
Situata hidrike ne vend ne gjendje kritike: OSHEE blen 100 milione euro energji ne treg
OSHEE ka prokuruar rreth 100 milionë euro pa TVSH për të blerë energji në tregun e lirë në 5 muajt e parë të këtij viti.
Një situatë e tillë, me shpenzime shumë më të larta se parashikimi për këtë zë, e ka vënë në vështirësi kompaninë, e cila ka ngrirë kontrata me vlerë 30 milionë euro të destinuara për investime, ndërkohë që këto të fundit janë pezulluar pa afat. KESH, nga ana tjetër, i gjendur në një situatë jo të favorshme hidrike, ka tentuar drejt procedurave të optimizimit për të përmirësuar disi situatën. Me reshje që nuk kanë bërë asnjë diferencë dhe me stinën e verës para, kompanive u mbetet veç të kthejnë sytë nga qielli. Në pesë muajt e parë të vitit, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i është dashur të zhvillojë disa dhjetëra procedura prokurimi, për të blerë energji në tregun e parregulluar.
Për shkak edhe të situatës jo të favorshme hidrike, sasia që është blerë nga ky treg, ka qenë e lartë dhe në disa raste, me çmime të kripura, duke vënë në vështirësi financiarisht kompaninë publike të shpërndarjes. Të dhënat zyrtare të OSHEE-së tregojnë se nga janari në maj, janë importuar 1.3 milionë MWh energji, me një çmim mesatar prej 73.47 eurosh, çka bën që në total, blerjet në tregun e parregulluar për të plotësuar konsumin në vend të kenë kapur vlerën 96.8 milionë euro, pa përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Blerjet në tregun e parregulluar në 5 muaj, në janar çmimi më i kripur
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike e nisi 2019 me shpenzime të larta në importe. Për shkak të prodhimit minimal të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, sasia më e madhe e energjisë u sigurua në tregun e parregulluar. Konkretisht, në janar, u blenë në këtë treg mbi 338 mijë MWh energji me një çmim mesatar prej 89.86 euro/MWh, çka rezultoi me një faturë rreth 35 milionë euro pa TVSH. Ky është muaji me shpenzimet më të larta të OSHEE për energji të blerë nga tregu i parregulluar. Në shkurt, nga ana e kompanisë së shpërndarjes, është bërë 173 mijë MWh energji me një çmim 69.81 euro/MWh. Kjo është edhe sasia më e vogël e kontraktuar nga ky treg në këta 5 muaj, me një faturë prej 12 milionë eurosh. Çmimin mesatar më të lirë, OSHEE e ka siguruar në muajin prill, me 62.92 euro/MWh, çka pavarësisht sasisë së konsiderueshme prej mbi 236 mijë MWh importe, fatura kishte një vlerë prej 14.8 milionë euro pa TVSH.
Kompanitë në vështirësi, sektori me sytë nga Zoti
OSHEE nuk po përjeton ditët e tij më të mira, çka duket si një përsëritje e vitit 2017, kur i gjithë sektori u vu në vështirësi, për shkak të importeve të larta. Në atë kohë, për të mbuluar blerjet e energjisë, u përdor edhe një pjesë e kredisë së Bankës Botërore nga projekti i Rimëkëmbjes. Gjasat janë që, nëse nuk ndryshojnë kushtet hidrike, kompania të gjendet në një situatë të ngjashme. Sasia e energjisë që OSHEE po ble sot në tregun e parregulluar është dukshëm më e lartë sesa mesatarja e viteve të shkuara, të paktën kjo për majin. Kjo do të thotë që, edhe kostot janë dukshëm më të larta. “Zakonisht muaji maj është mbuluar nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, pra ka pasur një situatë më të mirë hidrike, çka na ka ndihmuar edhe ne.
Këtë vit, KESH ndodhet vetë në situatë të vështirë hidrike, çka është transmetuar edhe te ne”, konfirmojnë burime pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. OSHEE ble nga KESH me një çmim 1.45 lekë/kwh dhe e shet atë tek konsumatori fundor me 9.5 lekë, ndërkohë që për disa kategori biznesi, edhe me 14 lekë/kwh. Çmimi me të cilën OSHEE ble nga KESH është dukshëm i ulët në raport me atë që OSHEE siguron nga tregu i parregulluar. Reshjet e fundit duket se nuk kanë dhënë ndonjë efekt të dukshëm në prodhimin vendas. Prodhuesit me përparësi të energjisë kanë një prodhim modest, që nuk bën ndonjë diferencë të madhe sipas OSHEE-së, ndërkohë që vetë KESH po tenton të krijojë rezervë hidrike. Në këto kushte, duket se si për Shpërndarjen, ashtu edhe për Korporatën, sytë janë drejtuar nga qielli dhe shpresa për më shumë reshje.
OSHEE pezullon pa afat investimet, ngrijnë 30 milionë euro kontrata
Në kushtet kur importet e energjisë kanë arritur rreth 100 milionë euro, pa përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë i është dashur që të marrë vendimin e pezullimit të investimeve. “Për ne, prioritare në këto momente është që të sigurojmë furnizim me energji dhe situata nuk ka qenë aspak e favorshme. Për të pasur mjetet e nevojshme financiare, na është dashur që të pezullojmë gjithçka. Janë të paktën 30 milionë euro kontrata investimesh të ngrira, ndërkohë që pezullimi i përgjithshëm për investimet nuk ka një afat. Pra nuk e dimë se kur do të rifillojmë dhe kjo do të varet shumë nga ecuria që do të ketë aspekti hidrik në vend”, –thanë burime zyrtare pranë OSHEE.
Për vitin 2019, kompania ka planifikuar një total prej 8.5 miliardë lekësh, si plan investimesh, ndërkohë që gjatë periudhës 2015-2018 në rrjetin e shpërndarjes janë investuar afërsisht 33 miliardë euro. Një pjesë e mirë e këtyre investimeve janë mbështetur me të ardhurat e vetë kompanisë, e cila ka pasur rritje të vazhdueshme të arkëtimeve falë edhe aksioneve kundër lidhjeve të jashtëligjshme dhe procedurës së aktmarrëveshjeve për detyrimet e prapambetura. Një pjesë tjetër e këtyre investimeve janë financuar nga kredia me Bankën Botërore, e cila në vitin 2015 do të angazhonte 150 milionë dollarë për të rimëkëmbur sektorin e energjisë dhe që përfshinte disa komponentë./Shqiptarja.com
Më të lexuarat









