
Privatizimi i shoqerive tregtare, ja procedurat per tu bere aksioner
Qeveria nxjerr në shitje të gjitha shoqëritë tregtare me kapital tërësisht apo pjesërisht shtetëror, që veprojnë në sektorët jostrategjikë. Sipas vendimit të djeshëm, privatizimi do të bëhet me paketa aksionere, ku do të kenë të drejtë pjesëmarrjeje edhe punonjësit e këtyre ndërmarrjeve. Urdhrin për shitje në çdo rast do ta japë ministri i Ekonomisë.
Këshilli i Ministrave udhëzon që fillimi i procedurave të privatizimit me ankand të paketave shtetërore të aksioneve, të bëhet pasi shoqëria të jetë vlerësuar dhe të ketë përgatitur dokumentacionin për shitjen. Ministria e Ekonomisë brenda 5 ditëve nga data e nxjerrjes së urdhrit, i dërgon Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, dosjen për privatizimin e shoqërisë.
Punonjësit e shoqërisë kanë të drejtë të shkëmbejnë, me vlerë nominale, bonot e privatizimit të tyre dhe ato të familjes në aksione të shoqërisë. Pjesëmarrja e punonjësve në aksione të shoqërisë do të llogaritet si raport ndërmjet vlerës së bonove familjare të privatizimit, të dorëzuara, të cilat ata i zotërojnë sipas legjislacionit në fuqi (Dekreti nr.1030, datë 1.11.1996, ndryshuar me akte të tjera ligjore), dhe kapitalit themeltar të shoqërisë.
Procedura e privatizimit
Dosja për shitjen e një ndërmarrjeje shtetërore duhet të përmbajë urdhrin e ministrit të Ekonomisë për fillimin e procedurave të privatizimit; aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë; vendimin e regjistrimit të shoqërisë si person juridik në gjykatë dhe/ose në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit me ndryshimet e bëra në të; bilancin e fundit ushtrimor të shoqërisë; raportin e ekspertit kontabël; raportin e ekspertëve për vlerësimin e shoqërisë; planvendosjen e shoqërisë, të konfirmuar nga prefekti; aktvlerësimin e truallit të shoqërisë; vërtetimin nga Qendra e Regjistrimit të Aksioneve për regjistrimin e shoqërisë që privatizohet, kur ka mbi 50 aksionerë; aktin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të ndërmarrjes në hipotekë.
Me nisjen e procedurës së privatizimit, shoqërisë i ndalohet të marrë hua apo kredi, ose të bëjë ndryshim kapitalesh. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, fillon menjëherë publikimin. Periudha e publikimit zgjat 30 ditë dhe bëhet në çdo buletin të njoftimeve publike dhe në media.
Aksionet për punonjësit
Punonjësit e shoqërisë, brenda 10 ditëve nga data e publikimit, duhet të paraqesin pranë shoqërisë certifikatën e gjendjes familjare, lëshuar nga zyra e gjendjes civile pas datës së publikimit, me anë të së cilës përcaktohen anëtarët që përfitojnë bono privatizimi. Ndërsa, shoqëria lëshon vërtetimin për identitetin e punonjësit, periudhën e punësimit ose datën e daljes së tij në asistencë për trajtimin me pagesë papunësie. Më pas, në afatin 25 ditë, shoqëria i dërgon të dhënat për punonjësit Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave.
Punonjësit kanë të drejtë që brenda 30 ditëve të bëjnë regjistrimin e kërkesave për zotërim aksionesh në këmbim të bonove të privatizimit në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, dhe degët e thesarit në rrethe. Sipas vendimit të qeverisë, punonjësit kanë të drejtë të shkëmbejnë, me vlerë nominale, bonot e privatizimit të tyre dhe ato të familjes në aksione të shoqërisë. Pjesëmarrja e punonjësve në aksione të shoqërisë do të llogaritet si raport ndërmjet vlerës së bonove familjare të privatizimit, të dorëzuara, të cilat ata i zotërojnë dhe kapitalit themeltar të shoqërisë. Përqindja e aksioneve të tyre mbetet e pandryshuar në raport me pjesën tjetër, pavarësisht nga rezultatet e ankandit. Punonjës të shoqërisë konsiderohen punonjësit aktualë dhe ata të trajtuar me asistencë, një vit para publikimit të fillimit të procedurave të privatizimit për shoqërinë.
