Tatimet, kontroll bizneseve. Ne shtator vihen ne liste ndertimi, turizmi, minierat dhe guroret
Tatimet kanë identifikuar përmes modelit kompjuterik të riskut, sektorët ku mendohet se ka më shumë evazion dhe parregullsi në pagimin e taksave.
“Në analizën më të fundit janë përzgjedhur nga moduli i riskut ndërtimi, turizmi dhe minierat e guroret”, thotë Gjergji Duro, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Bizneset e ndërtimit, turizmit, por edhe minierat, do të kalojnë të gjitha në sitë të hollësishme dhe ato që vlerësohen si më problematiket do të kontrollohen në terren. “Pasi zgjidhet sektori më me risk, i jepet prioritet sektorit dhe më pas, brenda këtij sektori përzgjidhen tatimpaguesit më me risk. Ata të cilët nuk e kanë arritur nivelin e përmbushjes kundrejt të tjerëve. Këta tatim pagues përzgjidhen për kontrolle më të thelluara, të cilat do të fillojnë në shtator”, shprehet Duro. Vitin e kaluar ekonomia shqiptare përfitoi 1.7 miliardë euro nga udhëtarët dhe turistët e huaj. Tatimet vlerësojnë se një pjesë e mirë e këtij aktiviteti ekonomik, zhvillohet në informalitet, ndaj ka nisur një plan të posaçëm masash.
“Ka filluar plani i masave për turizmin, i cili parashikon një sërë veprimtarish, të cilat fillojnë me edukimin e tatimpaguesit, me orientimin e tyre për veprime të caktuara që ata duhet të realizojnë përmbushjen përkatëse. Por, ata tatimpagues, të cilët nuk do të jenë në nivelin e duhur të përmbushjes tatimore, do të përzgjidhen nga ky modul kontrolli për një fazë të dytë për kontroll tatimor të thelluar”, shprehet Gjergji Duro, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Për bizneset që kapen në shkelje të ligjit do të zbatohen masat ndëshkuese, jo vetëm administrative, por edhe kallëzim penal kur evazioni është i përsëritur, ashtu sikurse parashikohet në ligjin e procedurave tatimore./Top Channel