Secondary Adv

Shansi qe po humbasim, si po i largon turistet infrastruktura; Durresi po humb shkelqimin

Hotelet dhe tur-operatorët raportojnë për një rënie të rezervimeve për këtë sezon turistik veror në Durrës, me përjashtim të atyre që operojnë me kontrata. 

 

Administratorët tregojnë se arsyet janë nga më të ndryshmet, por kryesisht lidhen me motin, një luhatje të lehtë të çmimeve me tendencë në rritje dhe infrastrukturën e dobët. Vetë turistët që kanë mbyllur pushimet në Shqipëri për këtë vit vlerësojnë pozitivisht hotelet, por negativisht pjesën jashtë tyre. Maqedonia, nga ana tjetër, ia ka dalë që të bëhet vendi me paketën më të shitur të tureve njëditore te turistët e huaj që vijnë në Shqipëri. Edhe këtë vit, vendi ynë po përpëlitet mes interesit të turistëve dhe ofertës së vakët të paketave plus, që shkojnë përtej një shezlongu. Mund të jesh fare mirë duke ecur në rrugë, i shkujdesur dhe i relaksuar sepse në fund të fundit je me pushime por kujdes, mos e humb vigjilencën, pasi mund ta gjesh veten në fund të një pusete. Ky ishte një nga episodet që na tregoi administratori i një hoteli në Malin e Robit në Durrës, ku një turisti të huaj iu desh ndihma e disa personave aty rrotull për të dalë nga puseta ku përfundoi, e lënë hapur për shkak të investimeve përgjysmë. Sipas hoteleve në këtë zonë, investimi në rrugën nga Mali i Robit në Golem është nisur, por është lënë i pazbatuar ndërkohë që pusetat e ujërave të bardha janë lënë pa kapak, duke u kthyer në rrezik potencial për këdo, jo vetëm për turistët.

 

Infrastruktura vijon të mbetet pika më negative në gjithë renditjen që bëjnë tur-operatorët, administratorët apo menaxherët e hoteleve në zonën e Golemit. Një vit më parë, Durrësi u konsiderua si “Hirushja” e sezonit turistik veror me prurje të larta turistësh nga Polonia, Çekia, Ukraina të cilët, përmes agjencive të tyre, kishin rezervuar paketa “all inclusive” (të gjitha të paguara) dhe “bed and breakfast” (shtrat dhe mëngjes), por sezoni turistik veror 2018 nuk duket të ketë shkëlqimin e atij të një viti më parë dhe arsyet janë nga më të ndryshmet. Sipas tur-operatorëve, sot, përveç hoteleve që punojnë me kontrata me turistë të huaj kryesisht çekë, polakë, ukrainas, finlandezë, norvegjezë, pjesa tjetër shfaqen dobët lidhur me rezervimet e bëra deri në korrik. “Një pjesë e mirë, për shkak të motit por edhe gjithë atyre problemeve që kemi thënë herë pas here, nuk kanë pasur rezervime. Krahasuar me vitin e kaluar, situata është më keq. Nuk e dimë sesi do të jetë gushti, por qershori dhe korriku paraqiten dobët. Shumica e hoteleve kanë punuar një ditë në javë, që i bie fundjavave kryesisht”, – shprehen tur-operatorët në lidhje me ecurinë e rezervimeve./Monitor


Më të lexuarat