Secondary Adv

Kompanite e sigurimit- AMF: Nje pjese e tyre kane probleme me likuiditetin

Të dhënat tekniko-financiare të AMF për kompanitë e sigurimit në treg tregojnë se disa prej tyre shfaqin probleme të theksuara me mungesën e likuiditetit. 

 

Duke analizuar në detaj një seri aspektesh AMF ka bërë edhe një vlerësim të kompanive lidhur me mjaftueshmërinë e kapitalit një tregues ky lidhur direkt me aftësinë paguese ku ka rezultuar se të paktën katër kompani kanë pamjaftueshmëri. Analiza është bërë mbi shifrat e vitit 2017 duke qenë se për vitin 2018 duhet kohë që të bëhet mbyllja e bilanceve. Por cila është situata në shifra. Konkretisht për të gjithë tregun kërkesa ligjore lidhur me kapitalin apo aftësinë paguese nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2017 ka qenë 4.74 miliardë lekë. Kaq duhet të ishte kapitali i gjithë kompanive të sigurimit jetë ose jo jetë. Vetëm për jo jetën kërkesa ligjore ishte për 3.63 miliardë lekë. Në fakt në fund të vitit 2017 kapitali apo aftësia paguese e kompanive të tregut të sigurimit jetë dhe jo jetë ishte 2.22 miliardë lekë.

 

Nëse do të bëjmë vetëm vlerësimin e kapitalit për kompanitë e sigurimit jo jetë, shifra e regjistruar ishte 829 milionë lekë. Pra kompanitë kishin në fund të vitit 2017 vetëm 22.7 për qind të kapitalit që duhet të kishin për të qenë konform kërkesave ligjore për një treg të shëndetshëm në aspektin financiar. Por cilat janë në fakt kompanitë që kanë rezultuar me pamjaftushmëri kapitali. E para është kompania Eurosig e cila sipas kërkesave ligjore duhet të kishte një kapital minimal 575 milionë lekë por në fund të vitit 2017 ajo ishte me kapital negativ 1.16 miliardë lekë. Kompania e dytë kapital negative është Insig Jo Jeta ku kërkesa minimale e kapitalit sipas kuadrit ligjor ishte për 370 milionë lekë por në fund të periudhës ajo ishte 1.6 miliardë lekë minus. Dy kompanitë e tjera Sicred dhe Ansig kanë diferenca me kërkesat ligjore por nuk janë me kapital negativ. 

 

Kështu kërkesa minimale e kapitalit për SICRED ishte 370 milionë lekë por kompania është 346 milionë lekë me një diferencë 24 milionë lekë çka e klasifikon atë më pamjaftueshmëri ashtu si ANSIG që sipas kërkesave ligjore minimale duhet të kishte një kapital 370 milionë lekë dhe në fund të periudhës, kapitali i saj rezultonte 265 milionë lekë. Në 2016-ën raporti i Mjaftueshmërisë së Kapitalit për tregun e sigurimit Jo-Jetë ishte 60.3%, duke qenë kështu nën nivelin minimal të kërkuar. Në të njëjtin vit edhe kapitali I këtij tregu erdhi në rënie në raport me 2015. Cikli rënës i treguesve cilësorë në treg ka vite që ka nisur ndërkohë që pritet të shihet sesi do të shfaqen këto tregues në vitin 2018 kur kompanitë kanë treguar disi qëndrueshmëri lidhur me praktikat e ndryshimit të primeve./Monitor


Më të lexuarat