloqesh të lira, të cilat ishin në dispozicion nga viti i kaluar, kur ministri Gjiknuri hodhi në publik idenë për tenderin ndërkombëtar.


Burime të Ministrisë së Energjisë, saktësojnë se ka interes në rritje të kompanive ndërkombëtare të hidrokarbureve për të investuar në kërkimin e naftës në ujërat detare shqiptare. Duke folur dje, në një takim me Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, Gjiknuri theksoi rëndësinë e këtyre kërkimeve për naftë. “Me vendim të Këshillit të Ministrave, ne miratuam strukturën e re të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, duke ngritur për herë të parë një drejtori të re, atë të Gjeologjisë Detare. Gradualisht, me mbështetjen e nevojshme të kësaj strukture, me specialistët dhe mjetet e duhura, do të fillojmë studimet gjeologjike edhe në det”, deklaroi ministri Gjiknuri.


Ideja është që të huajve të mos u afrohen thjesht sipërfaqe për kërkime të naftës, por paketa të plota me informacion gjeologjik. “Shumë shpejt do të dërgojmë në Parlament edhe projektligjin e ri për Shërbimin Gjeologjik. Reformimi programor i shërbimit tonë gjeologjik, ka të bëjë me orientimin që shteti i jep këtij institucioni për të kryer studime apo për të përgatitur strategji zhvillimi që i nevojiten vendit”, u shpreh Gjiknuri. “Investitorët privatë në Shqipëri, vendas dhe të huaj, duhet që ta shfrytëzojnë potencialin e Shërbimit Gjeologjik, studimet dhe rekordet që ka ky institucion për të orientuar drejt sipërmarrjen e tyre”, deklaroi Gjiknuri “Që të eliminojmë probleme me kosto shumë të mëdha për qytetarët dhe për ekonominë e vendit, përpara se të miratojmë projekte të çdo objekti, ne duhet të kemi studimin gjeologo-inxhinierik, si institucioni më i besuar dhe këshilltar tekniko-shkencor i shtetit për këtë qëllim”, tha Gjiknuri.


Blloqet në det

Raundi i parë i licencimit në det është zhvilluar gjatë viteve 1989-1991. Gjatë kësaj periudhe u promovua e gjithë sipërfaqja detare, e ndarë në pesë blloqe kërkimi, kryesisht në detin Adriatik: blloku i Rodonit, që u kontraktua nga kompania OMV; blloku Adriatiku 2 nga AGIP; blloku Adriatiku 3 nga Occidental; blloku Adriatiku 4 nga Chevron; blloku Joni 5 nga Hamilton BHP.


Blloku në veri të Kepit të Rodonit ka pasur dinamikë intensive. Ai përfaqëson pjesën më veriore detare. Në perëndim kufizohet me kufirin ndërkombëtar midis Malit të Zi dhe Shqipërisë; në lindje kufizohet me blloqet A dhe B në tokë, ndërsa në Jug nga blloku i Durrësit. Në det janë shpuar puset Rodoni-1, JJ-1, 2, 3, dhe JJU-1.


Ndërsa në tokë janë shpuar Ad-2, Fk-1, Thu-1, 2, Mil-2, 26, Mil-28, Pul-1, 2, 3, dhe 4, të cilët ndihmojnë për interpretimin në thellësi. Në këtë bllok janë evidentuar prospekti i Drinit (i përbërë nga Drini-1, 2 dhe 3) për naftë dhe strukturat A dhe B për gaz. Në strukturën e Drinit (për të tria ngritjet Drini 1, 2 dhe 3) rezervat e pritshme, të mundshme për t’u nxjerrë, llogariten në 362 milionë fuçi naftë.
Sipas informacioneve zyrtare më pas ka pasur marrëveshje me ndarje prodhimi për bllokun e Durrësit me kompaninë “San Leon Energy”, e cila ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2004. Po ashtu ka pasur marrëveshje me ndarje prodhimi për bllokun Joni 5 me kompaninë “Capricorn Albania”.


Debati më Kuvend për Izraelitët

Nënshkrimi i marrëveshjes së qeverisë me kompaninë “Emanuelle Adriatic Energy Ltd.”, në vitin 2012 solli debate në Kuvend. Opozita e atëhershme akuzoi qeverinë “Berisha” se kjo është pjesë e paktit detar me Greqinë për shitjen e Jonit. Kompania ishte e regjistruar në Qipro, si filial i shoqërisë izraelite “ILDC Energy”. Dokumenti i ratifikuar përfshinte kërkimet dhe shfrytëzimin e hidrokarbureve në një zonë të gjerë, prej 5.070 kilometrash katrorë në det. Shumica e kompanive që kanë marrë licenca kërkimi kanë kryer pak ose aspak kërkime në det, për shkak të kostos së lartë.
Ministri Gjiknuri është shprehur pak kohë më parë se shumë nga këto blloqe kërkimi dhe shfrytëzimi kanë rënë në duar të kompanive jo të njohura. Para aktit të privatizimit të dështuar të “Albpetrolit”, qeveria e atëhershme i dha kësaj kompanie të drejtën mbi blloqet detare dhe një numër zonash naftëmbajtëse në tokë, me qëllim për t’i rritur vlerën. Këto zona u quajtën lista “C”, por asnjëherë nuk u specifikuan se cilat ishin me koordinata të qarta./Gazeta Shqip


Më të lexuarat