Nderhyrjet nga Banka e Shqiperise stabilizojne euron; Ja cfare po ndodh
Një euro është këmbyer sot sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë me 126.06 lekë, rreth 0.08 pikë më shumë se një ditë më parë.
Aktorët e tregut (agjenci valutore dhe banka) thanë se ky stabilizim i euros në tregun e brendshëm lidhet me ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë. Sipas tyre, Banka e Shqipërisë ndërhyri javën e shkuar duke blerë valutë në disa nga bankat e nivelit të dytë me një çmim më të lartë se tregu. Këto ndërhyrje u bënë gjatë të martës, të mërkurës dhe të enjtes, ndërsa të premten u arrit që të stabilizohej niveli i këmbimit. Sipas aktorëve të tregut Banka e Shqipërisë ka përzgjedhur që të bëjë këtë ndërhyrje në tregun e këmbimit valutor nëpërmjet katër bankave të nivelit të dytë dhe dy zyrave të këmbimit valutor. Banka e Shqipërisë kishte paralajmëruar se do të ishte aktive në tregun valutor për të frenuar rënine e euros. Ndërhyrjet e Bankës në fillim të qershorit, pasi euro zbriti në 124.1 lekë e rritën përkohësisht monedhën e përbashkët deri në 128 lekë brenda pak ditëve, por më pas euro u dobësua sërish si rrjedhojë e ofertës së lartë të valutës. Gjithsesi, ndërhyrjet e vazhdueshme kanë arritur të stabilizojnë euron në nivelin e rreth 126 lekëve javën e fundit. Ekspertët presin që euro të jetë e dobët për shkak të efekteve sezonale, që lidhen me prurjet e turistëve dhe të emigrantëve. Për sa i përket dollarit amerikan, ai është forcuar sot në tregun vendas duke u këmbyer në nivelin e 108.27 lekëve. Forcimi i dollarit ka reflektuar pozitën e tij në tregjet ndërkombëtare, ku monedha e gjelbër ka fituar pikë ndaj euros./Monitor