Aksione për ish-pronarët e truallit
Vendimi i qeverisë përcakton një procedurë të veçantë për llogaritjen e paketës së aksioneve për ish-pronarët e truallit. Në bazë të ligjit për kompensimin e pronës, ish-pronarët kanë të drejtë të marrin aksione të shoqërisë që privatizohet, sipas vlerës së sipërfaqes së truallit, të përcaktuar në vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, brenda kufizimit të hapësirës së shoqërisë. Pjesa e aksioneve për ish-pronarët e truallit do të llogaritet si raport ndërmjet vlerës së tokës dhe kapitalit themeltar të shoqërisë.
Ish-pronari i truallit, për vlerën e truallit si pjesë e kapitalit themeltar të shoqërisë, nuk merr pjesë në ankandin e aksioneve. Ai zotëron një përqindje të caktuar të aksioneve, e cila mbetet e pandryshuar në raport me pjesën tjetër të kapitalit të shoqërisë, pavarësisht nga rezultatet e ankandit. Brenda 30 ditëve nga data e publikimit, ish-pronarët e truallit duhet të paraqesin në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, kërkesën me shkrim për zotërim aksionesh në kapitalin e shoqërisë që privatizohet; vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave; dëshminë e trashëgimisë dhe prokurën e përfaqësimit.
Formula e privatizimit, si ndahen aksionet
Ministria e Financave llogarit aksionet për punonjësit dhe ish-pronarët e truallit, të cilat më pas regjistrohen në Qendrën e Regjistrimit të Aksioneve dhe në QKR. Më tej, fillon procedura e publikimit për shitjen e paketës së mbetur të aksioneve, si dhe njoftohen aksionarët e shoqërisë për datën dhe orën e zhvillimit të ankandit. Paketa e aksioneve mund t’i ofrohet me ankand blerësit të vetëm, e cila në çdo rast do të shitet me lekë në dorë, me pagesë të menjëhershme. Rasti tjetër është ofrimi i paketës për publikun.
Regjistrimi i porosive për aksione të shoqërisë, me bono dhe lekë privatizimi, zgjat jo më shumë se 45 ditë. Personat fizikë dhe juridikë kanë të drejtë të porositin aksione për çdo shoqëri tregtare, të shpallur për shitje, njëkohësisht në qendrën e ankandit pranë Ministrisë së Financave, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, pavarësisht nga vendndodhja e tyre. Mënyra e shpërndarjes së kapitalit të paketës së aksioneve për publikun do të jetë në përpjesëtim, sipas rezultateve përfundimtare të raportit kërkesë-ofertë. Rasti i tretë është privatizimi i paketës së aksioneve shtetërore në shoqëritë pjesërisht të privatizuara.
Në shoqëritë, ku paketa shtetërore është nën 50 për qind të aksioneve, pasi të jetë zbritur përqindja e aksioneve për ish-pronarët e truallit dhe për punonjësit e shoqërisë, shitja e pjesës së mbetur, në favor të aksionerëve të shoqërisë, bëhet me përcaktimin e vlerës së tregut të paketës së aksioneve me ankand. Kur aksionerët e shoqërisë, të cilëve u është ofruar për blerje paketa e aksioneve, nuk japin pëlqimin për blerje, atëherë vazhdojnë procedurat me pjesëmarrësin që ka ofruar çmimin më të lartë të paketës së aksioneve në ankand.
Më të lexuarat









